Reagime pas dështimit të G7-ës për ndryshimin e afatit të largimit të trupave amerikane nga Afganistani

Aleatët e Shteteve të Bashkuara thonë se nuk kanë alternativë tjetër veçse të ndjekin afatin amerikan për tërheqjen e trupave nga Afganistani deri më 31 gusht – përkundër frikës se jo të gjithë do të evakuohen me kohë. Britania thirri një samit të jashtëzakonshëm të udhëheqësve të G7-ës të martën, për të diskutuar rreth krizës, raporton VOA.

Disa vende aleate të Shteteve të Bashkuara po evakuojnë qytetarët e tyre nga aeroporti i Kabulit – përfshirë afganët që punuan përkrah tyre dhe që janë të dëshpëruar për t’u larguar nga vendi.

Shumica e udhëheqësve të G7-ës iu lutën Presidentit amerikan Joe Biden për zgjatjen e afatit të 31 gushtit për tërheqjen e trupave amerikane. Por në një konferencë pas samitit virtual, Presidenti e bëri të qartë se ShBA do t’i përmbahet afatit.

“Sa më shpejt ta përmbyllim aq më mirë. Operacionet e çdo dite, shtojnë rreziqet për trupat tona”, tha Presidenti Biden.

Ushtria amerikane është jetike për operacionet e evakuimit, thotë analisti Andrew Bell, i cili ka shërbyer në Afganistan.

“Ata mundësojnë segmente të sigurisë që në shkallë më të vogël mund të ofrohen edhe nga disa aleatë të NATO-s, por shtylla kurrizore është formuar nga ushtria amerikane dhe vazhdimi i misionit do të varej nga ushtria amerikane”, tha ai.

Edhe talebanët thonë se nuk do të lejojnë zgjatjen e afatit të 31 gushtit. Prandaj, aleatët amerikanë thonë se nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të ndjekin këtë afat.

“Do të vazhdojmë deri në momentin e fundit. Por ju keni dëgjuar atë që tha Presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe atë që kanë thënë talebanët”, tha Kryeministri britanik, Boris Johnson.

Ai shtoi se udhëheqësit e G7-ës u pajtuan për qasje të përbashkët në të ardhmen.

“Një udhërrëfyes për mënyrën se si do të angazhohemi me talibanët, pasi me siguri se do të ketë qeveri talibane në Kabul”, tha zoti Johnson.

Disa vende të G-7-ës u zotuan për ndihmë financiare. Bashkimi Evropian ka ndarë 1.2 miliardë dollarë për Afganistanin.

“Ndihma do të jetë e ngrirë derisa të kemi garanci dhe veprime të besueshme në terren se kushtet janë duke u përmirësuar”, tha Presidentja e Komisionit Evropian, Usula von der Leyen.

Në Evropë ekzistojnë shqetësime mbi pasojat afatgjata të tërheqjes së perëndimit.

“Le të mos lejojmë krijimin e një tregu të ri për kontrabandistët dhe trafikantët e njerëzve. Ne jemi të vendosur të mbajmë nën kontroll flukset e emigrantëve dhe mbrojtjen e kufijve të BE-së”, tha Charles Michel, President i Këshillit të Evropës.

Analistët thonë se aleancat G-7 dhe NATO u sprovuan nga tërheqja e papritur e Shteteve të Bashkuara.

“Sigurist në një afat të shkurtër, kjo do të shtojë fërkimet. Ura të reja duhet të ndërtohen vazhdimisht në epokën pas Trumpit. Por në planin afatgjatë nuk mendoj se kjo do të dëmtojë marrëdhëniet e ShBA-së me aleatë”, thotë analisti Bell.

Për momentin, fokusi amerikan dhe i aleatëve mbetet evakuimi i vështirë dhe i rrezikshëm mes kaosit në aeroportit e Kabulit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button