Ministrja Carovska deri te studentët: Aplikoni deri në fund të muajit për vaktin studentor falas

Gjatë ditës së sotme në hapësirat e kampusit të Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), u mbajt panel diskutimi në lidhje me bursat  dhe mundësitë që u ofrohen studentëve. Në veçanti u diskutua për subvencionin për ushqim nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për të cilin kishte edhe reagim nga ana e studentëve se ky lloj subvencioni që do të jepet lë hapësirë që të mos përdoret për atë që është destinuar. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Carovska tha se kjo është zgjidhja më e mirë për momentin dhe se në të ardhmen me vënien në përdorim të kartave “Green pay”, do të mund të përdoren vetëm për ushqim, shkruan Portalb.mk.

Në këtë panel diskutimi të pranishëm ishin rektori i UEJL-së Abdylmenaf Bexheti, ministrja e Arsimit dhe Shkencës Mila Carovska, zëvendës-ministri i arsimit dhe shkencës Arafat Shabani, kryetari i Parlamentit Studentor UEJL Agron Demiri, kryetari i Këshillit Rinor Lokal, Olti Esati dhe studentët nga ky universitet.

“Fuqizoni veten tuaj me një edukim të mirë, pastaj dilni dhe përdorni atë edukim për të ndërtuar një vend të denjë për premtimin tuaj.” Kështu u hap ky panel i diskutimit në UEJL, nga studentja Vaide Jakupi , duke shtuar se gjatë këtij paneli do të diskutohet për fuqinë që studentët kanë për të përmbushur potencialin e tyre dhe për të hapur mundësi të reja.

Me këtë edhe filloi diskutimi ku rektori Abdylmenaf Bexheti foli për subvencionimin për ushqim për studentët, pa përjashtim të universitetit ku ato studiojnë.

Abdylmenaf Bexheti, foto: Portalb.mk/Fisnik Xhelili
Abdylmenaf Bexheti, foto: Portalb.mk/Fisnik Xhelili

“Dua që këtu të nënvizoj posaçërisht komponentin se kjo është hera e parë, dhe sinqerisht falënderoj ministreshën në veçanti me gjithë ekipin e saj që për herë të parë për një program siç është, programi i subvencionimit të ushqimit të studentëve shtetas të RMV-së, pavarësisht statusit të tyre në cilin universitet ata studiojnë. Orientimi i programit është te studentët pavarësisht institucionit ku ata janë, që është për herë të parë të kyçen edhe universitetet që nuk janë publike”, tha rektori Abdylmenaf Bexheti.

“Unë vetëm dëshiroj dhe uroj që të gjithë ju të jeni entuziast dhe të aplikoni në bazë të kushteve dhe kritereve të cilët ky udhëzim i sjellë nga minstresha, në mënyrë taksative i ka përcaktuar se cilët janë këto kushte për ta realizuar këtë të drejtë individuale në lidhje me subvencionimin e ushqimit”, tha Bexheti.

Rektori i UEJL-së i sugjeroi ministres Carovska dhe zëvendësit të saj Shabanit, që ky program do të ishte i logjikshëm nëse studentët kthehen në kampus.

“Ka logjikë të subvencionojmë ushqimin për studentët që do të vinë të studiojnë në kampus, në të kundërtën edhe programi bëhet i palogjikshëm që studentët të marrin kompensime të asaj natyre nga shtëpitë e tyre dhe apartamentet”, tha rektori Bexheti.

Kryetari i Parlamentit Studentor i UEJL, Agron Demiri foli për atë se sa studentët ndihmohen nga shteti dhe sa studentët e UEJL përfitojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe vetë universiteti.

Agron Demiri, foto: Portalb.mk/Fisnik Xhelili
Agron Demiri, foto: Portalb.mk/Fisnik Xhelili

“Bashkë me kryetarët e parlamenteve studentore tjera, para një viti realizuam takim me ministren dhe nga atje dorëzuam kërkesa konkrete të shkruara në një dokument të përbashkët, të përpiluar nga të gjithë asociacionet studentore, ku aty shumë mirë shënon se bursat studentore janë proces kyç që ne sot mund të dëshmojmë se ajo është bërë realitet”, tha Agron Demiri, duke shtuar se si rezultat i këtij bashkëpunimi shumica e bursave janë rritur. Gjithashtu ai u bëri apel të gjithë studentëve që të vaksinohen në mënyrë që të rikthehen në hapësirat universitare sa më shpejtë.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska tha se ne jemi një shtet i cili me vite mundohet ti përmirësojë standardet por pak ka investuar. Por me punën e ministrisë dhe qeverisë në disa vite do ti përmirësojnë kushtet, ku theksoi se  i kanë dyfishuar bursat dhe kanë vendosur që të japin bursa edhe për studimet pas-diplomike dhe ato të doktoratës që studiojnë brenda shtetit, që këto mjete të qarkullojnë brenda buxhetit të shtetit.

Mila Carovska, foto: Portalb.mk/Fisnik Xhelili
Mila Carovska, foto: Portalb.mk/Fisnik Xhelili

“Ju bëj apel të aplikoni për vaktin e subvencionuar. Deri më sot, ne kemi pranuar rreth 6,000 aplikime dhe jemi të gatshëm të pranojmë 40,000.  Aplikoni deri me1 shtator, aplikim është i thjeshtë elektronik, nëse nuk mundeni në mënyrë elektronike, ejani te Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe të punësuarit atje  do t’ju ndihmojnë. Në mënyrë që t’i përpunojmë më shpejtë  të dhënat, që të merrni subvencionin e parë rreth 5 tetorit, i cili është 2,400 denarë”, tha Carovska

 

Për këtë kishte reagim edhe nga ana e një studenti i cili theksoi përvojën e tij personale në një nga shtetet e BE-së, ku ky lloj subvencioni jepet vetëm për ushqim dhe nuk ka hapësira për t’u manipuluar dhe mos tu shfrytëzuar për ushqim. Këtë pyetje ja drejtoi edhe ministreshës duke e pyetur se a kanë në plan diçka konkrete për të sofistikuar këtë lloj subvencioni duke e bërë që të shfrytëzohet vetëm për ushqime  në dyqane dhe markete, sepse në këtë mënyrë kjo lë hapësira mos tu shfrytëzuar për këtë qëllim.

“Paratë do të shkojnë në llogaritë e transakcionit të studentëve, dhe mund ti shfrytëzojnë për çfarë të duan. Qëllimi ynë është për një vakt të shëndetshëm që mund ta blini në dyqane që mund të përgatitni në shtëpi, apo  në restorante. Por nuk kufizohet që mos t’i shpenzoni paratë për gjëra tjera. n Për momentin, ne nuk ishim të sigurt nëse restorantet do të ishin të hapura. Do të ketë karta “Green pay”, kartat e tilla speciale do të vendosen në përdorim, dhe do të jenë vetëm për ushqim, si për në markete ashtu edhe në restorante, më tutje nuk mund të paguani më energjinë elektrike me ta”, tha Carovska

Arafat Shabani, foto: Portalb.mk/Fisnik Xhelili
Arafat Shabani, foto: Portalb.mk/Fisnik Xhelili

Zëvendës-ministri i MASH Arafat Shabani, foli për të njëjtat pika si ministresha, por në gjuhën shqipe.

“Qëllimi i kësaj është vërtet të ndjeni mbështetje që ju jep shteti. Shqetësimi i juaj i vetëm duhet të jetë vetëm arsimi dhe zotërimi i njohurive. Duam të ju motivojmë që të përpiqeni sa më shumë për sukses dhe prosperitet personal këtu  në vendin tuaj dhe kjo do të jetë një ndihmë e madhe për vendin tonë”, tha Shabani.

Ministrja u pyet nga studentët edhe për atë që gjatë fjalimit tha se të gjithë studentët duhet të vaksinohen,  se çfarë do të ndodhte me studentët që nuk duan të vaksinohen.

“Në lidhje me vaksinimin ne themi dhe bëjmë thirrje që të gjithë të vaksinohen që të arrijmë imunitet kolektiv, që është mbi 80% të jenë të vaksinuar, që të mund të funksionojmë normalisht. Dhe unë jam e sigurt që do të jeni në gjendje ta bëni atë për të qenë më të sigurt,” tha Carovska.

Panel diskutimi për bursat studentore, foto: Portalb.mk/Fisnik Xhelili
Panel diskutimi për bursat studentore, foto: Portalb.mk/Fisnik Xhelili

Gjithashtu, pyetja tjetër drejtuar ministres nga studentët ishte se a do të jenë bursat e njëjta për të gjithë studentët pavarësisht a janë nga universitetet private apo publike.

“Bursat jepen për ata studentë që janë në universitete publike, ato privato-publike nuk janë ende të përfshira dhe këtu duhet të bisedojmë për bursat për universitetet publiko-private. Kemi mjaft diskutime për ligj të rinj për standard të të rinjve. Mendoj se do të gjejmë mundësi edhe për bursat, por për këtë na duhet ligj i ri. Tani nuk mundemi të kalojmë ndonjë ligj në kuvend, besoj që pas zgjedhjeve lokale situata do të jetë më e relaksuar dhe do e sjellim këtë ligj”, tha Carovska.

Ndryshe, këtë vit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës prezantoi disa kategori të reja të bursave, ndërsa i rriti edhe shumat mujore të disa prej atyre ekzistuese që janë dhënë deri më tani. Ku edhe për herë të parë shpalli konkurs për dhënien e bursave për studimet e doktoratës në vend. Pasi u hoqën 10 vjet më parë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button