Shkrime greke për Shqipërinë dhe shqiptarët

Në gjuhën greke, nga autorë grekë e shqiptarë të periudhave të ndryshme historike, janë shkruar shumë vepra mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, që për ne janë pothuajse të panjohura. Për to mësojmë nga një studim i profesorit Dhori Qiriazi, i cili ka vite që jeton e punon në Greqi. Pikërisht duke iu referuar të dhënave të profesorit, po ndalemi në disa prej tyre, duke nisur me dorëshkrimin 70 faqesh me titullin: “Rreth bëmave të vlershme e të lavdishme të Gjergj Krojës, greqisht Kastriotit, Zot dhe Prijës i Shqipërisë e i Epirit”, shkruar nga savanti i Kostandinopolit Nikólaos Karaxás, në shek. XVIII dhe përkthyer në shqip nga studiuesja M. Paizi Apostolopoúlou, në 550-vjetorin e vdekjes së heroit tonë. Fjala është për një vepër të rëndësishme që hedh dritë mbi epopenë skënderbejane, të njohur për grekët edhe nga një sërë veprash të tjera në gjuhën greke të shkruara për Skëderbeun.

Një vepër tjetër interesante është Historia e çifutkës Markadha dhe e shqiptarit Dhimo”, shkruar nga një autor anonim. Në të flitet për rrëmbimin e Markadhës nga i riu Dhimo, që ndodhi në vitin 1667 në lagjen Fanar të Stambollit. Ai ishte biri i një familje të fisme shqiptare të Epirit. që punonte si furrxhi dhe gëzonte respektin e të tjerëve. Një ditë, i ndihmuar nga shokët e tij arvanitë, të gjithë djem të pushkës e të shpatës, rrëmbeu bukuroshen Markadha. Lajmi u përhap shpejt nëpër Stamboll dhe kjo i turpëroi Çifutët, që nga ajo ditë nuk dilnin në rrugë, sepse ngacmoheshin nga mileti. Historia e Markadhës më vonë u bë objekt studimi i helenistëve. Ata u preokupuan me gjuhën dhe autorin e veprës dhe e radhitën atë në mesin e një sërë krijimesh të tjera me temë të njëjtë, të botuara në shek. XIX e XX.

Vepra e tretë e kësaj kolane është “Alipashiada” e autorit Haxhi Shehreti, botuar më 1870. Ajo flet për Luanin e Epirit – shqiptarin kaçak e burrë shteti, mizor e madhështor – Ali Pashën, i cili me bëmat e famshme ka tërhequr vëmendjen e letërsisë greke që merret me shqiptarët, që nga këngët popullore e gjer në studimet e mirëfillta shkencore. Gjithnjë sipas profesor Qiriazit, vepra çmohet për vlerat historike, artistike e gjuhësore…

Të dhëna interesante për historinë dhe gjeografinë e trojeve shqiptare sjell dhe Jeórjios Dhimitríu (shek. XVIII), një savant i shquar nga Gjirokastra. Po sjellim këtu vetëm ca pjesë të përkthyera në shqip nga profesori Dh. Qiriazi, që kanë të bëjnë me përshkrimin e Maqedonisë Veriore dhe Epirit: Banorët e Toskërisë (Tepelenës, Labërisë, Himarës, Kolonjës…), e veçanërisht të anëve të Maqedonisë e të Epirit, janë punëdashës e të përkorë, sidomos në rast fushatash ushtarake. S’duan t’ia dinë as për gjellë e as për verë, as për shtrat e as për tesha. Mbahen me bukë e me ujë, nuk e kanë mendjen te gratë dhe i dënojnë me vdekje pederastët. Janë hakmarrës, të etur për para e lavdi, mendjemprehtë, të përkushtuar ndaj eprorëve dhe nuk e harrojnë të mirën që u ka bërë dikush. Shumë rrallë të zë syri ndonjë fukara që lyp bukë apo para. Mbajnë pushkë e shpata dhe në brez pisqolla. Disa kanë dy pisqolla, të tjerë vetëm një thikë të madhe. Shkodranët janë më të shkathët në shpatë, epirotët në dyfek. Kujdesen të kenë armë të bukura e të praruara. Veshja e tyre nryshon pak prej veshjes së grekëve të lashtë. Ata i mbajnë Turqit për popullin më frikacak, tallen me veshjen e tyre dhe i quajnë ikanakë, kurvarë dhe të trashë…

Në mesin e veprave kushtuar shqiptarëve dhe viseve të tyre është dhe “Gjeografia e Shqipërisë dhe e Epirit”, e shkruar në shek. XIX prej iluministëve grekë Athanásios Psalídhas dhe nxënësit të tij Kozmás Thesprotós. Sipas të dhënave  të profesor Qiriazit: në vitin 1815 Psalidhasi u ngarkua prej Ali Pashës për të shkruar për Pashallëkun e Janinës, sepse i njihte mirë viset e banuara prej shqiptarëve, gjuhën, traditat dhe psikologjinë e tyre. Në këtë vepër gjejmë të regjistruara qysh para dy shekujsh, ndoshta për herë të parë, këngët e njohura “Do marr çiften do dal për gjah” dhe “Trandafili qesh e lot, o qesh e lot”. Rreshtat kushtuar shqiptarëve përshkohen nga realizmi, por edhe nga bindja se ata – sikurse edhe grekët – mund të përparojnë nëse braktisin injorancën dhe i futen udhës së dijes… Vepra flet qartë për mënyrën si shiheshin shqiptarët prej iluministëve grekë gjatë dhjetëvjeçarëve të parë të shek. XIX. Ajo mbetet një provë e pakundërshtueshme – dhe tejet aktuale – e frymës pa  paragjykime për “tjetrin” që mbizotëronte në Ballkan në fillimet e shek. XIX.

Athanásios Psalídhas është dhe autor i veprave “Turqia në fillimet e shekullit XIX” dhe “Arkeologji e shqiptarëve”. Po shkëpusim ca pjesë nga kjo e fundit, sa për t’ia ndier aromën veprës së plotë: Shqipëria përbëhet qëmoti prej dy pjesësh, Iliricum-it dhe Epirit. Ajo kufizohet nga lindja me Maqedoninë e poshtme dhe Thesalinë, nga veriu me Bosnjen dhe Serbinë, në perëndim me detin Jon dhe në jug me gjirin e Ambrakisë. Vargu i maleve të lartë prej Raguze e deri në Zitun shërben si kufi i saj në steré, kufi mjaft i përsosur dhe i pakalueshëm si Muri i gjatë Kinez… Shqiptarët mbahen përgjithësisht për ushtarë të sprovuar, vetëm se janë të pashkollë e të pazanat dhe thuajse askush syresh nuk merret me tregti e prandaj janë fukarenj e vendi ka pak frymë. I vetmi zanat i tyre është dyfeku, por edhe këtë e përdorin pa ustallëk. Megjithatë janë të guximshëm, të pagdhendur e të paepur qysh në mote që s’mbahen mend. Shqiptarët flasin gjuhën e vjetër ilire dhe një pjesë e tyre janë të krishterë ortodoksë, një pakicë e vogël adhurojnë Papën dhe quhen latinë dhe mirditas…

Ndër autorët që përshkruajnë gjeografinë apo shkruajnë historinë e viseve shqiptare është Vasílios Zóto Molosós (1837– 1912), i lindur në Dhrovjan të Delvinës dhe i shkolluar në Stamboll e Athinë. Po shkëpusim disa pjesë nga libri “Udhëpërshkrim i Gadishullit Helenik…”, botuar në Athinë më 1878: Gratë e Gjirokastrës janë bërë të njohura për vajet ndaj të vdekurve, të cilët i qajnë 40 ditë pa pushuar; për vitin në vazhdim, një herë në javë, të shtunave, sipas traditës së krishterë; dhe në 4 vitet që pasojnë, një herë në muaj, të shtunën e fundit. Sa u përket dokeve dhe zakoneve të gjirokastritëve, si dhe të krahinës përballë të Lunxhërisë, me të cilën kanë lidhje farefisnore, ato dallojnë për lashtësinë e tyre, shto këtu edhe veshjet.

Myslimanët e gjithë Epirit jetojnë sipas mënyrës së grekëve të lashtë. Kanë nga një grua dhe janë familje mikpritëse, pa fanatizëm; sillen me fisnikëri ndaj të krishterëve dhe i quajnë vëllezër, siç e thotë edhe shprehja proverbial: „veçan besës jemi vëllezër”.

Labët kanë një të folme të vetën, të ndryshme nga toskërishtja fqinjë, matanë Vjosës, dhe nga e folmja e fisit çam, që banon në brigjet e lumit Thyamis (a Kalamas).

Banorët e Ohrit janë të detyruar të flasin 5 gjuhë; greqishten si gjuhë shkrimi të kishës e të shkollave, turqishten si gjuhë të autoriteteve, serbishten si gjuhë të grave, shqipen dhe vllahishten si gjuhë të tregut.

Në Prizren ka shumë punishte hekuri në të cilat gegët prodhojnë armë të cilësisë së lartë, që konkurrojnë me më të mirat e Europës. Gegët e këtushëm janë më të butë sesa toskët dhe labët, janë më punëdashës dhe merren me zejtari; prodhojnë lloje të shumta cohe, shirita dhe gajtanë të leshtë e prej mëndafshi, si dhe basma të ndryshme, që nuk dallojnë nga ato të Shkodrës dhe të njohura si shkodrane, që i shesin në shumë tregje të Europës.

Në fund fare po sjellim vargjet e vjershës “Shqiptari” të Jánis Vilarás (1771–1823) poet nga anët e Janinës, i cili për një kohë kishte qenë mjek i të birit të Ali Pashës, Veliut. Vjersha është antishqiptare dhe përfaqëson anën e zezë të veprave që kanë shkruar autorët grekë për ne:

Shqipëtar sapo të thuash

Prishader’ ësht’ pak ta quash

Syt’ i zun’ gjësend k’saj bishe?

Kërmës shpejt t’i sulet prite.

Mik për kokë, fort i çmuar,

Aq sa qeni i tërbuar.

E shqiptarit pun’ e parë

Laçka plaçka të t’i marrë.

Kudo shkon e ngado shkel

Prish e shprish çdo gjë që gjen.

Sedërli e namus-hollë,

Nder’ i tij mban sa…një pordhë!

Zhul i gjithi, pis e kromë.

Si un’, thot’, s’ka pastërtor.

Prokopi – sa cjap’ i egër,

Ligësi – si gjarpr’ i verbër.

Me të mir kur don të t’ marrë,

Far’ e fis s’t’i lë pa sharë.

Lypsave me dorën shtrirë

Na u thënka nikoqirë.

Gjës’ së tjetrit i vë synë

S’ka të ngopur, s’ka të fryrë.

Në koliben ku shkon natën,

S’ka veç bar e pakëz kashtë.

Edhe pse q’andej u nis,

Shihe tash në mes t’paris.

Është Skëndua i Skënderit,

Gjith’ dynjaja t’ia dij’ emrin.

Të urresh, në daç, or lalë,

Jetën tate, nderin tat,

Të mohosh vatër e farë,

Bëhu mik me shqipëtarë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button