fbpx

Pastrimi i deponisë së vogël me lindan në OHIS u shty për një muaj

Shtyhet fillimi i pastrimit të deponisë së vogël me lindan në OHIS. Tenda  mbrojtëse, nën të cilën do të kryhet gërmimi i tokës dhe lindanit, do të instalohet deri në fund të muajit të ardhshëm, megjithëse ishte paralajmëruar që punimet do të fillojnë në fillim të shtatorit. Sipas planit fillestar, pjesët e çadrës duhej të arrijnë nga Italia në vend kah mesi i gushtit dhe ekspertët e prodhuesit do t’i instalonin ato në terren, mbi deponinë e vogël, deri në fund të muajit. Fillimi i gërmimit të sasive të para të tokës u paralajmërua për në fillim të shtatorit, shkruan Meta.mk transmeton Portalb.mk.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor bëjnë me dije se prodhuesi i tendës nga Italia, dhjetë ditë më parë, i ka informuar  se dorëzimi dhe instalimi do të vonohet jo më shumë se një muaj. Kjo, thonë ata, shkon në favorin e tyre, sepse është më mirë punët të realizohen në temperatura më të ulëta.

“Afatet që u paralajmëruan fillimisht janë zhvendosur pak, kryesisht për shkak të temperaturave të larta në Shkup në këtë periudhë të vitit. Një muaj nuk ndryshon shumë në dinamikë, por temperaturat sigurisht që do të jenë më të përshtatshme në fund të shtatorit, në mënyrë që të mos krijohet frika tek popullata se për shkak të nxehtësisë mund të ketë avullim. Edhe prodhuesi i tendave na dërgoi afat të ri për dorëzim dhe instalim, që tani është fundi i shtatorit. Presim që gjithçka të shkojë mirë me transportin dhe që afati do të përmbushet. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me prodhuesin dhe të gjithë jemi të interesuar që puna të përfundojë në kohë dhe të fillojë gërmimi i deponisë së vogël”, tha Suzana Andonova, koordinatore e projektit në Ministrinë e Mjedisit Jetësor.

Deponia e vogël e lindanit në OHIS përmban rreth 7,000 tonë kimikate të rrezikshme dhe tokë të kontaminuar, të cilat kanë qëndruar në oborrin e ish -objektit kimik për dekada të tëra. Ato duhet të paketohen në fuçi speciale dhe të transportohen menjëherë për asgjësim të sigurt në Francë dhe Holandë. Gërmimi do të kryhet nën tendën e specializuar e cila do të ketë njësi të veçanta filtrimi, dhe punëtorët do të kenë mbrojtje të veçantë për frymëmarrje. Të gjitha aktivitetet e trajtimit këtu do të zhvillohen në ambiente të mbyllura dhe vetëm do të transportohen të paketuara.

Këtë verë, Ministri i Mjedisit Jetësor, Naser Nuredini, paralajmëroi se në korrik të vitit të ardhshëm, deponia e vogël do të jetë e pastër. Sa i përket asaj të madhes, e cila gjendet në afërsi dhe ka rreth 52.000 ton, do të kërkohen fonde shtesë. OHIS-i ka edhe dy deponi të tjera që nuk janë hulumtuar ende dhe sasitë që ruhen këtu vetëm supozohen. Njëra gjendet në oborrin e fabrikës, kurse tjetra në zonën e Pelincës, afër Draçevës. Ekspertët atëherë dhe tani kanë paralajmëruar se rreziku derisa të pastrohet kimikati toksik sasia e fundit dhe të pastrohet lindani nga toka dhe ujërat nëntokësore do të jetë një kërcënim. Lindani është një përbërës organik i halogjenizuar. Prodhimi dhe përdorimi bujqësor i këtij insekticidi u ndalua sipas Konventës së Stokholmit mbi ndotësit e ngopur organikë sepse kishte ndikim negativ mbi sistemin nervor, mëlçinë dhe veshkat dhe mund të jetë kancerogjen.

LEXO: Filloi pastrimi i lindanit nga deponia e vogël në OHIS

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button