Refugjatë në vendet e huaja

Në vitin 1948-49 bllokada sovjetike ndaj fuqive aleate dhe Berlinit çoi në fushatën e quajtur “Berlin Airlift”, kryesisht e dominuar nga amerikanët, britanikët dhe francezët. Qyteti i Berlinit ndodhej në brendësi të Gjermanisë Lindore të kontrolluar nga sovjetikët dhe i ndarë në katër zona. Mijëra tonelata ushqime dhe ndihma tjera nëpërmes fluturimeve nga ajri u dërguan në Berlinin Perëndimor. Sot, pas shtatë dekadave që kur Kriza e Berlinit përfundoi, transportues ushtarakë dhe civilë amerikanë dhe të shteteve të NATO-s nga Afganistani po evakuojnë fëmijë, gra dhe qytetarë të forcave aleate nga Kabuli e që tashmë është në duart e forcave Talebane.

Qindra afganë të rrezikuar nga Talebanët dhe IS-K, e kanë lëshuar vendin dhe janë kthyer në refugjatë në SHBA dhe në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Shtetet aleate të SHBA-së, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë pranuar numrin më të madh të refugjatëve afganë. Qeveritë që janë në proces të pritjes së refugjatëve, nga solidariteti dhe miqësia në kohë krize globale, i kanë hapur kufijtë. Në bazë të së drejtës humanitare dhe konventave ndërkombëtare të nënshkruara, shtetet po i zbatojnë ashtu siç janë dizajnuar si të drejta në kohë lufte dhe pas. Qeveritë e vendeve fqinjë janë deklaruar kundër pranimit të qytetarëve afganë, disa po ndërtojnë mure, kurse tre shtetet e lartë përmendura po ofrojnë strehë dhe kushte për të ikurit nga Afganistani deri në gjetjen e një zgjidhje të përhershme.

Për disa shtete të BE-së, afganët janë të papranueshëm dhe këtu është e çuditshme se po aty ku kanë lindur konventat e refugjatëve me të drejtat dhe detyrimet në kohë luftë dhe paqe, të njëjtit po refuzojnë të strehojnë qytetarë nga Kabuli, për shkaqe të sigurisë. Sidoqoftë, për refugjatët e rrezikuar nga Afganistani do të gjendet një zgjidhje dhe do të ketë shoqëri të hapura që do të krijojë vend për fëmijët, gratë dhe personat e moshave të ndryshme. Për sa i përket së drejtës humanitare dhe konventave ndërkombëtare, le të fillojmë me atë të refugjatëve. Konventa për statusin e refugjatëve, e njohur si “Konventa e Refugjatëve” e vitit 1951 ose edhe si “Konventa e Gjenevës” ishte një seri takimesh diplomatike që prodhuan një numër marrëveshjesh, veçanërisht “Ligjin Humanitar të Konflikteve të Armatosura”,  që është një grup ligjesh ndërkombëtare për trajtimin njerëzor të personelit ushtarak të plagosur ose të kapur, personelit mjekësor dhe civilëve jo-ushtarakë.

Historikisht marrëveshjet filluan që në vitin 1864 dhe u zhvilluan shpejt si ligje pas Luftës së Dytë Botërore (LDB). Në vitin 1859, filantropisti nga Gjeneva Henri Dunant udhëtoi në selinë e perandorit Napoleon III në Italinë Veriore për të kërkuar të drejtat e tokës për një sipërmarrje të tij. Megjithatë, ai gjeti veten dëshmitar të pasojave të “Betejës së Solferinos”. Pas betejës ai filloi të mendonte për zgjidhje të përshtatshme në kohë lufte, trajtimin e refugjatëve, robërve të luftës dhe personelit mjekësor. Vuajtjet e tmerrshme të popullatës dhe ushtarëve që Dunanti i pa vetë, ndikuan që ai të shkruaj një libër me tregime të quajtur “Një Kujtim i Solferinos”. Por ai jo vetëm që shkroi për atë që kishte vëzhguar drejtpërsëdrejti, por, gjithashtu propozoi disa zgjidhje që diplomatëve do t’ju shërbenin për formulimin e ligjeve dhe rregullave të luftës dhe atyre të refugjatëve. Sipas tij të gjitha kombet duhet të mblidhen për të krijuar grupe të trajnuara, vullnetare për të trajtuar të plagosurit në fushën e betejës dhe për të ofruar ndihmë humanitare për të prekurit nga lufta.

Kështu në vitin 1906, qeveria zvicerane organizoi një konferencë ndërkombëtare prej dhjetëra shteteve për të përmirësuar Konventën e Parë të Gjenevës. Ndryshimet zgjeruan mbrojtjen për të plagosurit në betejë, personelin mjekësor të ngarkuar me trajtimin e të plagosurve, transportimin dhe largimin e të plagosurve dhe të vrarëve nga zonat e luftës. Konventa e vitit 1906 zëvendësoi Konventën e Parë të Gjenevës të vitit 1864. Pas Luftës së Parë Botërore (LPB), ishte e qartë se Konventa e vitit 1906 dhe Konventa e Hagës e vitit 1907 nuk bëjnë mbulimin e të gjitha pasojave të luftërave tradicionale.

Në vitin 1929, u bënë ndryshime për të çuar më tej trajtimin e duhur të burgosurëve të luftës dhe refugjatëve. Konventa e Gjenevës e vitit 1949, Neni 9 i Konventës specifikoi se “Kryqi i Kuq Ndërkombëtar” ka të drejtë të ndihmojë të plagosurit dhe të sëmurët dhe të sigurojë ndihmë humanitare. Neni 12 përcaktonte se të plagosurit dhe të sëmurët nuk duhet të vriten, torturohen, shfarosen ose ekspozohen ndaj eksperimenteve biologjike.

Konventa e Gjenevës e vitit 1949 gjithashtu vendosi rregulla për mbrojtjen e forcave të armatosura të plagosura, të sëmurëve në anije spitalore, si dhe punonjësve mjekësorë dhe civilë që shoqërojnë ose trajtojnë personelin ushtarak. Disa nga pikat kryesore të këtyre rregullave thonë se “civilët nuk mund të dëbohen kolektivisht ose të detyrohen të punojnë në emër të një force pushtuese pa pagesë. Të gjithë civilët duhet të marrin kujdes mjekësor adekuat dhe të lejohen të bëjnë jetën e tyre të përditshme sa më shumë që të jetë e mundur”. Në 1977, Protokollet I dhe II u shtuan në Konventat e 1949-ës. Tani duke i parë të gjitha këta konventa dhe protokolle të nënshkruara nga qeveritë, burojnë edhe disa të drejta, por, edhe detyrime për refugjatët dhe të gjithë ata të zënë ngushtë në betejat e luftës. Megjithatë, është me rëndësi që procesi i strehimit të refugjatëve afganë të bëhet në bazë të rregullave dhe të shihen me kujdes nga organet e inteligjencës për hyrje  të mundshme të grupeve radikale në mesin e refugjatëve dhe që mund të ketë pasoja në sigurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në fund, pas filantropistit Dunan, si korrespondent lufte nga Italia, Spanja, Gjermania dhe nga Normandia, ka shkruar mjaft gazetari dhe novelisti amerikan Ernest Hemingway, duke mbuluar drejtpërsëdrejti betejat më të përgjakshme të shek. XX e me mijëra të plagosur, refugjatë dhe miliona të vdekur që nga LPB e deri në LDB.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button