Vazhdojnë evakuimet nga Afganistani, ndërsa afrohet afati i tërheqjes së trupave

Ndërsa ka mbetur më pak se një javë nga dita e tërheqjes së të gjitha trupave nga Afganistani, Shetet e Bashkuara kanë evakuuar gjatë 24 orëve të fundit 19,000 amerikanë dhe afganë që donin të largoheshin nga vendi, tha Departamenti i Mbrojtjes të mërkurën, shkruan VOA.

Megjithatë zyrtarët thane se 10,000 persona të tjerë po dynden në aerportin ndërkombëtar në Kabul me shpresën që të ikin nga vendi që kontrollohet tani nga Talebanët.

Ditën e fundit u realizuan gjithsej 90 fluturime nga avionë amerikanë dhe ndërkombëtarë nga Kabuli, mesatarisht një çdo 39 minuta. 88,000 vetë janë evakuuar që kur filloi operacioni para disa javëve.

Skena në aeroportin ndërkombëtar “Hamid Karzai” mbetet e tensionuar dhe kaotike, por zëdhënësi i Pentagonit John Kirby tha se “nuk do të jetë përgjegjësi e amerikanëve” që të kontrollojnë sigurinë e aeroportit pas 31 gushtit, data që ka caktuar Presidenti amerikan, Joe Biden për përfundimin e operacioneve ushtarake në Afganistan.

Zyrtarët thane se e dine se “ka shumë njerëz të dëshpëruar që duan të lënë vendin”.

Pentagoni tha se të gjithë afganët që mbështetën operacionet amerikane gjatë dy dekadave të fundit dhe kanë marrë viza për të hyrë në Shtetet e Bashkuara si edhe kanë arritur në aeroport do të evakuohen. Por shumë të tjerë mund të ngelin në vend pasi mund të mos jenë në gjendje të depërtojnë në pikat e kontrollit të Talebanëve dhe të arrijnë në aeroport.

Ushtria amerikane tha se ka në plan të vazhdojë përpjekjet e evakuimit nga aeroporti deri të martën kur skadon afati nëse është e nevojshme, por se në fund përparësia do të jetë tërheqja e trupave amerikane dhe paisjeve ushtarake. Zoti Kirby tha se aktualisht në aeroportin e Kabulit janë 5,400 trupa amerikane.

Zyrtarët e Pentagonit u bënë thirrje ligjvënësve amerikanë të mos shkojnë në Kabul për të ndjekur evakuimin pasi anëtarët e Kongresit, Seth Moulton dhe Peter Meijer, një demokrat dhe një republikan, të cilët kanë shërbyer me ushtrinë në Lindjen e Mesme, bënë një vizitë të paparalajmëruar në kryeqytetin afgan këtë javë për të vlerësuar gjendjen.

“Ne e zhvilluam këtë vizitë në fshehtësi dhe folëm për të vetëm pas largimit, për të minimizuar rrezikun dhe pengesat për njerëzit në terren dhe sepse ne ishim atje për të mbledhur informacion, jo për spektakël,” thuhej në një deklaratë të përbashkët të demokratit Seth Moulton dhe republikanit Peter Meijer.

Ligjvënësit, të cilët shërbejnë në Komisionin e të Dhomës së Përfaqësuesve për Forcat e Armatosura, e lëshuan deklaratën pasi u larguan me avion nga Kabuli. Ata thanë se sipas mendimit të tyre, pasi e panë gjendjen nga afër dhe folën me komandantët në terren, Shtetet e Bashkuara “nuk do t’i nxjerrin dot të gjithë në kohë.”

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi lëshoi një deklaratë të martën duke thënë se udhëtimi në Afganistan nga anëtarë të Kongresit do të devijonte burimet nga operacioni i evakuimit.

“Duke pasur parasysh urgjencën e situatës, dëshira e disa anëtarëve për të udhëtuar në Afganistan dhe zonat përreth është e kuptueshme dhe pasqyron rëndësinë që ka për ne jeta e atyre që janë ende atje,” tha zonja Pelosi. “Sidoqoftë, unë përsëris se Departamentet e Mbrojtjes dhe Shtetit kanë kërkuar që ligjvenësit të mos udhëtojnë në Afganistan dhe rajon gjatë kësaj kohe rreziku. Garantimi i evakuimit të sigurt dhe në kohë për individët në rrezik kërkon fokus dhe vëmendje të plotë të ekipeve ushtarake dhe diplomatike amerikane në terren në Afganistan. ”

Agjencia Associated Press citoi një zyrtar të lartë amerikan të thoshte se administrata e zotit Biden e shihte vizitën e anëtarëve të Kongresit Moulton dhe Meijer si të padobishme dhe zyrtarë të tjerë thanë se ajo u konsiderua një përgjegjësi e tepërt për trupat që kanë për detyrë të sigurojnë aeroportin për të lehtësuar fluturimet e evakuimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button