Mbi lehtësinë e besimit në gjepura

Kaloj afër punktit të vaksinimit dhe shoh rradhët e gjata të personave që presin për t’u vaksinuar. Është i dukshëm fluksi i kërkesave për vaksinim pas hyrjes në fuqi të masave të reja të qeverisë të cilat kërkojnë që qytetarët të jenë të vaksinuar të paktën me dozën e parë të vaksinës në mënyrë që të mund të frekuentojnë kafenetë, dasmat, seminaret dhe grupimet tjera. Kështu, shkuarja në kafene ose në dasmë është vendimtare për një çështje jetike që lidhet ngushtë me shëndetin.
E megjithatë, edhe kjo shpesh nuk mjafton për të bërë vendimin esencial lidhur me mbrojtjen e shëndetit. Shumë njerëz vazhdojnë ti rezistojnë vaksinimit që është tërësisht falas për qytetarët dhe që është dëshmuar si mënyra e vetme efikase e mbrojtës nga pasojat e rënda të virusit vdekjeprurës që po trondit jetët tona tash më një vit e gjysmë.

Ende nuk e kuptoj si ndodhi që pjesa më e madhe e popullit nuk i besuan shkencës por gjepurave të Facebook-ut. Ende nuk e kam të qartë si pas gjithë atyre statistikave të publikuara që tregojnë se 95% të të hospitalizuarve me Covid-19 janë të pavaksinuar ende vazhdojnë të besojnë në gjepura. Ende nuk kuptoj si dikush në vend që ta dëgjojë mjekun që ka bërë 20 vite shkollim për këtë punë, e dëgjon komshiun gjysmanalfabet që nuk e ka idenë se çfarë është anti-trupi dhe si krijohet. Ende nuk kuptoj sa me ngulm sillemi në mënyrë tërësisht joracionale në këtë shekull kur njohuritë dhe shkenca e kanë ndryshuar në mënyrë revolucionare shëndetin e njeriut.

Harari e përshkruan shumë bukur këtë gjendje në librin e tij “Sapiens”, ku sqaron që megjithëse lloji jonë mban emrin “Njeriu i mençur/i vetëdijshëm” megjithatë, sapiensëve u pëlqen të besojnë në gjepura dhe të thurin lavde për gjëra të cilat nuk i shohin, shpesh duke injoruar tërësisht realitetin racional. Në librat e tij ai sqaron që në të shumtën e rasteve vendimet që njerëzit i marrin janë të bazuara në emocione dhe jo në arsye, gjë që e vë në pyetje mitin se ne para së gjithash jemi qenie të arsyeshme.
Situata me vaksinën kundër Covid-19 është shembulli më eklatant ku njerëzimi dëshmon në numra të mëdha dhe në gjithë botën që vendimet i merr jo në bazë të arsyes por në bazë të besimit të verbër në teori konspirative. Dhe e vetmja gjë që mund t’i kundërvihet teorisë konspirative në këtë rast, paramendoni, nuk është mbrojta e shëndetit, por nevoja imanente e sapiensit për t’i ndarë “njohuritë” e veta revolucionare në kafen e mëhallës, duke pirë makiaton, eliksirin e tij hyjnor. Edhe vaksinën të cilës nuk i beson ia vlen ta marrë vetëm për ta pirë këtë eliksir të lumturisë, makiaton e çarshisë, në shoqëri me ekspertët e gjithëdijshëm të cilët kanë njohuri të pafundta në tema të ndryshme, që nga vaksinat e deri tek Afganistani.

Tragjedia qëndron në faktin se kur kundërshtuesit e vaksinës sëmuren dhe i sëmurin të afërmit e tyre, nuk u drejtohen më konspiracionistëve, por atëherë u mësyjnë dyerve të spitalit për të gjetur një shtrat dhe një qasje deri tek gypi i oksigjenit. Atëherë, kur Covidi ua ngulfat frymëmarrjen, janë pikërisht mjekët e repartit infektiv që u rijnë mbi kokë dhe mundohen t’ua shpëtojnë jetën. A thua vallë ku e gjejnë atë forcë këta mjekë që t’i trajtojnë 95% të të sëmurëve që vinë të pavaksinuar? Habitem me kurajën e tyre dita ditës, ashtu si habitem me injorancën që u tregua më e rrezikshme se virusi.

Tani kur vaksinat janë të qasshme dhe të mundshme për gjithë popullatën e rritur, përgjegjësia për numrat eklatantë të vdekjeve në qytetet tona rëndon mbi supet e të pavaksinuarve, mbi supet e atyre që munden e megjithatë refuzojnë të vaksinohen. Nuk thonë kot që Covid-19 u paraqit në fillim si virus, por pas mutacionit u shndërrua në test inteligjence.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button