Cameron-Merkel vijojnë bisedimet

Kryeministri britanik mbërriti në Berlin të premten dhe po qëndron tek rezidenca zyrtare e Merkel me bashkëshorten e tij Samantha dhe tre fëmijët e tyre. 

Zoti Cameron beson se BE duhet të ndryshojë për t’i lejuar Britanisë dhe vendeve të tjera, që të mos kufizohen nga të gjitha vendimet e tij. 

Në bisedime do të trajtohet gjithashtu samiti i grupit G8 në qershor, që do të mbahet në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe çështja e Sirisë. 

Zyra e Cameron po përpiqet ndërkohë të riorganizojë takimin e tij me presidentin francez Francois Hollande, pasi kryeministri u tërhoq ditën e hënë për shkak të vdekjes së baroneshës Thatcher. 

Laburistët deklarojnë se vizita e Cameron në Gjermani tregoi se kryeministri është “hutuar” mes kërkesave të konservatorëve dhe atyre të liderëve të Bashkimit Evropian. 

Në një fjalim mbi të ardhmen e Britanisë në Evropë më herët gjatë vitit, zoti Cameron njoftoi mbajtjen e një referendumi në fazat e para të legjislaturës së re, nëse Konservatorët fitojnë zgjedhjet e përgjithshme. 

Ai ka argumentuar se çështja duhet të zgjidhet para se votuesve britanikë t’u kërkohet nëse duan t’u japin fund lidhjeve me Brukselin. 

Duke folur për mediat më herët gjatë javës, zoti Cameron tha se, më e mira për Britaninë do të ishte një anëtarësi e një unioni evropian të reformuar. /Top Channel/

Lajme të ngjashme

Back to top button