Vdiq ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha

Sot ndërroi jetë ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha në moshën 73-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë, transmeton Portalb.mk.

Lajmin për vdekjen e Berishës e bëri të ditur djali i tij, Visar Berisha. Sipas familjarëve, Kolë Berisha do të varroset nesër, më 30 gusht në varrezat e Prishtinës, në praninë e rrethit të ngushtë familjarë.

“Për shkak të situatës së rëndë epidemiologjike dhe masave që prej sot janë në fuqi nuk do të mund të organizojmë të pame për babën”, ka shkruar Visar Berisha në llogarinë e tij në Facebook.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i ka drejtuar një letegram ngushëllimi familjes, miqve e bashkëpunëtorëve me rastin e ndarjes nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z.Kolë Berisha.

“Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të Kolë Berishës, njërit ndër veprimtarët më të shquar të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës, bashkëpunëtorit e bashkëmendimtarit të presidentit historik, dr. Rugovës, njeriun e urtë e njeriun e paqes, i cili tërë jetën ia  kushtoi lirisë së vendit të tij”, thuhet në telegramin e Presidentes Osmani.

Kolë Berisha ka qenë kryetari i Kuvendit të Kosovës nga viti 2006 deri më 2007. Ai ishte anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe për një kohë ka qenë edhe nënkryetar i kësaj partie.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button