Mbi predikuesit e amnezisë kolektive

E kaluara nuk duhet që të harrohet për shkak të sotmes dhe të nesërmes.

Sipas racionalistëve, kush e njeh të kaluarën e kupton të sotmen dhe krijon vizion të qartë për të ardhmen.

Dramaturgu Berthold Brehti, nëpërmjet teatrit epik, synonte që shikuesi ta njihte të panjohurën nëpërmjet të njohurës; ta kuptonte atë që ndodhte ose që mund të ndodhte nëpërmjet asaj që kishte ndodhur.

Ata që tentojnë të na bindin se duhet ta harrojmë të kaluarën, kërkojnë të përjetojmë amnezi, fshirje kujtese.

Këtë e duan kriminelët, përkrahësit e tyre, por edhe mediokritetet që hiqen si të moderuar apo mendjehapur.

Bota e qytetëruar nuk i harron krimet naziste dhe komuniste që të mos përsëriten.

Krimet më të tmerrshme janë bërë prej njerëzve në dukje krejtësisht “normalë”. Madje, ata mund të jenë drejtues institucionesh shtetërore. Këtë Hannah Arendt e quajti “banaliteti i ligësisë”. E keqja më e madhe, sipas saj, është shkaktuar nga të parëndësishmit që refuzojnë të jenë persona.

Ata veprojnë sipas rregullave të sistemit kriminal dhe udhëhiqen nga një ideologji e caktuar.

Ata refuzojnë të kthehen në të kaluarën.

Ata nuk duan të mendojnë për ligësitë që i kanë bërë dhe nuk i pranojnë krimet e bëra.

Ata thonë se ashtu ka qenë koha dhe sistemi.

Një sistemi të egër shtetëror nuk i shërbejnë të gjithë. Ka kriminelë, por ka edhe viktima që janë fituese morale.

Nëpërmjet amnezisë kolektive u shërbejmë atyre që kanë bërë krime. I amnistojmë kriminelët apo shërbëtorët e tyre dhe i ridënojmë viktimat.

Jo hakmarrje, por as amnezi.

Nuk mund të bisedohet me ideatorët apo shërbëtorët e makinerisë kriminale. Ata duhet t’i ngrysin ditët në vetmi dhe ta kërkojnë pendesën.

Të bisedosh me ata është sikur ta ftosh në debat një kriminel që të ligjërojë për demokracinë dhe lirinë.

Popujt duhet të ecin përpara, duhet t’i tejkalojnë armiqësitë, por jo edhe t’i falin kryerësit e krimeve.

Çdo shtet duhet t’i dënojë kriminelët e tij në shenjë respekti për viktimat.

Të mos i dënosh krimet dhe shkaktarët e tyre, do të thotë të stimulosh të tjerët të bëjnë krime, të bindur se një ditë do të amnistohen.

Të pretendosh se mund të shkosh përpara duke harruar tmerret e së kaluarës do të thotë të mos kesh kurrfarë ndjeshmërie për fëmijët e vrarë, për klithjet e tyre, për ardhmërinë e tyre të humbur, për gratë e dhunuara, për pleqtë e masakruar, për të rinjtë që kanë humbur gjënë më të shtrenjtë – jetën.

Në historinë tonë janë përsëritur tmerret, sepse harrojmë shpejt. Dhe krimet e dëbimet në masë u përsëriten shumë herë vetëm brenda një shekulli.

Nuk ndërtohet ardhmëria më e mirë duke harruar. As nuk duhet të bisedosh dhe negociosh me ata që i kanë shërbyer makinerisë kriminale ose me ata që u kanë duartrokitur kriminelëve.

Është shumë e thjeshtë dhe është vlerë qytetëruese.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button