fbpx

Gratë e pambrojtura vriten në Kosovë

Një vrasje tjetër e një gruaje në qytetin e Ferizajt në Kosovë e ka alarmuar sërish shoqërinë për dhunën në familje. Kjo është vetëm një nga tri vrasjet e grave brenda një viti si pasojë e dhunës në familje. Një 18 vjeçare është lënë pa shenja jete para spitalit të këtij qyteti nga dy persona që ishin larguar pa gjurmë. Policia arrestoi të dyshuarit dhe u kuptua se i dyshuari kryesor ishte burri i saj. Qytetarët organizuan protesta që të ngritin vetëdijen qytetare ndaj këtij fenomeni, shkruan DW, transmeton Portalb.mk.

Opinioni publik në Kosovë i shokuar nga ky rast shprehu indinjatën duke organizuar disa protesta në qytetin e ngjarjes makabre si dhe në Prishtinë.

Protesta kundër vrasjes së 18 vjeçares nisi fillimisht para stacionit policor dhe prokurorisë në qytetin e Ferizajt, duke vazhduar edhe disa ditë para Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Protesta në Kosovë për vrasjen e 18 vjeçares, foto: Vjosa Çerkini
Protesta në Kosovë për vrasjen e 18 vjeçares, foto: Vjosa Çerkini

Dhuna ndaj grave justifikohet

Protestuesit kanë shprehur revoltën me akuza se institucionet e vendit nuk bëjnë mjaftueshëm për parandalimin e rasteve të tilla. Bashkëshorti dhe i arrestuari për vrasje, D.K., ishte i njohur për organet e sigurisë në Kosovë pasi kishte kryer më parë vepra të ndryshme penale si i mitur, por edhe një vepër tentim vrasje ndaj një efektivi të Policisë së Kosovës të cilin e kishte sulmuar me thikë në vitin 2013. Por, ky rast ende nuk kishte marrë epilog nga gjykata në Kosovë dhe ai mbrohej në liri.

Valmira Rashiti, nga Rrjeti i Grave të Kosovës, thotë se trajtimi jo serioz i rasteve të tilla shpesh sjell deri tek fundi fatal.

“Përderisa dhuna ndaj grave dhe vajzave arsyetohet si në familje, si nga punonjës të policisë, prokurorisë etj. normalisht që ndodhin edhe raste të tilla. Trajtimi që iu bëhet rasteve të dhunës në baza gjinore deri më tani është totalisht jo serioz. Rastet e dhunës në baza gjinore duhet të trajtohen me kohë nga institucionet përkatëse dhe jo të pritet fataliteti”, tha Rashiti.

Protesta në Kosovë për vrasjen e 18 vjeçares, foto: Vjosa Çerkini
Protesta në Kosovë për vrasjen e 18 vjeçares, foto: Vjosa Çerkini

Mosndëshkueshmëria e kriminelëve recidivistë kulmon deri në fatalitet 

Brenda këtij viti në Kosovë janë shënuar 3 raste të vrasjeve në familje, ku viktima kanë qenë gratë. Dy nga këto raste ishin gra të cilat janë vrarë nga bashkëshortët.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës përveç vrasjeve që kanë ndodhur gjatë këtij viti, 1374 raste janë raportuar për dhunë në familje, ku 1063 nga to, viktima kanë qenë femrat.

Sociologia Bukurije Rrustemi, thekson se dhuna në familje, konkretisht vrasja e grave, është bërë fenomen shqetësues dhe alarmues.

“Vrasja e grave dhe vajzave në shoqërinë tonë është një dukuri e shpeshtë, fatkeqësisht e kjo po vjen duke u rritur viteve të fundit. Dhuna në familje fatkeqësisht po vazhdon të trajtohet si një çështje private dhe e izoluar pa pasur trajtimin e duhur nga institucionet e sigurisë dhe shtetit. Në shumë raste shkaktarët e dhunës nuk marrin as dënim minimal, kjo natyrshëm stimulon nxitjen e rasteve të tjera të dhunës në familje.”, tha Rrustemi.

Rasti i mosndëshkueshmërisë së kriminelëve recidivistë është edhe ai i të dyshuarit kryesor në rastin e vrasjes së 18 vjeçares, i cili ishte emër i njohur për policinë edhe më parë për vepra të tjera penale. Megjithatë, ai ishte i lirë.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës, dënimin më të rëndë për vrasje parasheh dënimin me burgim të përjetshëm. Këtë vit një dënim të tillë e mori Naser Pajazitaj vrasësi i 22 vjeçares Donjeta Pajazitaj. Megjithatë vrasjet e grave dhe vajzave nuk po ndalen.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile gjatë protestave në Ferizaj dhe Prishtinë kanë kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme që femicidi të trajtohet si urgjencë kombëtare, si dhe të merren masa ndaj çdo nënpunësi të institucioneve i cili neglizhon rastet e dhunës në familje.

Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla lidhur me rastin e kriminelit recidivist, Dardan Krivaqa ka kërkuar që të bëhen inspektime dhe të kërkohet llogari se si një recidivist i veprave penale ishte i lirë.

“Së pari do të kemi programe parandaluese dhe do të kërkojmë llogaridhënie nga të gjitha insitucionet në mënyrë që të ndalemi me këto praktika ku kriminelët janë të pandëshkueshëm. Rasti në fjalë e dëshmon këtë. Ndëshkueshmëria e kriminelëve në këto raste normalisht që e parandalon që këto raste të përsëriten”, tha ministri Sveçla. 

Protesta në Kosovë për vrasjen e 18 vjeçares, foto: Vjosa Çerkini
Protesta në Kosovë për vrasjen e 18 vjeçares, foto: Vjosa Çerkini

Viktimat gjykohen, vrasësit arsyetohen

Nga ana tjetër, qytetarët shprehin revoltën e tyre ndaj trajtimit jonjerëzor të grave dhe vajzave në shoqëri. Ndryshimi sipas tyre duhet të ndodhë tani.

“Shoqëria duhet ta largoj patriarkalitetin si normë shoqërore, sepse mjaft kemi humbur gra dhe vajza. Nuk duam që të humbim edhe më tutje”, tha Nol Musa.

Aktivistët për të drejtat e grave theksojnë se gratë ende vazhdojnë të konsiderohen si nderi i familjes në Kosovë. Në të shumtën e rasteve vrasjet kanë ndodhur për arsye të xhelozisë dhe kryesisht motive të tjera të ulëta.

“Çfarë shoqëria kosovare duhet të ndryshojë është ndalimi i fajësimit të viktimës parimisht. Siç po e shohim ende ka tendeca për ta fajësuar viktimën, ende ka tendenca për ta relativizuar fajin e abuzuesve dhe fajin e dorasve, vrasësve të grave duke u munduar që të gjejnë shkak ose fajësi tek viktima”, tha aktivistja Rashiti.

Sipas të dhënave të Policisë gjatë vitit 2020 janë raportuar 5 raste të vrasjeve në familje ku viktima kanë qenë gjinia femërore. Për vrasjet e Dafina Zhubit, Diana Kastratit, Antigona Morinës e shumë grave të tjera edhe pse vrasësit dihen ende askush nuk është burgosur deri më tani. Në vitin 2019 një vajzë e mitur nga Drenasi teksa e ka denoncuar rastin e përdhunimit të saj nga profesori i shkollës së mesme nuk u mor fare seriozisht nga policia. Ajo madje u dhunua seksualisht edhe nga polici, i cili po e hetonte rastin. Kjo tregon edhe njëherë për neglizhimin e rasteve të vrasjeve, përdhunimeve të grave në Kosovë.

Aktivistët thonë se institucionet duhet të punojnë më seriozisht për të mbrojtur viktimat. Por, edhe për të hequr stigmën e madhe që i ndjek rastet qoftë nga vet institucionet dhe nga opinion i gjerë.

“Shpesh këto raste arsyetohen si raste të xhelozisë, dashurisë dhe arsyetime të kota që janë rrënjësisht patriarkale. Ne kërkojmë që shoqëria ta pranojë fajin e dorasve, t’i marrë këto raste seriozisht, e jo t’i mohojë ato”, theksoi aktivistja Rashiti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button