Ende nuk ka rezultate për dëmtimin e gypave të oksigjenit në Spitalin e Tetovës

Ende nuk janë bërë publike rezultatet e hetimeve për rastin e dëmtimit të gypave të oksigjenit në Spitalin e Tetovës. Asnjë person nuk është identifikuar ende dhe nuk është vënë para organeve të rendit. Nuk dihet nëse policia ka arritur që deri diku të bie në gjurmë të autorit ose autorëve dhe nuk dihen motivet e për kryerjen e rastit. Nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë  nuk japin shumë detaje, duke u arsyetuar se nuk duan të dëmtojnë hetimin, shkruan Alsat, transmeton Portalb.mk.

Marjan Josifoski, zëdhënës nga SPB Tetovë tha se punët për zbardhjen e rastit vazhdojnë.

“Deri më sot janë realizuar biseda me shumë të punësuar në spital dhe persona të tjerë nga rrethi dhe vazhdojmë punën për gjetjen e autorëve apo autorit. Me kërkesë të menaxhmentit të Spitalit klinik, është rritur dukshëm prezenca e policisë në objekte, me qëllim parandalimin apo sanksionimin e prishjes së rrjedhës normale të punës së spitalit. Siç përmenda, në vijë janë më tepër aktivitete dhe në interes të mos zbulimit të më shumë detajeve deri më tani do përmbahemi nga informatat shtesë”, tha Josifoski.

Nga MPB Tetovë edhe para tre ditëve për Portalb.mk konfirmuan se prania e policisë në këto ditë do të rritet ndjeshëm, në mënyrë që të shmangen incidentet e këtij lloji.

LEXO: Nga sot është rritur prania e policisë rreth Spitalit Klinik të Tetovës

Gzim Nuredini, nga Covid qendra në Tetovë tha se është mire që sa më shpejtë të zbardhet rasti dhe se e kanë në plan ta izolojnë vendin në mënyrë që e njëjta mos të përsëritet.

“Sigurisht që do ishte mirë që sa më shpejtë të dimë se çka ndodhur që të mos përsëriten rastet e këtilla. Sa i përket punës tonë ne tani jemi më syçelë që të mos na ndodhin raste të këtilla. Tani ne kemi edhe plan si ta izolojmë vendin në mënyrë sa më hermetike që të jemi rehat se nuk do të përsëritet e njëjta gjë”, tha Nuredini.

Mëngjesin e 23 gushtit ndërmjet orës shtatë dhe tetë, disa autorë të panjohur janë munduar që me mjete të forta të presin gypat e oksigjenit të Spitalit të Tetovës, me këtë veprim u rrezikuan pacientët që marrin terapinë e oksigjenit, që njëherit ishin edhe me Covid-19. Tragjedia u shmang pasi autorët kanë dëmtuar vetëm dy gypa të oksigjenit të cilat kanë qenë furnizues të sallave të operacionit të klinikës së re të cilat ende nuk janë të lëshuara në përdorim. Po të ishte prerë gypi i tretë apo ai kryesor, gjendja e më shumë se 120 pacientëve do të ishte në rrezik, dhe në kohë rekorde do duhej të transferoheshin në spitale tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button