RMV, tragjeditë dhe restriksionet e valës së tretë të COVID kanë bërë vendin lidere në vaksinim (INFOGRAFIK)

Maqedonia e Veriut në këtë periudhë ka rritjen më të lartë se të gjitha shtetet e rajonit për sa i përket vaksinimit të popullatës kundër koronavirusit. Rritja e interesit për t’u vaksinuar ka të bëjë me faktin se këtë muaj janë regjistruar shifra të larta të rasteve të reja të infektimit me Covid-19 si dhe vdekjeve pikërisht te të pavaksinuarit. Megjithatë, interesin e kanë rritur dhe restriksionet e Qeverisë, shkruan Portalb.mk.

Nga e hëna e deri dje (23-28 gusht), sipas statistikave të Ministrisë së Shënetësisë në vend janë regjistruar 5,806 raste të reja dhe 175 persona humbën jetën. Numri i rasteve aktive në vend sipas statistikave të djeshme është 14, 127. Qytetet me shkallë më të lartë të infektimeve tani e një kohë të gjatë janë Shkupi, Tetova dhe Gostivari.

Sipas analizave të organeve përgjegjëse, personave të infektuar me Covid-19 dhe ata që humbin jetën janë të pavaksinuar. Vetëm një numër i vogël i të infektuarve kanë marrë vaksinën.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipce tha se në spitale rreth 85% e pacientëve janë të pavaksinuar. Ai theksoi se ka pacientë të cilët edhe pse e kanë kaluar virusin më parë, janë të infektuar sërish por në numër të vogël.

“Në lidhje me këtë sëmundje mjekësia nuk ka dhënë përgjigje për gjithçka. Do të duhet të kalojë kohë më e gjatë që të shihet pse kjo është karakteristikë e përgjigjes imune, pse ka pacientë që kanë formë të lehtë të sëmundjes, disa të mesme, disa të rëndë, disa për fat të keq kanë humbur jetën, janë mjekuar me kriteret e njëjta si ata që kanë shpëtuar, por kanë pasur formë të rëndë të sëmundjes dhe të gjithë këto skenarë që i kemi te të vaksinuarit. Ende shumë aspekte në raport me shkaktarin, në raport me sëmundjen janë të panjohura. Ajo që dihet është se vaksina me siguri për 20 herë e ul rrezikun nga vdekja”, tha Filipçe.

Nga ana tjetër, zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani për Portalb.mk tha se bëjnë analiza të përditshme nga ku rezulton se pacientët e infektuar dhe ata që e humbin jetën janë të pavaksinuar. Sipas Hasanit dallimi në mes infektimeve dhe vdekjeve te personat e pavaksinuar dhe atyre të vaksinuar është si nata me ditën.

“Ne bëjmë analiza të përditshme, ato pacientë janë nën fokusin dhe koncentrimin maksimal tonin. Bëhet fjalë për pacientët të cilët janë të vaksinuar por të cilët janë me komorbiditete dhe me sëmundje tjera, dhe të cilët hipotetikisht edhe një grip i lehtë do ti kishte marrur. Përqindja e vdekjeve te pacientët e pavaksinuar dhe përqindja e vdekjeve te pacientët e vaksinuar është si nata me ditën. Kështu që është absolut e qartë që vaksinimi mbron ndoshta jo në atë masë që kemi pasur shpresa. Vaksinimi mbron.”, tha Hasani për Portalb.mk.

LEXO: Zëvendës-ministri i Shëndetësisë: Dallim i madh mes vdekjeve të pacientëve të pavaksinuar dhe atyre të vaksinuar (VIDEO)

Ministri i Shëndetësisë, Filipçe së bashku me zëvendësin e tij Hasani, apelojnë te qytetarët të vaksinohen, sepse vaksinat mbrojnë nga Covid-19.

Analiza e Ministrisë së Shëndetësisë për periudhën nga 6 deri më 26 gusht 

Nga 6 deri më 26 gusht në vend janë regjistruar 17.020 raste pozitive me Covid-19, dhe vetëm 2924 apo 17% kanë qenë të vaksinuar me të dyja dozat. Për ta bërë më të qartë, të vaksinuar llogariten personat që janë vaksinuar me dy doza dhe kanë kaluar së paku 14 ditë nga pranimi i dozës së dytë të vaksinës.

14.096 qytetarë, përkatësisht 83% e rasteve pozitive me Covid-19 nuk kanë qenë të vaksinuar. Përqindja e të hospitalizuarve që nuk janë të vaksinuar është 89%, ndërsa vetëm 11% e të gjithë të hospitalizuarve për momentin janë të vaksinuar plotësisht. Vdekshmëria te të pavaksinuarit është shumë më e lartë, tregon analiza. Në periudhë prej tri javësh në territorin e vendit kanë humbur jetën 276 persona me Covid-19, 246 persona nga të vdekurit nuk kanë qenë të vaksinuar, vetëm 30 persona apo 10% kanë pranuar vaksina. Sipas analizave të vdekurit kanë pasur më shumë sëmundje të kombinuara kronike.

Ministria e Shëndetësisë informoi se rritje rapide është detektuar te ri-infektimet me Covid-19 në periudhën nga 15 gushti deri më 22 gusht. Instituti i Shëndetit Publik duke e analizuar gjendjen epidemiologjike javore në vend ka detektuar se në periudhë prej një jave 54 persona të cilët një herë kanë qenë pozitivë me Covid-19, përsëri janë infektuar me virusin. Në qoftë se analizohet gjendja nga fillimi i pandemisë, deri më 22 gusht të vitit 2021, në vend janë detektuar 351 raste që janë infektuar sërish me virusin.

RMV-ja lider në rajon me vaksinim në periudhën e fundit

Ministria e Shëndetësisë informoi se sipas të dhënave të fundit, gjatë periudhës nga 5 korriku deri më 24 gusht, numri i së paku një doze të aplikuar në 100 banorë në vend është rritur për 14%, që është rritja më e lartë nëse krahasohet me shtetet e rajonit.

“Gjatë periudhës së njëjtë, menjëherë pas Maqedonisë së Veriut gjenden Kosova me 10.64%, Shqipëria dhe Greqia me 8.61% dhe Mali i Zi me 8.04% rritje të përqindjes së personave të vaksinuar me së paku një dozë. Rritja në Bosnje e Hercegovinë arrin 7.95%, ndërsa në Slloveni 6.9%. Përparim më të ulët në rajon të vërejtur prej 5 deri më 24 gusht ka në Serbi, gjegjësisht 2.49% dhe Bullgaria me 1.66% rritje të përqindjes së vaksinimit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë, thanë nga Ministria e Shëndetësisë.

LEXO: Ministria e Shëndetësisë: RMV-ja lider në rajon me vaksinim periudhën e fundit

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tha se rritja e interesimit për vaksinim nga ana e qytetarëve për tu vaksinuar vjen si rezultat i masave nga ana e Qeverisë.

“Falë këtyre masave në 10-14 ditët e fundit vaksinimi në Tetovë nga 23 është rritur në 35% dhe sinqerisht mendoj se trendet do të vazhdojnë, qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se kjo është mënyra e vetme që të arrihet imuniteti kolektiv dhe të mundemi të funksionojmë normal, të mund të shkojnë fëmijët në shkollë dhe të gjitha proceset tjera jetësore të kthehen në normalitet”, tha Filipçe.

Infografik nga Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik nga Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në Maqedoninë e Veriut deri më tani janë aplikuar gjithsej 1.234.123 doza të vaksinës. Me dozën e parë janë vaksinuar 712,339 qytetarë ndërsa 521.784 qytetarë janë vaksinuar me të dyja dozat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button