Personat e vaksinuar me dy doza të vaksinës nuk do izolohen edhe pse kanë qenë në kontakt me të infektuar me Kovid

Të gjithë qytetarët pozitiv duhet të izolohen, dhe e njëjta vlen dhe për kontaktet e tyre që nuk janë të vaksinuar ose që nuk e kanë kaluar Kovidin. Personat e vaksinuar me dy doza, si dhe ata që e kanë kaluar sëmundjen para maksimum 45 ditësh, nuk do izolohen edhe pse kanë pasur kontakt me rast pozitiv, thonë nga Qendra e shëndetit publik-Shkup. Sipas protokolleve të OBSH -së, në izolim nuk përfundojnë personat e vaksinuar me dy doza, nëse pas pranimit të dozës së dytë kanë kaluar 14 ditë. As personat që e kanë kaluar sëmundjen nuk përfundojnë në izolim, nëse nuk kanë kaluar më shumë se tre muaj. Edhe pse është vërtetuar se personat e vaksinuar me dy doza, të paktën pas 14 ditësh nga pranimi i dozës së dytë, janë më pak të rrezikuar nga format e rënda të sëmundjes dhe nga hospitalizimi, këta persona përsëri mund ta transmetojnë llojin delta. Është e rëndësishme të theksohet se imuniteti nuk zhvillohet menjëherë pas dozës së dytë, por disa javë më vonë, varësisht kjo nga lloji i vaksinës, shkruan Vërtetmatës. 

Shkruan: Mirosllava Burns

Me rritjen e numrit të rasteve të reja në vend, izolimi i kontakteve të tyre po bëhet një sfidë gjithnjë e më e madhe. Edhe pse me disa ditë vonesë, vendim për izolim marrin të gjithë ata që kanë bërë test PCR dhe kanë marrë rezultat pozitiv. Ajo që ka ndryshuar në strategjinë e përgjithshme të izolimit është fakti se në këtë valë, ndryshe nga e kaluara, ne i kemi vaksinat. Vaksinimi i ndryshoi algoritmet dhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në pajtim me të cilat bëhet izolimi i kontakteve të qytetarëve të infektuar.

Qendrat e shëndetit publik në të gjithë vendin i anketojnë të gjithë qytetarët që kanë rezultuar pozitiv për kovid, por vetëm ata që testin e kanë bërë në një nga laboratorët e certifikuar ose në pikat e testimit pranë Institutit të shëndetit publik. Qytetarët që blejnë një test në farmaci, i cili bëhet në shtëpi dhe është më i lirë se testi PCR, nëse dalin pozitiv, atëherë ata duhet ta konfirmojnë atë me një test PCR zyrtar. Sidoqoftë, nuk ka asnjë mekanizëm me të cilin personat që kanë bërë një test të shpejtë të blerë në farmaci e i cili ka rezultuar pozitiv, të detyrohen të shkojnë në një laborator të licencuar për ta konfirmuar rezultatin e tyre, duke hyrë kështu në sistemin që monitoron dhe izolon kontaktet e tyre. Për fat të keq ekziston mundësia që ata të lëvizin lirshëm, të shkojnë në punë dhe të infektojnë qytetarët e tjerë, dhe këtë nuk mund ta ndalojë askush. 

IZOLIMI DHE VAKSINIMI

Drejtori i Qendrës së shëndetit publik, Shkup, Besim Zekiri, për „Vërtetmatësin“ thotë se në izolim përfundojnë të gjithë qytetarët pozitiv.

Në izolim përfundojnë të gjithë qytetarët pozitiv, si dhe kontaktet e tyre që nuk janë të vaksinuar dhe që nuk e kanë kaluar sëmundjen. Personat e vaksinuar me dy doza, si dhe ata që e kanë kaluar sëmundjen  para jo më shumë se 45 ditë, nuk përfundojnë në izolim, edhe pse kanë pasur kontakt, thotë Zekiri.

Me një shembull nga jeta e përditshme, pra nëse një qytetar rezulton pozitiv për Kovid-19 në testin PCR, atëherë brenda disa ditësh ai do të kontaktohet nga një epidemiolog nga qendrat e shëndetit publik në qytetin ku ai jeton. Epidemiologët i pyesin pacientët pozitivë për elementin më të rëndësishëm që është vendimtar për kohëzgjatjen e izolimit, dhe këto janë simptomat. Qytetarët që nuk kanë asnjë simptomë izolohen për 10 ditë, duke filluar nga dita e marrjes së rezultatit pozitiv. Ata që kanë simptoma, nga ana tjetër, izolohen për 20 ditë.

Sipas protokolleve të OBSH -së, në izolim nuk përfundojnë personat e vaksinuar me dy doza, nëse pas pranimit të dozës së dytë kanë kaluar 14 ditë. As personat që e kanë kaluar sëmundjen nuk përfundojnë në izolim, nëse nuk kanë kaluar më shumë se tre muaj. Këtë qëndrim kanë edhe epidemiologët gjatë anketimit. Nëse një person edhe pse është i vaksinuar rezulton pozitiv, ai atëherë doemos duhet të izolohet. Simptomat, edhe pse mund të kenë zgjatur 1 ditë, janë arsye që personi pozitiv të izolohet për 20 ditë.  Numri më i madh i qytetarëve raportojnë simptoma të lehta të cilat zhduken për një ditë, si temperatura ose lodhja. Megjithatë, vetë prezenca e simptomave, pa dallim se sa kanë zgjatur, është një tregues se personi pozitiv mund ta përhapë infeksionin për një periudhë kohore më të gjatë.  Prandaj izolimi i tij zgjat 20 ditë. Kontaktet kryesore për të cilët anketohen pacientët pozitiv janë anëtarët e familjeve të tyre, si dhe personat me të cilët punojnë.

Kontaktet e personit pozitiv duhet të monitorohen për 14 ditë për të parë nëse do zhvillojnë simptoma dhe nëse ndodh kjo- të testohen. Organi i cili e bën anketimin është Qendra e shëndetit publik, e cila pastaj ua dërgon të dhënat e marra inspektorëve të Inspektoratit shtetëror sanitar dhe shëndetësor, i cili përgatit vendimet për izolim. Me këto vendime për izolim qytetari mund të bëhet lëndë e kontrollit nga ana e policisë, pra policia mundet në çdo kohë të kontrollojë nëse ai ndodhet në adresën e dhënë gjatë anketimit. Javët e kaluara policia më shumë se 20 herë ka konstatuar se qytetarët me vendime për izolim të lëshuara nga  Inspektorati shtetëror sanitar dhe shëndetësor e kanë lëshuar vendin përmes rrugëve tokësore sepse në këto kufij nuk kërkohej as test PCR, as vërtetim për vaksinim, e as dëshmi se e kanë kaluar sëmundjen, ashtu siç do jetë nga data 1 shtator. Për këto qytetarë janë ngritur kallëzime penale për rrezikim të shëndetit publik, por fakti që ata ndodhen jashtë vendit rrezikon edhe një numër të madh të të huajve me të cilët do jenë në kontakt. Kjo është edhe më alarmante për llojin delta.

NJË PERSON I INFEKTUAR ME DELTA MUND TË INFEKTOJË SHTATË TË TJERË

Kryetari i Komisionit për mbrojtje të popullatës nga sëmundjet infektive, doktor Zharko Karaxhovski, për Alsat tha se një pacient i infektuar me llojin delta mund të infektojë 7 persona të tjerë.

Qendra për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve në rekomandimet më të fundit për personat e vaksinuar me dy doza në SHBA, thotë se nëse ata infektohen me llojin delta të koronavirusit, ato mund tua përcjellin atë edhe të tjerëve. Për ta zvogëluar rrezikun nga infektimi me llojin delta dhe tua përcjellin atë personave të tjerë, të vaksinuarve me dy doza Qendra u rekomandon që të mbajnë maska.

Të vaksinuarit me dy doza mund të zgjedhin të mbajnë maskë pa dallim të nivelit të përhapjes, e sidomos nëse ata ose ndonjë nga anëtarët e familjes së tyre ka imunitet të komprometuar ose është më i rrezikuar nga zhvillimi i formave të rënda të sëmundjes, ose nëse ndonjë nga anëtarët e familjes së tyre nuk është i vaksinuar. Në rast se manifestoni simptoma, testohuni. Nëse në 10 ditët e fundit keni rezultuar pozitiv në test PCR, ose nëse keni simptoma, izolohuni, shkruan në rekomandimet e Qendrës për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve për personat e vaksinuar me dy doza.

Gjithashtu, qytetarëve u rekomadohet që t’i ndjekin të gjitha ligjet dhe rekomandimet nga shteti.

Rekomandimi më i rëndësishëm i Qendrës për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve në SHBA, është që personat e vaksinuar me dy doza, që nuk kanë simtoma, por që kanë qenë në kontakt me rast të dyshuar ose pozitiv me Kovid-19, të mos kenë nevojë të izolohen nëse i ndjekin rekomandimet si mbajtja e maskës, monitorimi i simptomave dhe nëse bëjnë test PCR.

Identifikimi dhe ndjekja e kontakteve të personave pozitiv paraqet një mënyrë efikase për parandalimin e Kovid-19, sepse në këtë mënyrë të gjithë personat informohen se mund të jenë në rrezik, e kështu edhe ata mund të mbajnë maskë, të testohen dhe të zbulojnë infeksion eventual në një fazë të hershme me çka në rast nevoje të fillojnë edhe me trajtim nën mbikëqyrjen e mjekut.

Edhe pse është vërtetuar se personat e vaksinuar me dy doza, të paktën pas 14 ditësh nga pranimi i dozës së dytë, janë më pak të rrezikuar nga format e rënda të sëmundjes dhe nga hospitalizimi, këta persona përsëri mund ta transmetojnë llojin delta. Është e rëndësishme të theksohet se imuniteti nuk zhvillohet menjëherë pas dozës së dytë, por disa javë më vonë, varësisht kjo nga lloji i vaksinës.  Kur bëhet fjalë për vaksinën „Pfizer“, atëherë imuniteti krijohet tre javë pas dozës së dytë. Për vaksinat kineze, kjo ndodh një muaj e gjysmë pas pranimit të dozës së dytë. Në periudhën mes dy vaksinave qytetarët duhet të sillen sikur nuk janë të vaksinuar, pra t’i zbatojnë masat e përgjithshme për mbrojtje nga koronavirusi. Imuniteti nuk krijohet pas pranimit të vetëm një doze.

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button