Mes të infektuarve me kovid-19 në Dibër edhe një fëmije një vjeç

Situata epidemiologjike me Kovid-19 në komunat e Dibrës dhe Qendrës Zhupë akom mbetet e përkeqësuar. Numri i të infektuarve po rritet, që është pasojë e mosrespektimit të protokolleve shëndetësore. Në baza ditore, mesatarisht, këtë muaj virusi i rrezikshëm u konfirmua në 10.3 persona, transmeton Portalb.mk.

Ajo që shqetëson më shumë është fakti se shumica e të infektuarve janë midis moshës 20 dhe 40 vjeç. Sipas moshës, një fëmijë një vjeç është më i vogli i infektuar, tha për MIA-n Mentor Melja, shef i njësisë punuese në Qendrën për Shëndetin Publik.

Ai shton se për shkak të kësaj sjelljeje të papërgjegjshme të disa banorëve të kësaj zone, e vetmja gjë që mund të qetësojë situatën është imunizimi.

Sipas drejtorit të Spitalit të përgjithshëm me aktivitet të zgjeruar, Baki Alili, ky proces po ecën pa probleme me të paktën 200 vaksina të aplikuara çdo ditë.

Lidhur me numrin e pacientëve të hospitalizuar me kovid, ai numër ndryshon.

“Aktualisht kemi 33 pacientë me kovid, të cilët janë në trajtim spitalor. 29 prej tyre janë në mbështetje të oksigjenit. Për shkak të përkeqësimit të pasqyrës klinike, sot një pacient 35-vjeçar u transferua në një institucion shëndetësor në Shkup për trajtim të mëtejshëm, me çka në institucionet shëndetësore atje kemi katër bashkëqytetarë tanë. Në terapi ditore këtu tek ne janë 20 pacientë”, tha Alili.

Autoritetet kompetente konfirmojnë se aktualisht 195 persona janë aktivë, ndërsa në izolim shtëpiak janë 158 persona.

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut dje informoi se në 24 orët e fundit u regjistruan 1.082 raste të reja nga 5.982 të testuar, 492 pacientë ishin shëruar ndërkaq 26 ndërruan jetë. Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 172.576, i të shëruarve në 153.640, i të vdekurve 5.782 dhe numri i rasteve aktive është 13.235.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button