fbpx

Kush ka imunitet më të mirë, personat e vaksinuar apo ata që e kanë kaluar Kovidin?

Vendimi i fundit i Qeverisë për të lejuar hyrjen pa kufizime në objekte dhe evente në mjedise të hapura për qytetarët që e kanë kaluar kovidin maksimum deri në 45 ditë më parë, hasi në reagime të ashpra nga një pjesë e komunitetit mjekësor. Po diskutohet ashpër për atë se cili imunitet është më i mirë dhe zgjat më shumë, ai i krijuar pas kalimit të sëmundjes apo ai pas vaksinimit. Disa profesionistë mjekësorë në vend besojnë se periudha prej 45 ditësh është shumë e shkurtër dhe se qytetarët që e kanë kaluar këtë sëmundje kanë mbrojtje natyrore dhe nuk kanë nevojë për vaksinë. Por ka edhe studime shkencore dhe qëndrime të institucioneve shëndetësore përkatëse që sugjerojnë vaksinim sa më shpejt të jetë e mundur pas kalimit të sëmundjes, raporton Vërtetmatësi.

Shkruan: Mirosllava Burns

Është e qartë se ata që kanë kaluar kovidin, kanë imunitet, pra antitrupa. Por, sipas ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, pas një kohe të caktuar imuniteti nga sëmundja fillon të bjerë. Prandaj, rekomandohet marrja e vaksinës, e cila përforcon imunitetin të fituar tashmë nga sëmundja.

Ajo që dimë është se imuniteti ndaj vaksinës na mbron më shumë se ai i fituar nga sëmundja ngjitëse. Ka një studim sipas të cilit rreziku nga sëmundja për personat e vaksinuar është 0.07 %, ndërkohë që për ata që e kanë kaluar sëmundjen 1.2 %. Që do të thotë se rreziku për ata është më i  madh. Prandaj rekomandojmë pranimin e vaksinës sa më shpejt të jetë e mundur pas kalimit të sëmundjes, për rreth 45 ditë. Kjo paraqet një mbrojtje shtesë për shëndetin e qytetarëve.  Qendra Amerikane CDC rekomandon që pacientëve asimptomatikë vaksina t’u jepet 10 ditë pas testit. Të gjitha studimet të mëdha e serioze të zbatuara tek një numër i madh i pjesëmarrësve e mbështesin këtë dhe ky është edhe qëndrimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Që sa më parë të pranohet vaksina, aq më e madhe do të jetë mbrojtja e shëndetit, deklaroi Filipçe.

Profesori i Fakultetit të mjekësisë, doktori Nikolla Panovski mendon se vaksinimi menjëherë pas kalimit të sëmundjes (45 ditë) nuk është i nevojshëm. Ai e ndau grafikun në vazhdim dhe shkroi:

Ja, nga vitit i dytë i studimeve të mjekësisë, një gjë që  e dinë të gjithë studentët, le të thonë ekspertët në të cilët thirret ministri i shëndetësisë. Antitrupat mbrojtëse IgG janë treguar me vijën e zezë. 12 javë janë lartë, dhe mbeten lartë. Ju i detyroni të vaksinohen deri në javën e shtatë, atëherë kur imuniteti është më i fuqishëm. Pse të vaksinohen në periudhën kur imunitetit i tyre natyror është më i fuqishëm?, pyet doktori Panovski.

Ai thekson se në botë ka vende që rekomandojnë vaksinim të personave që e kanë kaluar kovidin pas 9, madje edhe pas 12 muajve pasi e kanë kaluar sëmundjen. Si shembull e merr faktin që në Zvicër mund të shkohet me dokument i cili dëshmon se e keni kaluar sëmundjen deri më 12 muaj më parë, si dhe se në vendet e BE-së mund të udhëtohet edhe pa e pranuar vaksinën.

Profesori në Fakultetin e mjekësisë, doktori Dragan Danillovski në një deklaratë për „Vërtetmatësin“ prezantoi një  studim si dëshmi se imuniteti i fituar pas kalimit të sëmundjes zgjat më shumë dhe është më i fuqishëm se sa imuniteti i fituar nga vaksinat.

Në studim janë përfshirë gjithsej 2.653 persona, të vaksinuar me dy doza të vaksinës dhe  4.361 persona që e kanë kaluar sëmundjen. Numër më i madh i antitrupave janë vënë re tek personat e vaksinuar pas pranimit të dozës së dytë, se sa tek personat që  kanë kaluar sëmundjen. Megjithatë, tek personat e vaksinuar, numri i antitrupave për çdo muaj ka shënuar rënie për 40%, ndërsa tek personat që e kanë kaluar sëmundjen kjo rënie ka qenë 5%.

Gjashtë muaj pas vaksinimit, tek 16.1 % e të vaksinuarve niveli i antitrupave ka qenë nën nivelin që tregon seropozitivitet, ndërsa tek 10.8 i njëjti nivel është arritur 9 muaj pas kalimit të sëmundjes. Përfundimi i studimit është se individët e vaksinuar me vaksinën „Pfizer“ kanë kinetikë të ndryshme të niveleve të antitrupave krahasuar me ata që e kanë kaluar sëmundjen me nivele fillestare më të larta. Tek personat e vaksinuar numri i antitrupave bie shpejt në mënyrë eksponenciale.

Doktori Zllate Mehmedoviq për „Vërtetmatësin“ thotë pretendimet se kalimi i sëmundjes gjithmonë u jep një imunitet më efikas dhe më afatgjatë se sa ai që krijohet nga vaksina, nuk janë të vërteta.

Në raste të caktuara kalimi i sëmundjes mundëson imunitet më të mirë, ndërsa në raste të tjera janë vaksinat ato që japin një imunitet më cilësor. Një shembull i mirë për këtë është infeksioni me HPV. Sa i përket infeksionit me HPV, imuniteti i fituar nga vaksina është më i fuqishëm se sa imuniteti natyror. Sipas parimit të njëjtë funksionojnë edhe vaksinat kundër tetanozit, kundër haemophilus influenzae tipi (Hib) dhe pneumokokut që shkaktojnë një reagim imunologjik më të mirë se sa infektimi, pra nga imuniteti natyror. Do kisha veçuar dy studime që vërtetojnë se imuniteti i fituar me vaksinim kundër Sars Cov 2 është më i mirë, ose thënë më mirë, më cilësor se sa imuniteti i fituar pas kalimit të sëmundjes. Përveç kësaj dua të përmend se me studimet nuk dëshmohet se pas kalimit të sëmundjes nuk do të keni kurrëfarë imuniteti, por se të vaksinuarit kanë imunitet shumë më të mirë dhe më cilësor se sa personat e vaksinuar me koronavirus, thotë doktori Mehmedoviq.

Ai shton se mbi bazë të këtyre të dhënave duhet të krijohen politika shëndetësore publike që do kenë për qëllim përmirësimin e imunitetit kolektiv përmes procesit të imunizimit tek personat që e kanë kaluar, por para së gjithash tek ato që nuk e kanë kaluar ende sëmundjen e Kovid-19.

Studimin e parë të cilin e thekson është ai i Qendrës për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve të realizuar në gusht të këtij viti.

Sipas një hulumtimi të realizuar në Kentaki, tek personat e pavaksinuar por që e kanë kaluar sëmundjen, rreziku nga reinfektimi ka qenë për 2.34 herë më i madh se tek personat e vaksinuar me dy doza. Duke u bazuar në këto të dhëna, CDC rekomandon që të bëhet vaksinim me dy doza i atyre që e kanë kaluar kovidin si mbrojtje shtesë nga reinfektimi. Stydimi i dytë ka të bëjë me antitrupat. Po diskutohet gjerësisht për RLD (receptorët lidhës të domenit) antitrupat dhe pikërisht në këtë studim bëhet krahasimi i cilësisë së imunitetit tek personat e vaksinuar me atë të personave që e kanë kaluar sëmundjen, me ndihmën e RLD antitrupat.

 Në studimin e mbështetur nga Institutet kombëtare të shëndetit në SHBA dëshmohet se imuniteti ndryshon në varësi të asaj se si janë krijuar antitrupat kundër Sars Cov 2 tek një individ, pra nëse ato antitrupa janë rezultat i një infektimi natyror ose janë fituar pas vaksinimit kundër Sars Cov 2. Provat tregojnë se antitrupat e krijuara si reagim ndaj vaksinës targetojnë në mënyrë efikase më shumë lloje të virusit Sars Cov 2, krahasuar me antitrupat e fituar pas kalimit të sëmundjes. Këto prova tregojnë se personat që e kanë kaluar sëmundjen mund të kenë dobi shtesë nga vaksinimi, thotë doktori Mehmedoviq.

Instituti i imunologjisë në Shkup, publikoi një studim një një revistë mjekësore të njohur me impakt faktor më të lartë se 10, sipas të cilit tek personat që  e kanë kaluar sëmundjen mjafton një dozë e vaksinës Pfizer për të krijuar një imunitet të shkëlqyer. Sipas studimit, doza e dytë e vaksinës „Pfizer“, nuk ia shton imunitetin pacientit që e ka kaluar kovidin.

Njohuritë tona janë në atë linjë se pas pranimit të një doze niveli i antitrupave tek personat që e kanë kaluar Kovidin është më i madh dhe e mbështesin hipotezën se për personat që e kanë kaluar sëmundjen mjafton një dozë e vaksinës „Pfizer“. Numri i antitrupave tek ata është më i madh se sa tek personat e vaksinuar me dy doza të vaksinës, shkruan në  studimin e realizuar tek 226 pjesëmarrës.

Në të shtohet se sa më parë të jetë e mundur duhet që kjo hipotezë të përgatitet për testime klinike që të mund të jetë ndihmë për vendet që ende nuk kanë qasje në numër të mjaftueshëm të vaksinave.

Studimi i ri të cilin pak kohë më parë e publikoi Qendra për kontroll dhe parandalim të sëmunjdeve në SHBA (gusht 2021) tregon se nëse vaksinoheni rreziku nga infektimi me kovid është më i ulët.

Studimi është realizuar tek persona në Kentaki që kanë qenë të infektuar me Kovid në vitin 2020. Nga ato, personat e pavaksinuar kanë qenë më të rrezikuar nga reinfektimi në maj dhe qershor të vitit 2021.

Kemi të dhëna të cilat tregojnë se pas pranimit të vaksinës personat kanë imunitet më të madh, për dallim nga imuniteti që e kanë pasur pas kalimit të sëmundjes, sidomos nëse kanë pasur simptoma të buta ose mesatare, thotë doktoresha Jenifer Hanrahan, udhëheqëse e departamentit për sëmundje infektive pranë Fakultetit të mjekësisë në Univestitetin Toledo.

Hanrahan i paraljamëron të pavaksinuarit që e kanë kaluar sëmundjen të mos mendojnë se kanë imunitet duke u bazuar në testet për antitrupa. Ajo thotë se pavarësisht a keni apo nuk keni antitrupa, Qendra për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve rekomandon vaksinim me qëllim mbrojtjen e vetes dhe të të tjerëve. Përveç kësaj, thekson se personat që shtrohen në spital si pozitivë me Kovid, në të shumtën e rasteve janë persona të pavaksinuar.

Për mua është vërtetë shqetësuese që ende po diskutohet nëse duhet apo jo të pranohet vaksina, thotë ajo.

Ajo shpjegon se vala e re është edhe më e rrezikshmja dhe se personat e prekur nga kjo valë në përgjithësi kanë simptoma më të rënda, se nga ato në fillim të pandemisë.

Pacientët kanë nevojë për më shumë oksigjen dhe ky është dallimi kryesor që e kemi vënë re. Vaksinat e „Моderna“ dhe „Pfizer“ u treguan si efikase kundër më shumë llojeve të koronavirusit, përfshirë këtu edhe llojin delta, për parandalimin e simptomave serioze dhe për zvogëlimin e përhapjes së virusit, , thotë doktoresha.

Profesionistët mjekësore kanë qëndrime të kundërta dhe është e vështirë të sillet një përfundim se cili imunitet është më i mirë dhe më afatgjatë, sepse institucione dhe profesorë të ndryshëm kanë edhe mendime ndryshe. Ajo që diskutohet më shumë është kohëzgjatja e imunitetit natyror -disa mendojnë se ai zgjat më shumë, disa se më pak. Dhe si pasojë e kësaj, disa mendojnë se personat që e kanë kaluar sëmundjen duhet të vaksinohen më shpejt, ndërsa disa të tjerë që më vonë. Megjithatë, politikat shëndetësore bëhen me qëllim të vaksinimit të të gjithëve – edhe atyre që e kanë kaluar edhe të atyre që nuk e kanë kaluar sëmundjen. Zor se do gjeni ndonjë profesionist mjekësor që thotë ose ndonjë studim që tregon se ato që e kanë kaluar kovidin nuk duhet të vaksinohen aspak. Thjesht, vaksina konsiderohet si një shtresë më shumë e mbrojtjes, që herët a vonë duhet të aplikohet, sepse mospranimi i saj mund të na kushtojë shtrenjtë.

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button