Para shtëpisë së Thaçit: ‘Këtu banon një hajn’

Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! organizuan sot aksionin simbolik “Këtu banon një hajn!”, duke vendosur tabela treguese që tregojnë drejtimin se nga gjenden banesat e kryeministrit dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik. Këto tabela u vendosën në shtëpitë e Hashim Thaçit dhe ministrit, Besim Beqaj. 

“Jemi këtu përballë vendit ku banon përkohësisht, derisa të ndërtohet shtëpia e tij luksoze, kryehajni dhe kryenegociatori i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai, po i udhëheq e përkrah edhe hajnat tjerë, Bajram Rexhepin e Besim Beqajn. I pari, ministër i skandaleve e i keqpërdorimeve milionëshe ne MPB, i dyti, si shpronësues i qytetarëve të Kosovës, apo shitës i pasurisë publike e shoqërore përmes tenderëve të dyshimtë”, ka thënë aktivisti Frashër Krasniqi.

Sipas tij, përmes procesit të privatizimit, qeveritarët “po e shesin dhe po e vjedhin Kosovën duke i bërë milionat për vete”

“Distribucioni i Kosovës, u shit për vetëm 26 milion euro, apo për 2 km asfalt. Përmes këtij privatizimi, u kalua nga monopoli shtetëror në monopol privat, me pretekstin e ekonomisë së tregut të lirë, apo siç shprehen ata vetë “ekonomisë së lirë të tregut. 75% të aksioneve të PTK-së, apo më saktësisht, pjesa fitimprurëse e PTK-së, po shitet për 242 milion euro, apo rreth 25km asfalt. Në të njëjtën rrugë po shkon edhe gjiganti metalurgjik i Kosovës, Trepça”, ka shtuar Krasniqi./Indeksonline/

Lajme të ngjashme

Back to top button