SHBA sulmoi me dron individët e Shtetit Islamik në Afganistan

Më pak se 48 orë pas shpërthimit vdekjeprurës pranë aeroportit të Kabulit, forcat ushtarake amerikane u kundërpërgjigjën me një sulm me dron dje ndaj degës afgane të Shtetit Islamik të njohur si Shteti Islamik Khorasan, ose ISIS -K. Sulmi amerikan vuri në shënjestër një person për të cilin ushtria beson se ishte përgjegjës për planifikimin e sulmit vdekjeprurës ndaj Shteteve të Bashkuara në Kabul, shkruan Zëri i Amerikës, transmeton Portalb.mk.

Një zëdhënës i Komandës Qendrore të SHBA-së tha se sulmi ajror pa pilot ndodhi në Provincën Nangarhar të Afganistanit.

“Vlerësimet paraprake tregojnë se ne e kemi asgjesuar objektivin. Dimë që nuk ka viktima civile. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse personi i shënjestruar ishte përfshirë në planifikimin e sulmit në aeroportin e Kabulit”, tha ai.

ISIS-K ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin vdekjeprurës në perimetrin e aeroportit të Kabulit të enjten, në të cilin u vranë të paktën 170 afganë dhe 13 anëtarë të shërbimit amerikan.

Dje, Ambasada Amerikane u bëri thirrje qytetarëve amerikanë që të qëndrojnë larg aeroportit të Kabulit për shkak të kërcënimeve të sigurisë dhe të largohen menjëherë nëse janë pranë ndonjë prej katër portave të aeroportit, sipas një deklarate në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha të premten se zyrtarët amerikanë mendonin se një sulm tjetër terrorist në Kabul ishte “i mundshëm”.

Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby dje në një konferencë tha se SHBA beson se ka kërcënime të tjera “specifike, të besueshme” kundër aeroportit, duke vënë në dukje se “ne jemi të përgatitur dhe presim përpjekje të tjera”.

Kërcënimet e sigurisë e kanë bërë më të vështirë evakuimin e amerikanëve dhe disa afganëve.

“Nuk duket të ketë ndonjë përpjekje të bashkërenduar për të nxjerrë mbajtësit e Vizave Imigruese Speciale”, tha një zyrtar i Departamentit të Shtetit nga Aeroporti Ndërkombëtar Hamid Karzai.

Departamenti është ende duke u përpjekur të evakuojë stafin e ambasadës, qytetarët amerikanë dhe banorët e përhershëm të ligjshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button