KB Shkupi e KB Shkëndija luftë në dy fronte

Të shtunën në Shtip është mbajtur xhiroja e parë e kampionatit të Maqedonisë në boks, ku pjesëmarrës ishin edhe anëtarët e KB Shkupi. Në këtë kampionat ku pjesëmarrës ishin shumë klube nga vendi, nga klubet shqiptare pjesëmarrës ishin edhe KB Shkëndija nga Tetova.

Fitore shumë të rëndësishme për KB Shkupi kanë shënuar Ramadan Tahiri i cili ishte më i mirë se Sërbinovski i KB “Branitelli” nga Manastiri, Sinan Xheladini e fitoi Stojçevskin nga Shtipi. Talenti më i madh i KB Shkupi Hajdin Ferati nuk kishte kundërshtar, ndërsa disfatë kanë pësuar Afet Hajredini, Adil Bajrami dhe Afrim Mirati.

Trajneri i KB Shkupi Naser Haruni është shprehur i kënaqur nga paraqitja e boksierëve të tij, por jo edhe nga referimi i gjyqtarëve. “Djemt e mi kanë luftuar me shpirt, por është e vështirë të luftosh në dy frone, edhe në ring kundër boksierëve, ndërsa jasht kundër gjyqtarëve. Ne shpresojmë se këto padrejtësi nuk do të jenë në xhirot e radhës, pasi që vërtet nuk është e mundur të jesh konkurrues”, ka thënë për “Portalb”, trajneri Haruni. 

Nga ana tjetër edhe KB Shkëndija nga Tetova në xhiron e parë u paraqit me katër boksier, Besar Garipi në peshën 54 kg, i cili u mposht nga Marko Petrov i KB Bargalla me rezultat 2:0. Lulzim Ismaili në kategorinë e kadetëve pesha 60kg mposhi boksierin e KB “Univerzalci” Kostadin Peshovski me rezultat 2:0 dhe Kajreman Alija demoloi boksierin e KB “Ohrid” Dimitar Jovanovski me rezultat 3:0. Lulëzim Bajrami në kategorinë e kadetëve në peshën 80 kg nuk pati kundërshtarë. 

Xhiroja e dytë do të jetë në muajin maj, ndërsa nikoqir është KB “Branitelli” nga Manastiri./ Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button