Hapja e vonshme e pikave shtesë të vaksinimit në Tetovë, zyrtarët pa përgjigje konkrete (VIDEO)

Para dy ditëve është lëshuar në funksion pika e re e vaksinimit në Tetovë te Muzeu Kombëtar dhe pritet të hapet pika e vaksinimit edhe në fshatin Poroj. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teua Arifi tha se punohet intensivisht edhe për pikën e tretë në Pallatin e Kulturës që do përdoret për rivaksinim. Se pse këto pika vaksinimi hapen kaq vonë Arifi tha se dy pikat ekzistuese nuk kanë qenë vetëm për Tetovën, por i gjithë rajoni është vaksinuar atje. Nga ana tjetër, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se në asnjë moment nuk e kanë parë se ka presion për të hapur pika shtesë vaksinimi, shkruan Portalb.mk.

Para dy ditëve janë lëshuar dy pikat e reja të vaksinimit në Tetovë, gjegjësisht te Muzeu Kombëtar dhe në fshatin Poroj, sipas kryetares së Komunës së Tetovës po punohet intesivisht edhe për pikën e vaksinimit në Pallatin e Kulturës ku do të bëhet rivaksinimi.

Në pyetjen e Portalb.mk se pse kaq vonë u hapën pikat shtesë të vaksinimit në Tetovë, duke pasur parasysh pritjet e gjata të qytetarëve nëpër pikat e vaksinimit, Teuta Arifi tha se dy pikat ekzistuese nuk kanë qenë vetëm për Tetovën, por i gjithë rajoni është vaksinuar atje dhe për këtë kanë kërkuar nga Qeveria gapjen e pikave të reja të vaksinimit.

Teuta Arifi, foto: Portalb.mk/Fisnik Xhelili
Teuta Arifi, foto: Portalb.mk/Fisnik Xhelili

“Tetova ka qenë qendra e vetme e cila ka pasur pikë vaksinimi edhe atë përsëri me insistimin tone, domethënë njëra pikë te qendra për shëndet publik dhe tjetra është te shkolla e mjekësisë. Duke pasur parasysh faktin që vlerësimi jonë ka qenë që këto pika janë rajonale dhe nuk kanë qenë vetëm për Tetovën, por i gjithë rajoni vaksinohet këtu ne kemi kërkuar që Qeveria të hap pika vaksinimi në gjithë komunat përreth me qëllim që të shkarkohet Tetova dhe në të njëjtën kohë kemi shtuar edhe më shumë pika për shkak se kemi shtuar edhe fushatën për vaksinim”, tha Teuta Arifi.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe për Portalb.mk tha se në asnjë moment nuk e kanë parë se ka pasur aq presion që të kishte nevojë për hapjen e punkteve shtesë.

Venko Filipçe, foto: Portalb.mk/Fisnik Xhelili
Venko Filipçe, foto: Portalb.mk/Fisnik Xhelili

“Në asnjë moment nuk pamë se kishte aq shumë presion që të kishte nevojë dhe gjithçka ishte menaxhuar brenda stafit që ishte në dispozicion. Një pjesë e mirë e personelit shëndetësor ishte me pushime, kështu që ne i ndërpremë pushimet diku dhe ata që nuk morën pushim nga puna u kthyen vullnetarisht në punë, për tu hapur punktet, me këtë mekanizëm u hap punkti në sallën Boris Trajkovski në Shkup”, tha Filipçe.

Megjithatë, në periudhën e fundit në dy pikat e vaksinimit në Tetovë ka pasur turma të mëdha njerëzish për tu vaksinuar, madje edhe nga ata që kanë pritur nga mëngjesi e deri në orët e pasdites për t’u vaksinuar. Por, Filipçe nuk u përgjigj për këtë pjesë.

I pyetur për atë se ku do të gjendet kuadri për pesë pikat e vaksinimit në Tetovë, Filipçe tha se pushimet u ndërprenë dhe stafi mjekësor është kthyer në punë dhe brenda kësaj po bëhet një riorganizim.

Ndryshe, Tetova ende vazhdon të jetë në gjendje kritike për sa i përket situatës me Covid-19. Gjatë ditës së djeshme, sipas Dr.Gzim Nuredinit nga Covid qendra,  pesë persona humbën jetën, kurse numri i pacientëve të hospitalizuar ka qenë 124, 123 me terapi oksigjen dhe një në respirator, ndërsa numri i kontrolleve ambullantore ka qenë 175.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button