RMV, fitimi është zvogëluar për 30% për shkak të kovid masave, alarmojnë nga Oda për turizëm dhe hotelieri

Fitimi i hotelierëve ka pësuar rënie drastike pasi kanë hyrë në fuqi masat më të reja për mbrojtje nga kovid edhe atë për 30% më pak në krahasim me javët e kaluara, njoftuan sot nga Oda për turizëm dhe hotelieri. Martin Angellovski, nënkryetari i Odës për turizëm dhe hotelieri, tha se kërkojnë ndryshime të masave të miratuara, raporton SP, përcjell Portalb.mk.

“Konsiderojmë që duhet të krijohet mundësi për hyrje në objekte edhe për personat të cilët janë shëruar nga kovid-19 gjashtë muajt e kaluar ose të cilët do të paraqesin rezultat negativ të testit PCR ose test për antigjen. Në atë mënyrë sërish praktikohet kujdes për mbrojtjen e shëndetit, mirëpo krijohet mundësi shtesë që të mos jenë të izoluar personat të cilët nuk janë të vaksinuar, ndërkohë që kanë fituar imunitet ose me test e vërtetojnë që nuk janë bartës të virusit”, tha Angellovski.

Ana Marija Aleksova, anëtare e odës, prezantoi kërkesa shtesë të cilat kanë të bëjnë me sektorin turizëm. Më konkretisht, ajo kërkon mundësi tjera për izolimin e paraparë shtatë ditor.

“Në këtë pjesë kërkojmë që izolimi të mund të ndërpritet me test të paraqitur negativ. Kjo do të thotë se qytetarët në kalimet kufitare të marrin dokument për vetë-izolim, ndërsa i njëjti mund të ndërpritet me parashtrim të PCR testit negative apo të testit për antigjen në 24 orët e para”, theksoi Aleksova.

Aleksova shton se nevojitet të ketë mundësi që teste për kovid të bëhen edhe në zonat ndërkufitare të cilat do të jenë me çmime të pranueshme, ndërsa të ketë edhe mundësi për hyrje në shtet me test negative për аntigjen i cili mund të blihet në barnatore.

Më 17 gusht, Qeveria miratoi vendim për hyrje në objekte hotelierike, kafene dhe bare në qendra të mbyllura tregtare, bastore dhe kazino qytetarët të jenë të obliguar të paraqesin certifikatë për vaksinim ose që janë shëruar nga kovid gjatë 45 ditëve të fundit, duke llogaritur nga dita e shërimit, si dhe test negativ të bërë 72 orë para hyrjes në vend. Për shtetasit e Maqedonisë të cilët do të kthehen në vend pas një shtatorit, ndërsa nuk kanë PCR test apo vërtetime për pranim të vaksinës ose që janë shëruar nga Kovid-19, do të përcaktohet masë karantinë prej shtatë ditësh izolim shtëpiak me aktvendim nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button