Vuçiq: Todosijeviq u dënua sepse tha të vërtetën për Reçakun

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se deputeti i Listës Serbe në Kosovë, Ivan Todosijeviq, është dënuar “vetëm sepse ka thënë të vërtetën për Reçakun”, shkruan REL.

Todosijeviqit, të martën, iu konfirmua dënimi me dy vjet burgim, për shkak të mohimit të masakrës së Reçakut, në të cilën forcat serbe vranë 45 shqiptarë të Kosovës, më 1999.

Në një video të postuar në Instagram, Vuçiq tha se “është shkelur rëndë e drejta e Todosijeviqit për gjykim të drejtë”, sepse, sipas tij, bazuar në Marrëveshjen e Brukselit midis Kosovës dhe Serbisë, Todosijeviq është dashur të gjykohet nga dy gjyqtarë serbë dhe një shqiptar.

Vuçiq tha se Todosijeviqit “i është shkelur brutalisht edhe e drejta për mendim të lirë”.

Ai i bëri thirrje Bashkimit Evropian që “t’i porosisë shqiptarët në Prishtinë se ata duhet t’i përmbahen asaj që kanë nënshkruar dhe pranuar” me Marrëveshjen e Brukselit.

Në mars të vitit 2019, Todosijeviq ka deklaruar se arsye për sulmet e NATO-s në ish-Jugosllavi ka qenë “e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

Gjykata e Apelit në Kosovë e konfirmoi të martën aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Todosijeviq është dënuar me dy vjet burgim, nën akuzat për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën në Kosovë në muajin shkurt, Todosijeviq u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Serbe, por pas vendimit të Gjykatës së Apelit ai e humb këtë pozitë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button