Kosova miqësore me Argjentinën e Messit

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll pritet të luajë ndeshje miqësore me Argjentinën. Kjo ndeshje pritet të zhvillohet më datën 14 qershor në stadiumin “Andres Quintana Roo” në Cancun të Meksikës. Kështu shkruan të shtunën sajti meksikan “Record”. Të njëjtën gjë e konfirmon edhe ueb-faqja “El Diario Deportivo”. Këto ueb-faqe bëjnë të ditur se ndeshja nuk do të jetë zyrtare për shkak se Federata e Futbollit e Kosovës nuk është anëtare e FIFA-s dhe pasi 14 qershori nuk është termin i lirë i FIFA-s për zhvillimin e ndeshjeve miqësore. 
Përfaqësuesja e Argjentinës tri ditë para miqësores me Kosovën do ta zhvillojë ndeshjen eliminatore për Kampionatin Botëror “Brazili 2014” në udhëtim kundër Ekuadorit. 
“Argjentina do të zhvillojë ndeshje miqësore kundër Përfaqësueses së Kosovës më 14 qershor në Cancun. Gjithçka pritet të zyrtarizohet brenda një kohe të shkurtër, pasi Federata e Futbollit e Argjentinës është pajtuar për këtë”, shkruan ndër të tjera “Record”. 
“Federata e Argjentinës ka konfirmuar se në këtë datë do të luajë një ndeshje miqësore kundër një ekipi nga Ballkani në këtë vend atraktiv të Meksikës”. 
Ndërsa, sajti tjetër “El Diario Deportivo” ka cituar presidentin e kompanisë “World Eleven”, Guillermo Tofoni, e cila zotëron të drejtat për organizimin e miqësoreve të Përfaqësueses së Argjentinës./kohanet

Lajme të ngjashme

Back to top button