9 vite premtime për shkollën në Reçicë të Vogël, autoritetet presin që të jetë gati për vitin e ri shkollor (FOTO)

Shkolla në Reçicë të Vogël e cila premtohet nga kryetarja e komunës së Tetovës gati 9 vite, filloi të ndërtohet 13 ditë para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020 ndërsa pritet të jetë gati brenda dhjetë ditëve, gjegjësisht para më pak se dy muaj nga zgjedhjet lokale të tetorit të vitit 2021. Komuna e Tetovës nuk u përgjigj në pyetjet e Portalb.mk kurse ministrja Carovska tha se janë në fazën përfundimtare dhe se do të na ftojnë në prerjen e shiritit. Punimet në terren vazhdojnë në mënyrë intensive, sipas punonjësve pritet të mbarojnë deri në fund të gushtit, shkruan Portalb.mk.

Shkolla në fillore në Reçicë të Vogël është premtuar disa here gati se një dekadë tani, si nga pushteti lokal po ashtu edhe nga ai qendror. Siç duket pritjes i ka ardhur fundi dhe shkolla është në fazën e saj përfundimtare, të paktën kështu thonë autoritetet lokale dhe qendrore. Qytetarëve të Maqedonisë së Veriut ndërtimi i kësaj shkolle e cila është nevojë shumëvjeçare e banorëve të Reçicës së Vogël ju ka kushtuar 84,34 milion denarë.

Tetuta Arifi, foto: Komuna e Tetovës
Tetuta Arifi, foto: Komuna e Tetovës

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi me 24 korrik nëpërmjet rrjetit të saj Facebook nëpërmjet një videoje paralajmëroi se ndërtimet janë në fazën përfundimtare dhe se deri në shtator shkolla pritet të jetë gati.

“Sipas informacioneve që morëm sot nga kompania e cila i realizon punimet, parashikimet janë që në shtator të jenë të gatshme dhe të dorëzohet si punë, prandaj do të isha shumë e lumtur në qoftë se do të arrinim që ky vit shkollor të fillojë me prezencë fizike dhe njëkohësisht sa më shumë nxënës të munden ta shfrytëzojnë këtë objekt të ri shkollor”, tha Tetuta Arifi me 24 korrik.

Për këtë gazetari i Portalb.mk gjatë ditës së djeshme kontaktoi me Komunën e Tetovës në lidhje me atë se ku kanë mbërritur punimet, a janë në përfundim dhe a pritet që  shkolla të jetë gati në shtator, nga Komuna e Tetovës nuk u përgjigjën.

Mila Carovska, foto:Portalb.mk/Fisnik Xhelili
Mila Carovska, foto:Portalb.mk/Fisnik Xhelili

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska për Portalb.mk tha se punimet janë drejt përfundimit, duke shtuar se vijon vendosja e pajisjeve që duhen bërë për të filluar shkolla.

E pyetur për atë se mund të presim që shkolla të fillojë në shtator ministrja i shpreh kështu:

 “Në momentin kur do të jetë gati për të filluar, do t’ju ftojmë në prerjen e shiritit”.

Për të verifikuar se ku kishin mbërritur punimet në Shkollën e Reçicës së Vogël, gazetari i Portalb.mk ishte në terren te vetë shkolla dhe verifikoi se aty ishte duke u punuar në mënyrë intensive.

Biseduam edhe me punëtorët që punonin aty, gjithashtu i pyetëm se a kanë një afat deri kur duhet të mbarojnë punimet, një nga mjeshtrit kryesor na tha se brenda dhjetë ditëve do të mbarojnë punimet.

“Me përfundimin e gushtit përfundojnë punimet brenda dhe jashtë, secila fazë është në fund”, tha një nga mjeshtrit kryesor.

Kështu duket për momentin shkolla në Reçicë të Vogël:

This slideshow requires JavaScript.

Praktika 9 vjeçare thotë se kjo temë hapet gjithmonë para cikleve zgjedhore

  • 2013- Zgjedhjet lokale

Programi i vitit 2013 kandidates të atëhershme për kryetare të Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, parashihte ndërtimin e shkollës fillore “Naim Frashëri” në Reçicë të vogël.

Kjo nuk ndodhi.

  • 2017- Zgjedhjet lokale

Meqenëse shkolla e premtuar në vitin 2013 nuk u realizua, kryetarja Arifi të njëjtin premtim e dha edhe gjatë fushatës për zgjedhje lokale të vitit 2017 në debatin “Debat për nime” të organizuar nga Portalb.mk.

Gazetarja Jeta Xharra: Sa herë e keni premtuar ndërtimin e shkollës në Reçicë të Vogël?

Teuta Arifi: E kam premtuar një here, aq premton njeriu, jo më shumë.

Gazetarja Jeta Xharra: A e premtoni përsëri?

Teuta Arifi: Absolutisht po.

Gazetarja Jeta Xharra: A e premtoni për ta kry shkollën apo për lejet?

Teuta Arifi: Premtoj se do të kryhet, për shkak se buxhetimi nuk do të vije nga Komuna e Tetovës.

  • 2020- (Janar) menjëherë pasi u caktuan zgjedhjet e prillit.

Edhe pse kaluan 3 vite dhe aspak nuk u përmend ndërtimi i kësaj shkolle, disa ditë pasi u sigurua se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen në muajin prill, ministri i Arsimit, Arbër Ademi, në rrjetin social “Fejsbuk” publikoi kontratën për ndërtimin e shkollës.

Sipas asaj kontrate, shkolla parashihej të hapej në shtator të vitit 2021. Megjithatë, me anulimin e zgjedhjeve të prillit, për pesë muaj rresht as një fjalë nuk është thënë për ndërtimin e kësaj shkolle.

  •  2020- (Maj) disa ditë para fillimit të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e qershorit

Menjëherë pasi Portalb.mk informoi se punët për shkollën fillore në Reçicë të Vogël ende nuk kishin filluar, ministri i arsimit dhe shkencës, Arbër Ademi, në rrjetin social “Facebook” njoftoi se ka nënshkruar vendimin për zgjedhjen e kompanisë për ndërtimin e objektit të ri të shkollës fillore “Naim Frashëri”.

“Sot me kënaqësinë më të madhe e nënshkruajta Vendimin për zgjedhjen e Operatorit ekonomik (Kompanisë) me ofertën më të lirë për ndërtimin e objektit të ri shkollorë për nxënësit e SHFK “Naim Frashëri”, të Reçicës Vogël, komuna e Tetovës. Punimet fillojnë së shpejti!” shkruan ministri në Fejsbuk.

  • 2020 (Korrik)-  Pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të korrikut

Pasi u premtua në çdo cikël zgjedhor për tetë vite radhazi, punimet për ndërtimin e shkollës fillore në Reçicë të Vogël filluan me 2 korrik 2020, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare.

Bazuar në kontratën e nënshkruar për këtë të fundit, punimet duhej të përfundonin pas 11 muajsh, respektivisht në maj të vitit 2021, që nuk u bë.

“Atë që e premtojmë edhe e bëjmë. Filluan punimet për ndërtimin e shkollës fillore “Naim Frashëri” në Reçicë të vogël” shkruan Arifi në Facebook me 2 korrik 2020.

  • 2020 (Dhjetor)- Ministria e Arsimit dhe Shkencës premtoi se shkolla do të përfundoje në qershor të vitit 2021, gjegjësisht katër muaj para zgjedhjeve lokale të tetorit, por nuk u bë as gjatë muajit qershor.

Ndryshe, Portalb.mk ka ndjekur dhe do të vazhdoje të ndjekë dinamikën e punimeve për ndërtimin e kësaj shkolle, për shkak se njëjta është një nevojë e madhe për të rinjtë e këtij vendi, në këtë vendbanim rreth 1000 nxënës i ndjekin mësimet disa kilometra larg shtëpive të tyre, një pjesë në Reçicën e Madhe dhe pjesa tjetër në shkollën “Naim Frashëri” në Tetovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button