Zaev për kërkesën e VMRO-DPMNE-së për regjistrim elektronik: Tregoni pak seriozitet, do të ketë regjistrim siç është parashikuar

Do të ketë regjistrim dhe do të realizohet siç parashikohet me ligj, tha sot kryeministri Zoran Zaev, duke komentuar propozimet e opozitës për regjistrim elektronik, të cilat plasohen dhjetë ditë para fillimit të operacionit statistikor, transmeton Portalb.mk.

Zaev theksoi se seanca e ardhshme e Kuvendit do të mbahet në mes të shtatorit, kurse regjistrimi, siç theksoi ai, fillon më 5 shtator, duke aluduar se nuk ka vend për ndryshime në Ligjin për regjistrimin.

“Bëhuni pak serioz. Ne nuk kemi regjistrim të popullsisë për njëzet vjet. Tani gjithçka është gati për regjistrimin dhe do të ketë regjistrim, siç është planifikuar. Regjistrimi do të fillojë më 5 shtator, ndërsa do të përfundojë më 30 shtator dhe pastaj të gjithë do të vazhdojmë me jetën tonë, më të pasur për shumë të dhëna që janë të rëndësishme për vendin, demografinë, ekonominë”, tha Zaev.

Ngjashëm si edhe para shtyrjes së operacionit, i cili ishte planifikuar fillimisht në prill, VMRO-DPMNE-ja tani kërkon që regjistrimi të bëhet në mënyrë elektronike. Arsyet e dhëna janë mungesa e numrit të mjaftueshëm të regjistruesve të paraqitur, si dhe situata epidemiologjike në vend për shkak të kovid-19.

Lidhur me situatën epidemiologjike, Zaev sot tha se është mirë që ka filluar të stabilizohet numri i të infektuarve me kovid-19 në qytetet më të rrezikuara, si Tetova dhe Gostivari. Megjithatë, u distancua dhe tha se më shumë informacion në lidhje me këtë duhet të sigurohen nga Komisioni për Sëmundjet Infektive dhe Ministria e Shëndetësisë.

“Nuk ka diskutime për karantinat ose masa të tjera shtesë në nivel lokal. Është mirë që në qytetet më të rrezikuara numrat po stabilizohen gradualisht dhe shpresojmë që të fillojnë të bien në ditët në vijim”, tha Zaev, duke theksuar se vendet e tjera, përsa i përket numrit të të infektuarve dhe vdekshmërisë, po përballen me situatë të ngjashme në lidhje me këtë valë  të kovid-19.

Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Apostoll Simovski, gjithashtu tha se nuk ka vend për ndryshimin e metodologjisë së regjistrimit, e cila, siç thotë ai, është miratuar me ligj, botuar në “Gazetën Zyrtare” dhe miratuar nga Eurostati.

Në pres-konferencën e djeshme në Qeveri, lidhur me numrin e regjistruesve, Simovski tha se shpreson se do të ketë mjaftueshëm. Ai falënderoi për rekomandimin e Qeverisë për të vënë në dispozicion punonjës të përkohshëm në institucionet shtetërore, por shprehu shpresë dhe pritje që nuk do të ketë nevojë për angazhimin e tyre pasi, siç tha ai, ka numërues të mjaftueshëm.

Ndryshe, fati i zbatimit të këtij procesi të rëndësishëm pritej të jetë prilli i këtij viti. Megjithatë, përmes pazareve politike, Zaev dhe Mickoski, pa konsultim edhe të partive shqiptare opozitare, vendosën që ta shtyjnë këtë proces dhe të zhvillohet nga 5 deri më 30 shtator. Partitë shqiptare nga ana tjetër, nuk ishin aspak faktor për shtyrjen ose mos-shtyrjen e këtij procesi. Zaevi, përmes një bisede telefonike e informoi Ahmetin për vendimin që kishin marrë me Mickovski, kurse kreu i BDI-së vetëm i shtoi “aminin”.

Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002. Dhjetë vjet më vonë apo në vitin 2011, ai nuk u mbajt për shkak të përplasjeve mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit, përkatësisht për përfshirjen ose jo të qytetarëve që janë jetojnë përkohësisht jashtë vendin, e që shumica prej tyre janë shqiptarë. Ishin shpenzuar dy milionë euro, ndërsa pati edhe një procedurë parahetimore kundër dy drejtuesve të koalicionit të atëhershëm qeveritar, Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit për ndërprerjen e regjistrimit, por kjo procedurë ka përfunduar pa epilog gjyqësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button