FUNDVERË ME SHIJE MORTI

Pas shpikjes së një morie vaksinash kundër Covid-19, veçmas pas fillimit të vaksinimit masiv të popullatës, rrallë kujt mund t’i ketë vajtur mendja se këtë fundverë do të përballemi me llojet më të harlisura të virusit vdekjeprurës, i cili tani rrezikon edhe moshat e reja. Shkaqet e rritjes së numrit të të infektuarve dhe të vdekurve duhet kërkuar në moskujdesin e njerëzve dhe moszbatimin e masave parandaluese të koronavirusit, por fajin më të madh për situatën alarmante në të cilën gjendemi e ka parësia e vendit të çudirave. Ajo, mbase për qëllime elektorale dhe nga frika e humbjes së besimit të votuesve, u vonua me marrjen e masave për parandalimin e tubimeve masive në ambiente të mbyllura gjatë festave, dasmave, ahengjeve…, që, sipas epidemiologëve, janë shkaktarët numër një të tmerreve aktuale. Faje kanë dhe mediet sharlatane që në situata kaq të rrezikshme enden rrugëve në kërkim të trajmave që flasin para kamerave për teoritë konspirative dhe të cilët, edhe pas kaq vdekjesh, mendojnë se vaksinat bëhen për t’u vendosur njerëzve mikroçipë me qëllim të vënies së tyre nën krontrollin e bosëve që qeverisin botën.

Duket absurde, po në kohë kaosesh të këtilla njerëzit e rëndomtë më shumë u besojnë thashethemaxhinjëve që s’marrin fare vesh nga sëmundjet e rrezikshme infektive sesa specialistëve të fushës që më kot përpiqen t’ua mbushin mendjen të vaksinohen për të shpëtuar veten dhe të tjerët përreth tyre. Kjo situatë u përshtatet llojeve të rrezikshme të virusit korona, si ai britanik e indian, të cilët përhapen shumë më lehtë se Covid-19 dhe infektojnë madje dhe të shëruarit e të vaksinuarit, duke qenë se anashkalojnë sistemin imunitar të njerëzve. Jo rastësisht tani mjekët apelojnë edhe për vaksinimin e fëmijëve mbi 12 vjeç.

Sidoqoftë, mbetet pa përgjigje bindëse pyetja lidhur me shkallën e vdekshmërisë së të infektuarve, që në Maqedoninë e Veriut është trishtuese, sepse, në raport me numrin e njerëzve që jetojnë brenda kufijve të saj, ka thyer të gjitha rekordet e mundshme, jo vetëm në siujdhesën ballkanike. Së këndejmi dikush duhet t’na i sqarojë shkaqet përse te ne vdesin dyfish më shumë të infektuar se në shtetet tjera? Një sqarim duhet ta kemi lidhur me këtë tmerr që po mbështjell në zi familjet tona. Këtë duhet ta bëjë shteti nëpërmjet ministrit të shëndetësisë, të shndërruar aktualisht në raportues të numrit të të vdekurve në bazë ditore, që vetëm sa e shton ankthin e njerëzve. Krahas kësaj shteti duhet të gjejë mënyrat më të përshtatshme për të bindur njerëzit të vaksinohen, duke u shpallur luftë teorive konspirative të tipave të tebdilosur në epidemiologë dhe mohues të ekzistimin të virusit vrasës. Natyrisht, në ballë të kësaj beteje duhet të jenë mediet e mirëfillta elektronike dhe të shkruara, që duhet të përcjellin te publiku i gjerë mendimet dhe udhëzimet e mjekëve – heronjëve të kohës sonë, të cilët luftojnë prej muajsh për jetët tona duke rrezikuar jetët e tyre.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button