Guvernatorja e re e Nju Jorkut nxjerr shifra të reja më të larta për vdekjen nga Kovid-19

Guvernatorja e re e Nju Jorkut, Kathy Hochul pranoi se në këtë shtet ka pasur afro 12,000 vdekje më shumë nga COVID-19 sesa ishte publikuar nga paraardhësi i saj, Andrew Cuomo.

Në një njoftim të postuar në faqen e saj zyrtare të internetit të martën vonë, zyra e guvernatores njoftonte se në Nju Jork kishin vdekur 55,395 persona nga COVID-19 bazuar në të dhënat e certifikatave të vdekjes të paraqitura në Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), krahasuar me 43,415 që zoti Cuomo i kishte raportuar publikut deri të hënën, dita e tij e fundit në detyrë, transmeton VOA.

Të dy numrat janë postuar. Një shpjegim pason shifrën më të lartë, duke thënë se aty “numërohen ata që kanë vdekur në çdo vendndodhje, përfshirë spitalet, shtëpitë e të moshuarve, shtëpi, dhe mjedise të tjera.”

“Ne tani po publikojmë më shumë të dhëna sesa ishin lëshuar më parë, në mënyrë që njerëzit ta dinë se vdekjet në shtëpitë e të moshuarve dhe ato në spital janë në përputhje me të dhënat që ka nxjerrë CDC-ja,” shpjegoi zonja Hochul gjatë një interviste me kanalin MSNBC të mërkurën.

Guvernatorja Hochul futi të hënën në fuqi një politikë për mbajtjen e detyrueshme të maskave për të gjitha shkollat e Nju Jorkut, publike dhe private.

Hochul bëri betimin të martën pasi zoti Cuomo u largua nga detyra. Ai dha dorëheqjen i përballur me mundësinë e shkarkimit për shkak të akuzave për ngacmim seksual.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button