fbpx

Zëvendës-ministri i Shëndetësisë: Dallim i madh mes vdekjeve të pacientëve të pavaksinuar dhe atyre të vaksinuar (VIDEO)

Zëvendës-ministri i shëndetësisë në RMV, Ilir Hasani thotë se sipas statistikave të cilat i kanë në ministri, shpreson se brenda disa ditëve të ulet numri i vdekjeve nga koronavirusi. Ai për Portalb.mk. ai tha se dallimi mes vdekjeve të pacientëve të pavaksinuar dhe atyre të vaksinuar është si “nata me ditën”.

“Në një afat kohor të disa ditëve mund të themi se edhe kurba e vdekjeve shpresojmë të stabilizohet. Është vetëm një shpresë dhe përpunim i informacioneve statistikore që i kemi ne”, tha Hasani pas vizitës në spitalin privat “One Hospital” në Tetovë.

Ai theksoi se në bazë të përvojave që kanë me valët e mëparshme të pandemisë, shihet se diku tetë javëshi është trendi ngritës i rritjes të numrit të pacientëve që infektohen.

“Edhe ky lloj delta shpresoj ti nënshtrohet të njëjtave rregulla. Në regjionin e Tetovës kemi një specifikë karakteristike, kemi pasur shumë kontakte, vizitorë nga jashtë dhe dasma. Tash jemi në javën e pestë të ngritjes prej momentit kur ka filluar të ngritet numri i të sëmurëve dhe epidemiologët shpresojnë se deri në javën e tetë është periudha kur kurba shkon përpjetë. Shpresoj se më herët do të përfundojë ngritja se më shumë kemi pasur kontakte këto ditë, më shpejtë është bërë shpërndarja e virusit dhe më shpejtë duhet të përfundojë pjesa e rritjes së infektimeve  dhe pastaj fillon pjesa e uljes së infektimeve”, tha Hasani.

Vaksinimi mbron

Në pyetjen e Portalb.mk se pse nuk publikohen analiza më të detajuara për vdekjen e personave të vaksinuar, qofshin me një apo dy doza të vaksinës në mënyrë që të verifikohet a kanë pasur edhe sëmundje tjera kronike, Hasani tha se ata bëjnë analiza të përditshme.

“Ne bëjmë analiza të përditshme, ato pacientë janë nën fokusin dhe koncentrimin maksimal tonin. Bëhet fjalë për pacientët të cilët janë të vaksinuar por të cilët janë me komorbiditete dhe me sëmundje tjera, dhe të cilët hipotetikisht edhe një grip i lehtë do ti kishte marrur. Përqindja e vdekjeve te pacientët e pavaksinuar dhe përqindja e vdekjeve te pacientët e vaksinuar është si nata me ditën. Kështu që është absolut e qartë që vaksinimi mbron ndoshta jo në atë masë që kemi pasur shpresa. Vaksinimi mbron.”, tha Hasani për Portalb.mk.

Hasani tha se në RMV për momentin ka mbi 150 shtretër të lirë që janë të gatshëm për të pranuar pacientë me Covid-19.

Sipas Hasanit, po bëhen gati për hapjen e dy pse tre pikave të tjera të vaksinimit në Tetovë, nga ku theksoi se kjo kërkon mjaft punë për organizimin e të gjitha punëve.

Nga kjo vizitë në Spitalin One Hospital, ⁠u tha se në këtë spital nuk trajtohen persona me Covid por se trajtohen pacientë tjerë që në një farë mënyre e lehtësojnë sistemin shëndetësor. Menduh Jegeni, udhëheqësi i repartit gjinekologjik dhe obstetrik nga ky spital tha nuk kanë pasur ndonjë kërkesë nga Ministria e Shëndetësisë për menaxhimin e situatës me Covid-19, por theksoi se nëse ka do ti përgjigjen pozitivisht.

Në Tetovë gjendja me Covid-19 vazhdon të jetë kritike

Tetova vazhdon të jetë në gjendje kritike për sa i përket Covid-19. Sot ndërruan jetë 6 persona ,në mesin e të cilëve edhe një 21 vjeçar. Kurse dje ndërruan jetë 10 persona, në mesin e të cilëve edhe një paciente e vitit 1984, përkatësisht 36 vjeçe.

Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut dje informoi se në 24 orët e fundit ishin regjistruar gjithsej 1.210 raste të reja nga 7.084 të testuar, 451 pacientë ishin shëruar, ndërkaq 32 ndërruan jetë. Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 170.412, të shëruarve 152.916, të vdekurve 5.727, ndërkaq për momentin ka 11.769 raste aktive.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button