U mbajt paneli i diskutimit “Gostivari që dua”

Sot në Gostivar u mbajt paneli i diskutimit “Për Gostivarin që duam”, i organizuar nga Iniciativa qytetare “Gostivari që dua”, ku anëtarët panelistë të Iniciativës u fokusuan në problematikat kryesore që preokupojnë banorët e komunës së Gostivarit, si parkingjet, kazinot, ambienti, qentë endacak, sporti, problemet rinore dhe të tjera, transmeton Portalb.mk.

Vjollca Baftiu Zulbeari në fillim të hapjes së panelit tha se kanë marrë  iniciativën që të bashkohen në këtë panel, duke qenë të inspiruar nga konstatimi i shqetësimeve dhe problemeve të tyre të përbashkëta si qytetarë të Gostivarit.

Lekë Dalipi, anëtar i inicativës foli për problemin me parkingjet, kazinot dhe lojërat e fatit në Gostivar. Sa u përket Kazinove dhe Bastoreve Sportive, Dalipi tha që ligji që është në Parlament duhet të përshpejtohet dhe të bëhet i mundur dislokimi i tyre në periferi të qytetit.

Aktorja Vjollca Baftiu Zulbeari, para se të fokusohej te funksionimi i deponisë Rusino jashtë çdo kriteri bazik, para publikut prezantoi filmin e shkurtër dedikuar deponisë të përgatitur nga djali i saj.

“Të flasësh për deponinë që në fakt e pash edhe vetë unë me sytë e mi gjatë xhirimit të filmit të shkurtër të djalit tim, është tmerruese. Andaj, si qytetare e këtij vendi, si një nënë e këtij qyteti do të mundohem ta bëj të pamundurën që ta zgjedhim problemin e kësaj deponie që funksionon ma kushte e standarde minimale”, tha Zulbeari.

Altina Demiri Asani foli për problemin me qentë endacakë ku potencoi se programi për Gotivarin ofron zgjidhje për tejkalimin e këtij problemi.

Profesori i edukatës fizike Shëndrit Dehari foli mbi problemet e shumta me të cilat sot përballet sporti gostivaras në përgjithësi.

“U linda dhe rrita në Gostivar. Si gjithë të rinjtë edhe unë kisha ëndrra. Ëndrra ime ishte Tenisi, por fatkeqësisht nuk mundesha ta realizoj në Gostivar. U detyrova të largohem në Shkup që të filloj ushtrimet. Gostivari, jo vetëm që nuk kishte terrene sportive por as vende të përshtatshme për aktivitete të tilla”, tha Dehari.

Në emër të rinisë në panel mori pjesë Leutrim Beluli, i cili programi për Gostivarin është konkret dhe kjo dëshmohet me kërkesën e radhës për aktivizimin e të rinjve në fusha të  ndryshme për të ndihmuar në zhvillimin e gjithanshëm të komunitetit ku jetojnë.

Sipas organizatorëve të kësaj nisme, problemet që u theksuan gjatë këtij paneli i kanë të përfshira në program, dhe të njëjtit i preokupojë të gjithë qytetarët pa përjashtme, qofshin ato shqiptarë, maqedonas, turq, romë, boshnjak e tjerë.

Në këtë panel  të pranishëm ishin përfaqësues të Pushtetit Qendror, Organizatave Joqeveritare, disa subjekteve politike, deputetë të zonës dhe qytetarë të Gostivarit, ku ftesë për pjesëmarrje kishin edhe drejtuesit e komunës së Gostivarit.

Ndryshe, zgjedhjet lokale në RMV do të mbahen më 17 tetor të këtij viti, kurse fushata parazgjedhore do të fillojnë 20 ditë para datës së zgjedhjeve.

LEXO: Iniciativa Qytetare “Gostivari që dua” ka përgatitur program për zgjedhjet lokale

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button