Itali, nën kërcënime gazetarët që raportojnë mbi mafian

Për gazetarët në Itali, raportimet mbi mafian kanë qenë gjithmonë të rrezikshme. Kohët e fundit disa gazetarë janë sulmuar. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Iacopo Luzi njofton se mbi 20 prej tyre janë aktualisht nën mbrojtjen e policisë për shkak të kërcënimeve.

Vënie e qëllimshme e zjarrit, kërcënime të vazhdueshme për vrasje – të gjitha dëshmi e rrezikut që ndeshin gazetarët që mbulojnë mafian në Itali.

“Vërejmë forma presioni, frikësimi. Kohët e fundit në Sirakuzë u dogj makina e një punonjësi të shtypit. Në Siçili, një gazetar u sulmua dhe mbeti handikapad nga mafia,” tregon pedagogu i kriminalitetit në Universitetin e Oksfordit, Federico Varese.

Vjet, mbi 80 gazetarë thanë se ishin kërcënuar për raportimet e tyre mbi mafian në Itali, sipas një raporti të Departamentit amerikan të Shtetit. Rreth 20 gazetarë janë nën mbrojtje 24 orëshe nga policia, ndër ta prezantuesi televiziv Massimo Giletti.

“Puna për të ndriçuar të vërtetën nuk mund të ndalet. Të gjithë ata që bëjnë të njëjtën punë si unë janë mbikqyrës të sistemit. Gazetaria nuk bëhet duke kthyer kokën në anën tjetër,” thotë gazetari Giletti.

Në një regjistrim të një bisede të kreut të rrjetit kriminal “Cosa Nostra”, Filippo Graviano, ai dëgjohet duke diskutuar detaje të një plani për të sulmuar gazetarin Giletti.

Graviano flet për kokëçarjet që kanë dalë pasi gazetari njoftoi emrat e 300 kapove të krimit që do të liroheshin nga burgu gjatë pandemisë.

Ndër ata edhe një i dënuar për vrasjen e një 14 vjeçari, trupi i të cilit u hodh në acid.

Falë raportimit të gazetarit Giletti, ai mbeti pas hekurave.

Giletti tani është nën mbrojtjen e policisë, megjithatë i trembet përsëri rrezikut për jetën sa herë del nga shtëpia.

“Situatë shumë e vështirë, e çuditshme. Nuk kam lirinë të lëviz, të flas me njerëzit. Gjithmonë kam pranë dy rojet,” tregon gazetari.

Mafia sot përpiqet të mos tërheqë vëmendje, thotë gazetari Giletti. Megjithatë, kjo organizatë vazhdon aktivitetin kriminal në Milano e Romë, si dhe vazhdon të kërcënojë gazetarët.

Pjesa më e madhe e kërcënimeve bëhen përmes internetit, sipas komisionit anti-mafia me seli në Romë. Por bandat kanë më pak fuqi për të kryer vrasjen e pjesëtarëve të shtypit, thotë Federico Varese, transmeton VOA.

“Organizata duhet të jetë shumë e fuqishme që të arrijë deri në pikën e vrasjes së një gazetari. Këto rrjete nuk janë aq të fuqishme sa ç’kanë qenë dhe nuk mendoj se janë të afta të ndërmarrin veprime të tilla drastike,” thotë profesori.

E vetmja mënyrë për të mposhtur Cosa Nostran, thotë zoti Giletti, është të kapërcehet tradita e heshtjes që ende mbron këto organizata.

“Duhet të investojmë në shkolla në këto zona. Për fat të keq atje fëmijët rriten me një traditë që është vështirë të thyhet: omertà apo kanuni i heshtjes. Nëse gënjejmë veten se policia dhe gjykatat do ta mundin mafian, do të bëjmë një gabim të rëndë, pasi po nënvlerësojmë fuqinë e mafias,” thotë zoti Giletti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button