fbpx

SHBA-ja paralajmëroi që deri në minutat e fundit do të ketë evakuim në Afganistan

Shtetet e Bashkuara thonë se do të vazhdojnë evakuimet e personelit dhe bashkëpunëtorve afganë deri më 31 gusht, raporton REL.

“Ne do të jemi në gjendje t’i largojmë të evakuuarit deri në minutën e fundit”, tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.

Pentagoni njoftoi të premten se 5.400 njerëz janë brenda aeroportit të Kabulit në pritje të evakuimit nga Afganistani, një ditë pas një sulmi vdekjeprurës nga grupi ekstremist Shteti Islamik. Gjenerali i Ushtrisë amerikane, Hank Taylor, tha se në 24 orët e fundit 12,500 njerëz janë evakuuar përmes 89 fluturimeve amerikane dhe të koalicionit.

Sulmi vetëvrasës me bombë që ndodhi më 26 gusht në afërsi të aeroportit të Kabulit la të vrarë shumë njerëz përfshirë 13 trupa amerikane. Përgjegjësinë e sulmeve e mori grupi ekstremist Shteti Islamik (IS).

Ushtria amerikanë thotë se vetëm një sulmues vetëvrasës kreu sulmin vdekjeprurës në aeroportin e Kabulit, duke korrigjuar vlerësimin e mëparshëm se kishte dy bombardues dhe dy shpërthime të ndara.

“Ne nuk besojmë se ka pasur një shpërthim të dytë në ose afër hotelit Baron, ishte një sulmues vetëvrasës”, tha gjenerali Taylor.

Shtetet e Bashkuara kanë koordinuar evakuimet me talibanët që kur kryengritësit morën kontrollin e Kabulit në fillim të këtij muaji. Shtëpia e Bardhë tha se rreth 105,000 njerëz ishin evakuuar midis 14 dhe 26 gushtit.

Shumica e më shumë se 20 vendeve aleate të përfshira në transportimin e afganëve dhe qytetarëve të tyre jashtë Kabulit thanë se kishin përfunduar evakuimet deri më 27 gusht. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka marrë vendim për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani në muajin prill, pas 20 vjetësh prani në këtë vend.

Pas SHBA-së, NATO ka njoftuar se të gjitha trupat ndërkombëtare do të tërhiqen nga Afganistani. Biden fillimisht ka caktuar 11 shtatorin si afat për tërheqjet e fundit, por më vonë e ka zhvendosur këtë datë më 31 gusht.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button