Nuk ësht e vërtetë se nuk ka koronë

Nuk është e vërtetë që koronavirusi nuk ekziston. OBSH vitin e kaluar shpalli pandemi për shkak të numrit të lartë të infeksioneve të reja dhe vdekjeve nga komplikimet e shkaktuara nga virusi. Komuniteti shkencor në fillim të vitit 2020 konfirmoi se bëhet fjalë për virusin Sars Cov 2, ndërsa kjo është arsyeja se pse të gjitha vendet në botë po zbatojnë masa anti-kovid për të parandaluar përhapjen e tij. Testet e PCR për zbulimin e Kovid-19 janë të sakta dhe zbulojnë materialin gjenetik të virusit Sars Cov 2, por jo viruse që shkaktojnë ftohje ose grip, edhe pse një pjesë e simptomave mund të jenë të ngjashme, shkruan Vërtetmatës.

Рo recenzojmë një postim në Facebook me një videо nga protestat e fundit kundër Kovidit, në të cilën një grua e cila prezantohet si mjeke, pretendon se koronavirusi nuk ekziston dhe se bëhet fjalë për një grip të zakonshëm. Sipas asaj që e thotë ajo, e gjithë kjo bujë rreth pandemisë është bërë për shkak të testeve PCR, që, sipas saj, nuk bëjnë dallim mes gripit të thjeshtë dhe Kovidit. Në videon e cila po shpërndahet me të madhe në  rrjetet sociale, folësja thotë:

Në Kroaci zero, në Kanada 6. Çu bë me gripin? Pra, me simptoma, që në fakt janë simptoma të gripit, ne i dërgojmë në spital dhe i trajtojmë në mënyrë të gabuar e pastaj kemi problem. Problemi është tek testet. Sikur të mos kishte teste, nuk do kishim kurrëfarë problemi. Që nga marsi i vitit 2020, ja edhe nesër do shkoj për vizitë, sepse kam një mik që gjoja është i sëmurë me kovid, por gjithmonë kur dikush do më thotë se është i sëmurë me kovid, unë shkoj e vizitoj dhe nuk mbaj maskë, por asnjëherë nuk jam sëmurur. Pra, virusi nuk ekziston!

Ajo gjithashtu e mohon edhe efikasitetin e testeve PCR, duke iu referuar raportit të fundit të Qendrës për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve të SHBA dhe thotë se ai është joadekuat sepse thuhet se do hiqet nga përdorimi. Gjatë gjithë kohës folësen e shoqërojnë duartrokitjet e protestuesve.

E para, nuk është e vërtetë se nuk ekziston virusi korona dhe sëmundja Kovid-19. Virusi u identifikua nga autoritetet kineze në 7 janar të vitit 2020. Duke marrë parasysh rritjen e shpejtë të numrit të të infektuarve dhe numrit të të vdekurve në shumë vende të botës, OBSH shpalli pandemi sepse brenda dy javësh u trefishua numri i të infektuarve në mbarë botën.

Gjatë dy javëve të fundit numri i të infektuarve me koronavirus jashtë kufijve të Kinës po rritet. Numri i vendeve të cilat kanë raportuar raste pozitive me këtë virus u trefishua. Për momentin kemi 118.000 të infektuar në 114 vende në botë. Gjithsej 4.291 persona deri më tani e kanë humbur jetën, ndërsa mijëra të tjerë po luftojnë për jetën e tyre në spitale, deklaroi në 11 mars të vitit 2020 kryetari i Organizatës Botërore të Shëndetësisë,Теdros Ghebreyesus

Organizata Botërore e Shëndetësisë e konfirmoi edhe llojin delta të koronavirusit që në muajin mars u identifikua në 124 vende, si mutacion i ri i virusit i cili e shkakton sëmundjen Kovid-19.

Sa i përket testeve PCR, nuk është e vërtetë se ato do të tërhiqen nga përdorimi nga Qendra për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve të SHBA për shkak të mospërshtatshmërisë së tyre, siç pretendon folësja. Deri më tani ky test ka detektuar vetëm koronavirusin, por jo edhe viruset që shkaktojnë grip ose ftohje, edhe pse disa nga simptomat mund të jenë të ngjashme. Gjithsesi, testet PCR për Kovid-19  janë shumë të saktë dhe zbulojnë material gjenetik të virusit Sars Cov 2.

Qendra për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve e SHBA rekomandon  përdorimin e testeve të cilat njëkohësisht do mund të zbulojnë edhe  Sars Cov 2 edhe influencën. Më konkretisht, të analizohet nëse pacienti ka grip apo Kovid, ose nëse i ka të dy viruset, që poashtu mund të zbulohet me ndihmën e testeve të reja. Këto rekomandime kanë për qëllim kursimin e kohës dhe burimeve para sezonit të ardhshëm të gripit.

Edhe zëdhënësja e Qendrës për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve e SHBA, Jasmin Reed, për „Reuters“ deklaroi se testi ka luajtur një rol të rëndësishëm në kohën kur është zhvilluar dhe nuk ka demonstruar kurrëfarë problemesh sa i përket performancës së tij.

Kërkesa për këtë test ka shënuar rënie për shkak të zbulimit të testeve të tjera. Qendra për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve i inkurajon laboratorët që të miratojnë një panel të ri testimi për të monitoruar Sars CoV 2 dhe gripin, për të kursyer kohë dhe burime, tha Reed përReuters

Në fjalimin e saj folësja shpalos pretendime që deri më tani janë demantuar disa herë me çrast thotë se vaksinat janë terapi gjenetike si dhe që shkaktojnë trombe. Asgjë nga kjo nuk është e saktë. Bëhet fjalë për pretendime që janë demantuar edhe nga ekspertë dhe nga vërtetues të fakteve në mbarë botën.

Një pjesë e mediave e zbuluan identitetin e folëses, të cilës në video të pranishmit në protestën kundër kovidit iu drejtuan me doktoreshë. Ata shkruajnë se bëhet fjalë për një person që për vite me radhë bën fushatë kundër vaksinimit, ndërkohë që shpesh mban edhe leksione për „vetëshërim“ dhe publikon qëndrime kontroverse të pambështetura. Në vitin 2014 Oda e mjekëve të Maqedonisë ka reaguar për pjesëmarrjet e saj në emisione televizive.

Deklarata të tilla të pasakta, të cilat shpërndahen intensivisht në rrjetet sociale, në një kohë kur numri i pacientëve me Kovid-19 po rritet në Maqedoni dhe kur ditët e fundit kemi numër dyshifror të vdekjeve, janë të pabaza dhe manipulative. Ato gjithashtu dëmtojnë përpjekjet e autoriteteve shëndetësore për të mbrojtur shëndetin publik dhe për t’i shpjeguar publikut se vaksinimi është i nevojshëm për krijimin e imunitetit kolektiv në vend dhe për ta kaluar më lehtë këtë valë të re të Kovid-19.

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button