Mickoski: Marrëveshja me ASh-AAA është hap historik, LSDM: Ky është koalicion nga askund, kurse BDI e quan “Koalicioni 27”

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski gjatë vizitës në Berovë potencoi se bashkëpunimi me Aleancën për Shqiptarët dhe Alternativën është një hap historik si për VMRO-DPMNE-në ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut.  Nga LSDM thonë se ky “koalicion është nga askund” i cili është i dënuar paraprakisht për humbje dhe disfatë. BDI e quan “Koalicioni 27”, transmeton Portalb.mk.

Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, sot në Berovë foli për marrëveshjen e bashkëpunimit me Zijadin Selën dhe Afrim Gashin në zgjedhjet e ardhshme lokale ku do të mbështesin njëra tjetrën.

“Ne formuam një koalicion para rrethit të parë të zgjedhjeve lokale në qytete të caktuara. Ne do të mbështesim njëri -tjetrin në disa komuna, në nivelin e kandidatëve për kryetarë komune. Kemi rënë dakord që aty ku koalicioni Alternativa / Aleanca do të ketë kandidat, VMRO-DPMNE nuk do të kandidojë dhe anasjelltas. Natyrisht, në ato komuna ku është dakorduar ai bashkëpunim”, tha Mickoski.

Sipas Mickoski, bashkëpunimi me Aleancën për Shqiptarët dhe Alternativën është një hap historik, siç thotë ai, për VMRO-DPMNE-në, por edhe për Maqedoninë.

“Unë pres që ky koalicion të kapërcejë përçarjet, pashpresën, krimin, korrupsionin, mungesën e ideve, paaftësinë, mungesën e vizionit dhe strategjisë për zhvillimin e Maqedonisë, një moment historik për të gjithë qytetarët pavarësisht nga përkatësia etnike, për të treguar se Maqedonia vërtet ka mundësi me politikanët tjerë të cilët janë jashtë matricës së LSDM -së dhe BDI -së dhe që mund të jetë ndryshe ”, tha Mickoski.

Nga ana tjetër, LSDM sot reagoi ndaj koalicionit mes VMRO-DPMNE-së me Aleancën dhe Alternativën për zgjedhjet lokale, duke vlerësuar se është “një koalicion nga askund, i cili është i dënuar paraprakisht për humbje dhe disfatë”.

“Mickoski është aq i frikësuar sa promovon një koalicion me të njëjtët njerëz që ai i quajti tradhtarë, ata që sipas VMRO-DPMNE nuk e njohin identitetin maqedonas, dhe Selën të cilin anëtarët e tij të VMRO-DPMNE e tërhoqën me forcë në Parlament dhe i shkaktuan plagë të përgjakshme të rrezikshme për jetën më 27 prill. A u ka thënë Mickoski Selës dhe Gashit se ai dëshiron që Marrëveshja e Prespës të anulohet? “A u tha atyre se ishte kundër Ligjit për Gjuhët? A u tha atyre se çfarë po kërkonte në Parlament më 27 Prill?”, thuhet në reagimin e LSDM -së.

BDI-ja koalicionin opozitar e ka quajtur “Koalicioni 27″, ku nuk janë konsideruar votuesit e tyre.

“Asnjë votues i Alternativës dhe i Aleancës nuk është pyetur nëse është i lumtur dhe entuziast që të shkrihet, voton dhe të bën fushatë për VMRO–DPMNE-në dhe anasjalltes. Nga reagimet publike, shihet që votuesit e tyre janë të shokuar me ndryshimin radikal ideologjik të Gashit dhe Selës”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Kurse lideri i BDI, Ali Ahmeti në një inetvistë për ABC News tha se ata të cilët i kritikonin sot i kanë bërë miq.

“Mirë është që ata komunikojnë, por të kaluarën të mos e harrojnë sepse gati 10 vite më kanë lodhuar mua, por e kanë lodhur edhe popullatën se si unë bashkëpunoj dhe bashkëqeveris me kriminelë siç është partia e VMRO-së. Kështu që bëjnë mirë. Le të jetë kjo një shkollë që është politikë ditore dhe të mos merren me deklarata, me prononcime aq ekstreme për shembull që i kanë bërë tash e para 10 vitesh, 5 ose 7 vitesh, sepse nuk e heqshin nga rendi i ditës që unë bashkëqeveris me një parti kriminele siç ishte VMRO-DPMNE. Tani, për çështje të interesave të politikave ditore po bëjnë, me ato kriminelët me të cilët isha unë, ti sot po i bën miq”, tha Ahmeti 

Para disa ditëve u takuan partitë opozitare ASh, AAA dhe VMRO-DPMNEku vendosën për bashkëpunim dhe mbështetje reciproke të kandidatëve për kryetarë komunash në zgjedhjet lokale të tetorit

Ndryshe, zgjedhjet lokale në RMV do të mbahen më 17 tetor të këtij viti, kurse fushata parazgjedhore do të fillojnë 20 ditë para datës së zgjedhjeve.

LEXO: Aleanca për Shqiptarët dhe AlternAtivA do të bashkëpunojnë me VMRO – DPMNE-në për zgjedhjet lokale

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button