Vrasja e 18-vjeçares, autori kishte ushtruar dhunë edhe ndaj ish-të dashurës, familjarin ia sulmoi me thikë

Kur në media u publikuan fotografitë e Dardan Krivaqës, të akuzuarit për vrasjen e Marigona Osmani., për shumë ish nxënës të shkollës fillore “Gjon Serreçi” në Ferizaj, fytyra e Dardanit ishte e njohur. Një nga ish nxënësit e kësaj shkolle, G.B. tregon që kur ishte në klasë të gjashtë, Dardani, e kishte ndaluar për t’i vjedhur të gjitha gjërat që i kishte.

“Kemi qenë me një shok prapa gjimnazit në Ferizaj, kur Dardani na ka dal me thikë dhe shokut ia ka marr telefonin Nokia Gold”, transmeton Shekulli.

Këtë rast ai dhe shoku i tij nuk e kishin lajmëruar në Policinë e Kosovës për një arsye. “Atij të gjithë iu kemi frikësuar”, shprehet tashmë 25 vjeçari.

Ndonëse për këtë rast specifik nuk janë lajmëruar organet përgjegjëse, Dardani nuk është person i panjohur për policinë. Sipas burimeve që ka siguruar “Grazeta” ai ka plot 122 vepra kriminale.

Veprat për të cilat dyshohet Krivaqa janë si vijon: 11 raste për grabitje, 93 raste të vjedhjes dhe vjedhjes së rëndë, 1 rast dhunimi, 12 raste pranimi të gjërave të vjedhura, si dhe pesë lëndime trupore.

Edhe pse i dyshuar për më shumë se njëqind vepra, Krivaqa ishte jashtë grilave dhe po jetonte me M.O., të cilës dyshohet se ia mori jetën më 22 gusht të këtij viti.

Krivaqa, i cili po bashkëjetonte prej më shumë se dy muajsh me viktimën, dyshohet se e ka vrarë ferizajasen 18-vjeçare, M.O. e më pas, bashkë me Arbër Sejdiun, e kanë dërguar trupin e pajetë në repartin e emergjencës së Spitalit Rajonal të Ferizajt.

E kaluara e dhunshme e Dardan Krivaqës

Dardan Krivaqa kishte ushtruar dhunë edhe ndaj të një të dashure që kishte në vitin 2017. I njëjti burim ka bërë të ditur që në qershor 2017 Krivaqa kishte ushtruar dhunë ndaj atëkohë të dashurës së tij. Pas dhunës sistematike që ai kishte ushtruar ndaj saj, më 10 qershor të vitit 2017 Krivaqa e kishte sulmuar me thikë familjarin e ish të dashurës për shkak se i njëjti kishte tentuar ta largonte nga dhuna që Krivaqa i shkaktonte familjares së tij. Lidhur me këtë rast ishte hapur hetimi për “lëndim të lehtë trupor”.

Një therje tjetër, Krivaqa e kishte bërë në fund të vitit 2020 dhe atë ndaj një zyrtari policor. Sipas po të njëjtit burim, polici me inicialet Z.H. i kishte vërejtur tre persona duke konsumuar lëndë narkotike dhe sapo iu ishte afruar, Dardan Krivaqa i kishte vënë një mjet të mprehtë në fyt me ç’rast zyrtari policor ka pësuar lëndime trupore. Për të njëjtën vepër, i dyshuari Krivaqa ishte dënuar me burgim prej 180 ditësh, duke iu llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim.

Arsyet psikologjike dhe sociologjike të sjelljeve agresive

Dardan Krivaqa ka më shumë se njëqind vepra kriminale për të cilat është i dyshuar. I njëjti, sipas deklaratës së G.B., sjellje agresive ka pasur që nga fëmijëria. Njëjtë është shprehur edhe vëllai i tij, Kastrijot Krivaqa, përmes një statusi në Facebook.

“Gjatë tërë jetës na ka sjellë probleme dhe telashe të paparapara, por asnjëherë nuk na ka dëgjuar dhe përfillur këshillat tona”, ka shkruar ndër të tjerash Kastrijot Krivaqa në llogarinë e tij në “Facebook”.

Për psikologen Visare Berisha, sjelljet agresive të një të rrituri  burojnë nga fëmijëria, kur edhe shfaqen për herë të parë shenjat e agresivitetit.

“Kjo lloj sjelljeje është rezultat i fshehjes së emocioneve të zemërimit, pasi një fëmijë nuk ka mësuar se si t’i kanalizojë me siguri ndjenjat e tij,” thotë Berisha.

Kur shenjat e agresivitetit injorohen nga prindërit e më pas nga institucionet shkollore, sipas Berishës, fëmija agresiv mund të shndërrohet në një të rritur agresiv, duke shtuar se “nëse nuk veprojmë me kohë që të identifikojmë shkakun e sjelljes së tillë kjo sjellje kalon në shprehi dhe mund të përshkallëzohet deri në atë masë sa që trajtimi të bëhet më i vështirë”.

Sipas psikologes Visare Berisha, arsyet përse një person ka sjellje agresive të vazhdueshme janë të ndryshme, duke filluar nga diskriminimi dhe stigmatizimi e deri tek mungesa e shërbimeve sociale. Megjithatë, sjelljeve agresive duhet t’u kushtohet vëmendje kur individi thyen normat sociale në mënyrë të vazhdueshme dhe kur vërehet mungesa e pendimit.

“Shkaku i recidivizmit është kompleks dhe ka të ngjarë që të ndodhë për shkak të një kombinimi të faktorëve personalë, sociologjikë, ekonomikë dhe të stilit të jetës. Shpjegimet e zakonshme për përsëritjen e veprave kriminale, respektivisht sjelljes kriminale, përfshijnë edhe elementet brenda sistemit të drejtësisë dhe kjo mund të bëjë që dikush të ketë më shumë gjasë të përfshihet në sjellje kriminale,” shprehet Berisha.

Sipas avokates Edona Sina, recidivizmi, si në rastin e Dardan Krivaqës, gjithmonë duhet të merret si rrethanë rënduese në shqiptimin e dënimit, ndonëse nuk ndodh rëndom kështu në praktikë.

“Kodi Penal i Kosovës teorikisht është shumë i ashpër ndaj recidivistëve. Madje parashihet për veprat penale që kryhen me dashje, kur i pandehuri është i dënuar më shumë se dy herë me burgim dhe se nga dita e lirimit ka përsëritur vepra në periudhë me pak se 5 vite, gjykata mund të shqiptojë dënim më të lartë se që e parasheh ligji, duke ia shtuar gjysmën e maksimumit të dënimit të paraparë,” thotë ajo.

Sina shpjegon që secili i pandehur ka karakteristikat e veta personale, prandaj jo gjithmonë një person që kryen një vepër penale e përsërit atë.

“Lidhur me rastin konkret, karakteristikat e tij personale duket të kenë qenë të njohura jo vetëm për bashkëqytetarët e tij në Ferizaj, por edhe nga institucionet e drejtësisë”.

Avokatja Sina nuk e kupton arsyen e zvarritjeve së lëndëve – qoftë për Dardan Krivaqën, qoftë për të dyshuarin tjetër, Arbër Sejdiu.

“Zakonisht, Departamenti i Krimeve të Rënda ka lëndë më pak (numerikisht) se sa Departamenti i Përgjithshëm. Në disa gjykata të Kosovës, Departamenti i Përgjithshëm procedon aktakuzat brenda një viti, përkundër ngarkesës me numër të madh të lëndëve. Prandaj, mbetet e paqartë zvarritja e lëndës në Departament të Krimeve të Rënda, sidomos për vepër të tillë,” shprehet Sina, duke shtuar se kemi të bëjmë me keqmenaxhim të lëndës dhe jo zvarritje me dashje të lëndës.

Krivaqa, sipas Sinës, ka kryer vrasje të rëndë dhe dënimi për të mund të jetë edhe maksimal.

“Kemi të bëjmë me vrasje të rëndë që është e dënueshme jo më pak se 10 vite apo me burgim të përjetshëm”.

Kurse për Arbër Sejdiun gjykata duhet të marrë parasysh edhe rrethanat e tjera lehtësuese dhe rënduese.

“Për të pandehurin tjetër, A.S., pas përfundimit të hetimeve, mbetet të shihet nëse prokurori do ta cilësojë si ndihmë në vepër penale apo si moslajmërim i veprës penale apo gjen elemente të ndonjë vepre tjetër penale”.

Përndryshe, Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë ditës së mërkurë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaj kundër të pandehurit Dardan Krivaqa. Të martën, e njëjta gjykatë kishte vendosur masën e njëjtë edhe për Arbër Sejdiun, i akuzuar si bashkëpunëtor në vrasjen e 18 vjeçares./

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button