Mos agjëroni 40 ditë vetëm me ujë si detoksikim pas pranimit të vaksinës!

Përveç dezinformimit, postimi është edhe i rrezikshëm për shëndetin e njeriut, sepse agjërimi i zgjatur vetëm me ujë nuk duhet të praktikohet pa mbikëqyrjen e mjekut, e sidomos jo për 40 ditë! Studimet shkencore tregojnë se agjërimi afatgjatë vetëm me ujë shoqërohet me humbje të pashëndetshme të peshës, humbje të masës muskulore, lodhje të vazhdueshme dhe mund të dëmtojë sistemin imunologjik. Sa i përket vaksinës, nuk ka nevojë për detoksikim, sepse në rastin e vaksinës mARN, organizmi e shpërbën dhe e eliminon atë, shkruan Vërtetmatësi.

Po recenzojmë një postim në Facebook, në të cilin thuhet se të gjithë që kanë pranuar një vaksinë mARN (vaksina e vetme e këtij lloji që është administruar në Maqedoni është vaksina „Pfizer“), duhet të bëjnë një analizë gjaku për d-dimerët, sepse, sipas postimit, vaksina shkakton mpiksje të gjakut, që brenda dy viteve do shkaktojë infarkte në tru dhe dëmtime të zemrës.

Autori i postimit të gjithëve atyre që janë vaksinuar u rekomandon të bëjnë pastrim të trupit, pra detoksikim.

Trajtim më i suksesshëm është agjërimi vetëm me ujë ( 40 ditë agjërim vetëm me ujë dhe asgjë tjetër) Një nga programet më të mirë PAA (programi anti parazit) është ai sipas metodës së dr. Schultz, program i cili krahas suplementëve përdor edhe agjërimin me ujë, thotë autori i postimit i cili nuk është person mjekësor.

Postimi është bërë viral dhe në kohën që po e shkruajmë këtë recenzion ka 66 ndarje.

Përveç se që dezinformon, postimi paraqet edhe rrezik për shëndetin, sepse agjërimi afatgjatë vetëm me ujë, nuk duhet të praktikohet pa mbikëqyrje nga mjeku, sidomos jo për 40 ditë. Kjo paraqet rrezik për shëndetin!

Agjërimi me ujë zakonisht bëhet 1 deri më 3 ditë. Sipas ekspertëve mjekësor agjërimi me ujë duhet shmangur sepse mund të shkaktojë anoreksi, probleme serioze në organizëm nëse nuk bëhet nën mbikëqyrjen e mjekut dhe në mënyrën e duhur!

Në vitin 2011, pacienti Jonathan Cam vdiq pasi kishte agjëruar plot 32 vetëm me ujë. Studimi që mund ta shihni në këtë link, flet për efektet negative të agjërimit vetëm me ujë, si lodhje, probleme me zemrën dhe çrregullim i ritmit të zemrës, tension i lartë ose i ulët i gjakut, dhimbje në stomak dhe marramendje. Agjërimi afatgjatë me ujë shkakton humbje të pashëndetshme të peshës, humbje të masës muskulore, lodhje të vazhdueshme dhe ndjenjë se keni ftohtë, oscilime të humorit.

Një numër i madh i njerëzve që mundohen të agjërojnë vetëm me ujë janë njerëz që vërtetë luftojnë me sëmundje për të cilat nuk gjejnë dot trajtim dhe këtë e shohin si shpëtim. Të mos konsumohet kurrfarë ushqimi për javë të tëra është me të vërtetë rrezik dhe nuk ia rekomandoj askujt, thotë  Christy Harrison, nutricioniste

Mjekja Miriam Merad, drejtoreshë e Institutit Precision për Imunologji thotë  se agjërimi për një kohë të gjatë mund ta dëmtojë sistemin imunologjik. Sipas saj, çdo agjërim për më shumë se 2 ditë paraqet rrezik!

Sa i përket vaksinës, nuk ka nevojë detoksikim, sepse në rastin e vaksinës mARNtrupi e shpërbën dhe e eliminon atë . Në këtë link  mund të shihni se si bëhet kjo.

Për më tepër, rreziku nga mpiksja e gjakut pas vaksinimit është i ulët. Sipas Agjencisë evropiane të barnave, deri më 20 Prill, ka pasur vetëm 300 raste të mpiksjes së rrallë të gjakut në të gjithë botën! Nga ato, vetëm 20 janë lidhur me vaksinën Pfizer!

Nuk ka asnjë hulumtim mbarëbotëror, asnjë rekomandim nga një organ mjekësor zyrtar, përfshirë OBSH -në, Administratën Amerikane të ushqimit dhe barnave, Agjencinë evropiane të barnave, apo ndonjë pikëpamje shkencore se pas vaksinimit duhet të bëhet detoksikim. Dhe akoma më pak 40 ditë agjërim vetëm me ujë. Kjo shpikje, 40 ditë agjërim vetëm me ujë, është një metodë e rrezikshme, e cila nuk duhet të bëhet nga askush pa mbikëqyrje mjekësore dhe pa u konsultuar me mjekun. Mpiksja e gjakut ndodh në raste jashtëzakonisht të rralla. Prandaj, postimin  që po e recenzojmë e vlerësojmë si dezinformatë që mund të shkaktojë dëme të mëdha.

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button