Osmani u takua me diplomatët e diasporës

Nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) njoftojnë se ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, u takua me dy të sapo-zgjedhurit “diplomatë për diasporën”, Nikola Gjorçev dhe Semra Ramadani, para nisjes së tyre për në Nju-Jork dhe Oslo, në Përfaqësitë Diplomatiko Konsullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku do të ushtrojnë detyrat e tyre të reja, transmeton Portalb.mk.

Nga MPJ thanë se Osmani e mori këtë vendim, për emërim dhe dërgim të diplomatëve të posaçëm që do të kujdesen për diasporën duke u bazuar në nevojat qytetarëve tanë atje.

“Ju pret një detyrë e posaçme, por edhe një shans i madh, që duhet ta shfrytëzoni për projekte të suksesshme. Pres që me përkushtim t’i kryeni angazhimet që po i merrni përsipër, e që janë në drejtim të ndihmës, kujdesit dhe avancimit të lidhjes së shtetit me diasporën. Ky bashkëpunim është nevojë, por edhe detyrim yni për këtë kategori të qytetarëve”, tha Osmani.

Në njoftim thuhet se ‘Diplomatët për diasporën’ do të punojnë në drejtim të evidentimit të strukturës demografike dhe shtrirjes hapësinore të diasporës, për krijimin e një data-baze të dhënash për këtë pjesë të bashkë-vendasve tanë, përfshirë arsimimin dhe veprimtarinë e tyre, vendosjen e komunikimit formal, organizativ, koordinativ dhe aktiv mes diasporës dhe shtetit amë. Këta diplomatë do të angazhohen për: përfshirje më të madhe politike dhe realizimin e të drejtave qytetare dhe sociale në diasporë; ndërtimin e mirëbësimit dhe vendosjen e bashkëpunimit efektiv me shtetin, vendosjen e bashkëpunimit ekonomik të shtetit me diasporën në fusha të ndryshme, bazuar në partneritet, mundësi të njëjta dhe me interes të ndërsjellë, zgjerimin e bashkëpunimit me diasporën në fushën e arsimit, shkencës dhe të rinjve dhe thellimin e lidhjeve kulturore me diasporën në fusha të ndryshe për ruajtjen e identitetit dhe të trashëgimisë kulturore.

Nga MPJ thanë se qëllimi i këtij projekti është që këta diplomatë të kontribuojnë për forcimin e lidhjeve ndërmjet diasporës dhe atdheut dhe të krijohen rrjete për përmbushjen e nevojave të diasporës.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button