EDUKIMI BRENDA MUREVE

Shoqëria njerëzore karakterizohet nga bashkëjetesa e lumtur dhe pa dallime mes njëri-tjetrit. E këtillë është me shekuj të tërë, pavarësisht rasteve, kur e njëjta u përzgjodh që, nga fati, a fatkeqësia, të kalonte çaste të vështira, dhe, sërish të dilte e fortë për rrugëtimin e nesërm. Një shoqëri e arrirë njerëzore, e përbërë nga mendje të ndritura dhe me plot dishepuj pas vetes, nuk do të thotë se e tillë llogaritet vetëm për numrin e duartrokitjeve në raste të caktuara, kur veprimet e ndryshme (me mbizotërim të atyre me natyrë pozitive), bien në sytë e një mase të tërë dhe bëhen shkak që për të njëjtat të diskutohet edhe në ditët në vazhdim, por, një shoqëri që edukimin e vërtetë e realizon brenda mureve, duke mos e përjashtuar asnjërën gjini.

Edukimi brenda mureve, nuk duhet të kuptohet si një edukim që vjen si pasojë e mbylljes njerëzore, dhe për të njëjtën kujdesen njerëz të caktuar (përfshirë në këtë rast, personat mbi/nën moshën 18-të vjeçare, të cilët nga gabimet e njëpasnjëshme, ose, nga rrugët e këqija, merren nën mbrojtje të personave edukues/rehabilitues, ose dënohen për një periudhë të caktuar kohore), por, ka të bëjë me edukimin, të cilin e japin prindërit, që në moshën më të hershme për secilin fëmijë. Pra, del që, ky emërtim, ka të bëjë me muret e një shtëpie, (pavarësisht se sa e madhe është e njëjta dhe sa dritare ia sigurojnë dritën brenda) në të cilën, njerëzit i marrin jo vetëm mësimet e para, por, edhe modelet se për ç’gjëra duhet të luftojnë në jetë, ç’të synojnë për të njëjtën, si të vlerësohet tjetri/tjetra edhe në qoftë se është më i/e dobët dhe i/e brishtë, si të mbrohet njeriu dhe sa të luftohet për të drejtën, lirinë dhe paqen e këtij të fundit.

Falë edukimit të drejtë, fëmija (qoftë djalë apo vajzë) do të arrijë ta shohë botën ashtu siç është në të vërtetë, e barabartë për të gjithë dhe me frymë lirie, pa u udhëhequr nga egoja dhe ambicia e tepruar kundrejt gjërave që ia tërheqin sytë dhe për të njëjtat, guxon të pamundurën. Vetëm nga një edukim i tillë, këndvështrimet e tij/saj nuk do të jenë për t’u kritikuar dhe gjykuar nga të tjerët, por, do të përkrahen dhe do të merren si shembuj të denjë. Sepse, nëse gjithçka që ka të bëjë me njeriun, është veprimi i tij (varësisht natyrës pozitive a negative) ai që bie më së shumti në sy, atëherë për të njëjtin, duhet të kujdeset një edukues/udhëheqës i drejtë. Ky i fundit, me gjithë forcën dhe shpirtin e tij do e ndihmojë/udhëzojë atë (vajzën apo djalin), që, në mënyrën më të mirë ta dojë femrën, si dhe ta mbrojë atë nga (për)dhunimi, keqpërdorimi ose vrasja; ta respektojë mashkullin për aq kohë sa ai qëndron në vendin e vet dhe nuk bëhet pengesë ose shkak i fatkeqësive shoqërore; ta ndihmojë arritjen e lumturisë për secilin njeri, synim ky edhe i vetë natyrës, edhe kur e njëjta jep vetëm pika, dhe asnjëherë të plotën; ose, në raste të caktuara, të bëhet zëri që ngrihet për një bashkëjetesë shembullore.

Andaj, që të mos arrihet deri te e keqja e përgjithshme shoqërore, një prind duhet të dijë se fryma është e njëjtë për secilin fëmijë, si për djalin, ashtu edhe për vajzën, dhe se e njëjta nuk duhet të ndahet në bazë të përcaktimit gjinor. Sepse, nëse brenda mureve jetojnë, rriten dhe frymojnë të dy gjinitë, atëherë, asnjërës palë nuk duhet t’i jepet përparësi. Edukimi duhet të jetë i njëjtë, për aq kohë sa edhe fryma e tjetrit ka vlerë të madhe dhe meriton të jetojë. Le të edukojmë sot, që të mos lotojmë nesër!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button