Fundamentalizmat modernë: fetar dhe sekular (I)

“Feja është si gozhda. Sa më tepër që e godet, aq më tepër ngulitet.”
ish-ministër i mbrojtjes i BRSS

15 gusht 2021. Talibanët sërish marrin pushtetin në Afganistan, ndryshojnë agjendën globale të ditëve të kurbës në ngritje të rasteve Covid-19. Skena të valleve me kallashnikovë, vetështypje e njerëzve para aeroportit, ekzekutime ushtarakësh, pamje apokaliptike… Riaktualizohet një nga termat dhe temat e rëndësishme të sociologjisë së religjionit: fundamentalizmi, që nënkupton një lloj të lëvizjes fetare konservatore që mbron konformitetin strikt ndaj teksteve fetare (Britannica). Sipas Hughes, Kroehler dhe Vander Zanden (1999: 369) fundamentalizmi, në esencë është koncept protestant që lidhet me rrënjët e frymëzimit fetar, që e kundërshton teologjinë „moderniste“ dhe përpiqet t’i konservojë parimet bazë të krishterimit tradicional, që Biblën e merr si fjalë të saktë dhe të pagabueshme të Zotit dhe e ripohon autoritetin tradicional. Më gjerësisht, ky term ka filluar të përdoret në pjesën e vonshme të shekullit XX në lidhje me një sërë lëvizjesh fetare.

Fundamentalizmii krishterë u shfaq në SHBA në fund të shekullit XIX (1875), trajtën e mori mes viteve 1910-1913, kur u botua përmbledhja e teksteve Fundamentet. Sipas Bernard Lewis-it, fundamentalizmi është një term krishter që lidhet me klerikët e shekullit XX, të cilët kundërshtonin teologët modernistë/liberalë. Fundamentalistët refuzuan dialogun jo vetëm me fetë jokrishtere por edhe me katolicizmin e ortodoksizmin e krishterë, nuk e pranonin teorinë darviniste të evolucionit, madje u munduan që me ligj të ndalohej mësimi i kësaj teorie nëpër shkollat amerikane.
Në kuptimin më të gjerë, kjo fjalë nënkupton pikëpamje apo lëvizje fetare qoftë çifute, krishtere ose myslimane, e cila niset nga fundamenti apo baza më e thellë e fesë dhe ngulmon në konsekuencat e fundit dhe rrënjësore lidhur me mënyrën e të menduarit, të vepruarit etj. Thelbi i fundamentalizmit, që ka të bëjë edhe me tradicionalizmin, konservatorizmin dhe ortodoksinë,  qëndron në mendimin e thënë hapur ose fshehtazi se bota dhe njerëzimi, historia dhe shkenca duhet t’i përshtaten fesë, dogmës fetare etj. e jo anasjelltas. Sipas Karen Armstrongut fundamentalizmi mund të trajtohet si lëvizje pasmoderne që i refuzon disa nga bindjet dhe pasionet e modernitetit. Në përvojën e mendimit filozofik dhe sociologjik perëndimor, sipas John F. Wilsonit ky term paraqet riverifikimin e traditës fetare në një formë të kondensuar, të pastruar ose të reduktuar. Përveç reduktimit të traditës, fundamentalizmi parasheh edhe rreptësimin e kritereve fetare si përgjigje sfidave të bashkëkohësisë, të cilën e kundërshton ashpër.

Sot ky term më tepër përdoret për t’i cilësuar lëvizjet fetare islame, përpjekjet për restaurimin e shoqërisë islame sipas përvojave të brezit të parë të myslimanëve (R.A. Gibb) dhe sipas Lewis-it edhepse ka qenë modë (sot është zëvendësuar me sintagmën „terrorizëm islamik“), ka qenë i pasaktë. Me këtë fjalë bota perëndimore nënkupton myslimanët që i lidhen sheriatit (ligjit fetar islam), Kur’anit dhe traditës profetike (sunneti), besimtarët që synojnë rrënimin e të gjitha ligjeve dhe rregullave shoqërore të importuara e të modernizuara dhe zëvendësimin e tyre me normat e sheriatit. Profesori boshnjak, Fikret Karçiq pohon se fundamentalizmi islamik përbën një orientim ideologjik në botën islame bashkëkohore, që me të gjitha forcat mundohet të ndërtojë një ideologji të derivuar nga burimet kryesore të mësimeve islame dhe nga historia e hershme islame, nga koha e artë e islamit që është simbolizuar me brezin e parë të myslimanëve, që përbën modelin e vetëm të vlefshëm dhe normativisht të detyrueshëm. Sipas tij, fundamentalistët islamikë këmbëngulin se islami i përfshin të gjitha aspektet e jetës dhe më shpesh përcaktohet si „sistem“, ata theksojnë autenticitetin dhe veçanësinë e normave dhe institucioneve islame; kërkojnë largimin e shtresave historike nga interpretimi dhe praktika islame; përvojës nga bashkësia e parë myslimane e Medinës i japin karakter normativ dhe e konsiderojnë mostër të realizimit të islamit. (vijon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button