ANALIZË: Nga 0 deri në mbi 90% – cilat ministri dhe institucione sa i kanë realizuar investimet publike? (Infografik)

Tremujori i tretë ekonomik është nga fundi – deri në mes të gushtit përmes buxhetit të shtetit janë realizuar vetëm 155.5 milionë euro, nga totali i planifikuar për këtë vit prej 483 milionë euro. Disa institucione shtetërore arritën të kenë realizim të shpenzimeve kapitale prej mbi 90%, ndërsa te disa të tjera realizimi është zero, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Për shtatë muaj – realizim prej 30% i investimeve publike…

Plani historikisht më ambicioz për arritjen e shpenzimeve kapitale prej gati 500 milionë euro, këtë vit është pjesë e buxhetit të ribalancuar të këtij viti.  Deri në mes të gushtit, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, u realizuan 32% e totalit të shpenzimeve kapitale të planifikuara. Sa i përket Buxhetit të mëparshëm, me buxhetin e ribalancuar, Qeveria i “rriti” investimet publike për gati 24%, duke njoftuar se do të realizohen. Pikërisht ky zë i buxhetit ishte një nga atutë kryesorë për rimëkëmbjen ekonomike.

“Rritja reale e investimeve bruto parashikohet të jetë 8% në vitin 2021, në kushte të rritjes së pritur si të investimeve publike ashtu edhe atyre private” – thuhet në Buxhet.

Nëse deri në fund të korrikut janë realizuar vetëm 30% e investimeve publike të planifikuara, kanë mbetur edhe pesë muaj për të “kompensuar” pjesën e mbetur prej 70% të shumës totale të planifikuar të shpenzimeve kapitale. Disa nga institucionet dhe ministritë mbajnë një dinamikë në realizim, kurse në disa të tjera përqindja e realizimit është zero – konkretisht pa realizim ose me realizim minimal janë Komisioni Shtetëror Zgjedhor 0%, Komisioni Rregullator i Banimit 0%, Komisioni për Mbrojtjen nga Diskriminimi 1,9%. Në atë grup është edhe Këshilli i Inspektimit i cili, edhe pse ka gati gjysmë milionë euro në dispozicion për shpenzime kapitale – deri në fund të korrikut realizimi është zero. Administrata Doganore ka në dispozicion 1,5 milion euro, kurse për shtatë muaj ka realizuar shpenzime kapitale në vlerë prej 104,000 euro ose 7%.

Një nga ministritë me realizim më të ulët është Ministria e Mbrojtjes – me realizimin e 3,1% të shpenzimeve kapitale të planifikuara, kurse prapa saj është Ministria e Punëve të Jashtme me një realizim prej 6,6%.

Vlen të përmendet se në ministritë në kompetencat e të cilave janë projekte të rëndësishme strategjike dhe të shtrenjta, tani për tani është regjistruar një realizim më i dobët – Ministria e Transportit ka në dispozicion 51,3 milion euro, ndërsa deri në fund të korrikut ka shpenzuar 13,7 milion euro. Në kompetencë të kësaj ministrie, për shembull, është ndërtimi i banesave sociale për të cilat janë planifikuar 3,1 milion euro, për ujësjellësin dhe kanalizimet për komunat 3,7 milion euro, 9,4 milion euro për ndërtimin e rrugëve lokale, për gazifikimin 11,5 milionë euro dhe për investime në infrastrukturën hekurudhore – 25,6 milionë euro.  Edhe në Ministrinë e Arsimit e cila ka miliona fonde për ndërtimin dhe rindërtimin e shkollave, sallave sportive, konvikteve për nxënës dhe studentë, realizimi i investimeve për një periudhë prej shtatë muajsh është më i ulët se 30 për qind.

Realizim prej vetëm 22% të shpenzimeve kapitale ka në Ministrinë e Shëndetësisë të cilës, me ribalancimin e buxhetit, fondet për rindërtimin dhe zgjerimin e objekteve të institucioneve publike shëndetësore iu dyfishuan në 5,1 milion euro, ndërsa për ndërtimin e Spitalit të Përgjithshëm në Kërçovë, iu ndanë 1.2 milion euro.

Nga institucionet e tjera shtetërore – Kuvendi nga 2.2 milion eurot e planifikuara për investime kapitale ka shpenzuar vetëm 60,000 euro ose 5,5%, kurse Agjencia për Zbulim megjithëse dispono vetëm me 90,000 euro për shpenzime kapitale, për shtatë muaj e ka “harxhuar” pothuajse gjithë shumën. Komisioni Kundër Korrupsionit realizoi vetëm 10,5% të shpenzimeve kapitale të planifikuara, ndërsa Fondi i Sigurimit Shëndetësor ka realizuar 17%.

Qeveria njoftoi se realizimi i investimeve publike do të monitorohet nga afër dhe se institucionet që nuk do t’i realizojnë planet do të mbajnë “përgjegjësi”.  Zakonisht në fund të vitit, shpenzimet kapitale realizohen me një ritëm të intensifikuar, por praktika e deritanishme tregon se realizimi i investimeve publike në tërësi mbetet vetëm një plan ambicioz dhe premtim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button