Udhëtimi ndërmjet qyteteve me shpejtësi mbi 1.000 kilometra në orë, “Virgin” e prezantoi transportin e së ardhme

Një mjet i ri për transport masiv që do të vendosë standardet për udhëtimet e shekullit 21 me shpejtësi deri në 670 milje, ose 1.078 kilometra në orë. Ky është video prezantimi i fundit i projektit “Virgin Hyperloop” të miliarderit Riçard Branson, ëndrrat e të cilit për të zvogëluar kohën e udhëtimit dhe për të gjetur mjete të reja transporti në të ardhmen nuk pushojnë, transmeton CNN.

Super-treni i ri me bateri do të funksionojë në një tub vakumi, i cili do t’iu mundësojë vagonëve të arrijnë shpejtësi spektakolare, me çka udhëtarët do të udhëtonin nga një qytet në tjetrin brenda pak minutash. Ky automjet mund të udhëtojë midis Shkupit dhe Athinës, Shkupit dhe Budapestit, Bratislavës ose qyteteve të tjera të Evropës Qendrore për një orë ose më pak.

Branson e ka kryer testin e parë të automjetit të ardhshëm në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa planifikon që super-trenin e parë ta lëshojë në përdorim në vitin 2027. Ky mjet transporti aktualisht është në fazën e testimit, kurse deri tani janë kryer më shumë se 400 teste.

Pavarësisht nga teknologjia e ndryshme nga infrastruktura dhe automjetet hekurudhore ekzistuese, ideja e këtij projekti është e ngjashme me hekurudhat ekzistuese: të instalohen tuba vakumi të ndërlidhura mes veti, të cilat mund të ndahen nga korridori kryesor, gjegjësisht të ketë nyje që do të lejonin që vagonët të lëvizin në drejtime ose destinacione të ndryshme.

Me këtë mjet transporti do të mund të udhëtojnë dhjetëra mijëra pasagjerë në orë në një drejtim. Megjithatë, CNN sqaron se teknologjia e “Virgin Hyperloop” mbetet e padëshmuar deri më sot, që do të thotë se nevojiten më shumë kërkime para se një projekt i tillë të fillojë të lëshohet në përdorim komercial.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button