RMV, 91% e të hospitalizuarve me COVID-19 nuk janë të vaksinuar

Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut e ka publikuar analizën dyjavore të të vaksinuarve, nga rastet pozitive me COVID-19. Për të vaksinuar llogariten personat që kanë marrë dy doza të vaksinës dhe kanë kaluar së paku 14 ditë nga pranimi I dozës së dytë, njofton Portalb.mk.

“Në periudhën prej 06.08. deri më 19.08.2021 në territorin e shtetit 9.881 qytetarë janë pozitiv në COVID-19, prej tyre vetëm 15 kanë qenë tërësisht të vaksinuar, gjegjësisht 1.507 persona. Është i madh numri i të pavaksinuarve që janë infektuar me COVID-19. Sipas statistikës dyjavore, 8.374 qytetarë të infektuar me COVID-19 nuk kanë qenë të vaksinuar. Përqindja e personave të hospitalizuarve me COVID-19 është 91%, derisa vetëm 9 prej tyre nga të gjithë 724 pacientë të cilët momentalisht janë të hospitalizuarve janë të vaksinuar”, informojnë nga MSH.

Sipas MSH-së, vdekshmëria te personat e pavaksinuar është shumë më e madhe.

“Në periudhën prej dy javëve në territorin e vendit kanë vdekur 101 persona me COVID-19, 92 pacientë prej të vdekurve nuk kanë qenë të vaksinuar, a vetëm 9 (8%) kanë pranuar vaksinë. Sipas analizave, të vdekurit kanë pasur disa sëmundje kronike”, thuhet në kumtesë.

Nga MSH thonë se edhe të infektuarit, por edhe të vdekurit janë vaksinuar me vaksinat që janë në dispozicion te ne, por edhe me vaksinat Moderna dhe Xhonson & Xhonson, të cilat disa pacientë i kanë marrë jashtë vendit.

Ministria e Shëndetësisë e thekson rëndësinë e vaksinimit dhe siç thonë ata, çdo vaksinë që është në dispozicion është e sigurt.

“E zvogëlon gjasën e sëmundjes, parandalon formë të rëndë të sëmundjes dhe mbron nga epilogu vdekjeprurës”, shtojnë nga MSH.

Ministria u bën apel qytetarëve që të vaksinohen pasi që vetëm ashtu do të vihet deri tek imuniteti kolektiv dhe do ta parandalojmë shpërndarjen e mutacioneve të SarsCov2.

Ndryshe pas publikimit të masave të reja restriktive, është rritur interesi i qytetarëve për t’u vaksinuar.

Gjatë ditës së djeshme, vaksinimi është i pandërprerë në të gjitha pikat në të gjithë vendin, por edhe në terren. Deri tani, gjithsej 638,428 qytetarë janë vaksinuar në pikat e vaksinimit në vend dhe në terren. Vetëm dje, 13,275 e kanë marrë dozën e parë të vaksinës, ndërkaq gjithsej dje janë vaksinuar 17,623 qytetarë. Deri tani u janë dhënë 1,134,231 doza të vaksinave. 495,803 qytetarë janë rivaksinuar, 624.819 qytetarë kanë marrë të paktë një dozë të vaksinës.

Sipas shifrave të fundit, 70% e popullsisë mbi 70 vjeç kanë marrë të paktën një dozë vaksine, 67% e popullsisë mbi 65 vjeç janë vaksinuar me të paktën një dozë vaksine, 63% e popullsia mbi 60 vjeç është vaksinuar me të paktën një dozë vaksine dhe 53% e popullsisë mbi moshën 50 vjeç është vaksinuar me të paktën një dozë të vaksinës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button