RMV, Mësimet nga kriza e refugjatëve të vihen në funksion të valës së re të mundshme

Autoritetet e Maqedonisë thonë se janë të përgatitur t’i përgjigjen fluksit të mundshëm të paligjshëm të refugjatëve nga Afganistani. Greqia ka ngritur një gardh teli prej 40 km. OJQ-të thonë se mësimet nga kriza e refugjatëve janë mësuar, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

Pak njerëz ia kanë dalë të largohen ligjërisht nga Kabuli dhe të mbërrijnë në vende të sigurta. Por ka ende shumë njerëz të frikësuar brenda dhe rreth qytetit, të cilët gjatë ditëve të kaluara janë përpjekur të ikin nga frika se talibanët, pasi e morën pushtetin një javë më parë, do të jenë të pamëshirshëm ndaj tyre. Një pjesë e afganëve, si më parë, do të kërkojnë lumturinë e tyre në tokën evropiane përmes kanaleve ilegale, ku bie edhe rruga e njohur e Ballkanit.

Rruga e Ballkanit para një vale të re refugjatësh nga Afganistani?

OJQ-të paralajmërojnë se Maqedonia, si pjesë e rrugës ballkanike për transit ilegal të refugjatëve, duhet të përgatitet për një valë të mundshme migrimi. Autoritetet thonë se kanë e kanë mësuar mësimin nga kriza e refugjatëve në vitin 2015 dhe këtë herë janë gati për një valë të re të mundshme të refugjatëve ilegalë nga Afganistani.

Koordinatori kombëtar, i qeverisë, për menaxhim të in e kufirit Vladimir Pivovarov thotë se vala e tanishme e emigrantëve ilegalë që kalojnë nëpër Maqedoni me ndihmën e kontrabandistëve përfshin njerëz që vijnë kryesisht nga Afganistani dhe Pakistani. Ai shpjegon se bashkëpunimi me të gjitha shërbimet e sigurimit duhet të jetë në një nivel të lartë sepse në botë nuk ka kufi të mbyllur hermetikisht. Sipas tij, operacioni kryesor i shërbimeve tani ka për qëllim luftimin e krimit të organizuar që merret me kontrabandë të migrantëve.

“Migrantët vetë nuk mund të lëvizin nëpër rrugë, sepse ata nuk i dinë as rrugët, as drejtimet e lëvizjes, prandaj janë kontrabandistët të cilët ua rrëfejnë dhe i bartin përtej kufijve. Sigurisht, nëse ka nevojë, forcat e sigurisë në kufi do të rriten, e dini se kufirin jugor përveç policisë do ta sigurojë edhe ushtria. Ashtu që, nuk pres që të kem ndonjë problem serioz me rritjen e numrit të njerëzve siç pritet dhe parashikohet. Është mirë që Greqia ka vënë në përdorim gardhin e ri prej 40 km me tela, sepse problemi ynë më i madh është ardhja e emigrantëve nga kufiri jugor. Mendoj se ne jemi të përgatitur të përgjigjemi në koalicion me partnerët tanë”, tha Pivovarov.

Afganistan
Afganistan

Turqia dhe Greqia kanë rënë dakord që mos të jenë portë hyrëse në Evropë për refugjatët afganë. Greqia, një nga vendet e para të BE –së, në të cilin hyjnë refugjatët nga Turqia, ka thënë se mund të riatdhesojë të gjithë afganët që hyjnë ilegalisht në vend.

Profesori i universitetit Trpe Stojanovski thotë se situata e re në Afganistan ka shumë gjasa të prodhojë valë refugjatësh dhe emigrantësh të cilët do të lëvizin përgjatë rrugëve tashmë të krijuara siç është ajo e Ballkanit. Detyra kryesore e autoriteteve duhet të jetë monitorimi i situatës dhe pjesëmarrja në projeksionet dhe planet e Bashkimit Evropian, i cili, siç thotë ai, edhe pse është i ngadaltë në veprimin e tij, është ende konsistent në atë segment dhe për të zbuluar situatën fillestare.

“Në atë situatë, duhet të marrim pjesë në mënyrë të integruar, përgjegjësitë dhe kompetencat duhet të ndahen. Prania e policëve të huaj në Republikën e Maqedonisë së Veriut në kufirin jugor është sigurisht një avantazh në shumë aspekte, veçanërisht pasi do të thotë pjesëmarrje në përgjigjet globale të vendeve të Bashkimit dhe në atë aspekt ajo që është bërë deri më tani dhe mësimet e nxjerra deri më tani duhet të vazhdojnë me intensitet të shtuar”, tha ai.

Turqia pritet të jetë e para që do të goditet nga vala e re e refugjatëve, prandaj së pari duhet të monitorohen zhvillimet atje, tha Stojanovski. Ai shton se ajo që është mësuar nga organizatat e shoqërisë civile që merren me valën e parë të refugjatëve do të duhet të vihet në veprim dhe të ofrohet ndihmë në punën e tyre.

Disa trase të rrugës ballkanike janë më të ndërlikuara sesa ishin pesë vjet më parë, dhe migrantët detyrohen të kalojnë terrenin e vështirë për të shmangur barrierat kufitare dhe patrullimet e shtuara.

Aeroporti i Kabulit, Afganistan, foto: AA
Aeroporti i Kabulit, Afganistan, foto: AA

Nga OJQ Legis e cila vitet e fundit është marrë me refugjatë dhe u ka ndihmuar, thonë se rruga ballkanike kurrë nuk ka pushuar së qeni aktive. Mersiha Smailoviq nga organizata qytetare “Legis”, e cila ka zyrë në kampet e pritjes në Tabanovc, Vinojug në Gjevgjeli dhe në fshatin Llojan, thotë se mësimet në trajtimin e migrantëve dhe refugjatëve ilegalë është mësuar dhe se si OJQ-të ashtu edhe shteti është gati për një valë të re të mundshme.

Por ajo thotë se një nga gjërat që shteti duhet të bëjë tani është përgatitja për miratimin e kërkesave për azil.

“Deri më tani, janë tre afganë në vendin tonë, njëri prej të cilëve ka mbrojtje zëvendësuese për një vit, ndërsa ne kemi një grua që është në rrezik të madh dhe aplikimi i së cilës nuk është miratuar fare, ndërsa ajo qëndron në Maqedoni tashmë një vit”, tha Smailloviq.

Ligji është i qartë, nëse ata vijnë nga një vend ku ka luftë, ata janë refugjatë dhe atyre duhet t’u jepet statusi i refugjatit, dhe kështu të ndryshohet praktika aktuale. Gjegjësisht, siç shpjegon Smailloviq, duhet të vihet në funksion ligji për mbrojtje të përkohshme ndërkombëtare si dhe zbatimi i ligjit ndërkombëtar.

Në vitin 2015, qindra mijëra emigrantë dhe refugjatë kaluan Ballkanin në kolona, ​​duke arritur në gadishull nëpërmjet Greqisë para se të niseshin për në veri. Rruga u mbyll zyrtarisht sipas një marrëveshjeje midis Brukselit dhe Turqisë në vitin 2016. Por në realitet, lëvizja nuk u ndal kurrë. Edhe pse numrat janë më të vegjël, dhjetëra mijëra ende kalojnë nëpër rajon çdo vit, duke ikur nga lufta dhe varfëria nga Azia, Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button