Pak gatishmëri në BE për pranimin e refugjatëve nga Afganistani

Ministri i Brendshëm me periudhën më të gjatë në detyrë në BE u apeloi në ndërgjegje homologëve të tij. „Ne duhet të përcaktojmë kuota për refugjatët afganë, që vijnë në rrugë legale në Europë”, thotë Jean Asselborn. “Shtetet e BE-së duhet të japin një sinjal, që janë të gatshëm të ndihmojnë njerëzit.”

Luksemburgasi e kritikon ashpër qëndrimin e Austrisë: “Eshtë e tmerrshme. Eshtë dëshpëruese. Të tilla shprehje populiste ngjallin frikë.” Problemi duhet zgjidhur bashkarisht dhe njerëzit nga Afganistani nuk mund të refuzohen, apelon Asselborn, shkruan DW. Por thirrja e tij duket se nuk përfillet. Vendet e BE-së janë të përçarë dhe veprojnë sipas interesve të tyre. Tani duhet që bllokada të zgjidhet në një samit të jashtëzakonshëm. Aktualisht vendet e BE-së kanë këto pozicione:

Austria

Një refuzim total dhe tone të ashpra kundër pranimit të refugjatëve afganë shpreh aktualisht ministri i Brendshëm austriak, Karl Nehammer. Tani ka prioritet të lartë, „të biseodhet me vendet fqinjë të Afganistanit, në mënyrë që të garantohet në rajon mbrojtja dhe ndihma”. BE-ja duhet të bëjë më shumë për të mbrojtur kuifjtë e saj të jashtëm. Por nuk ka arsye përse tani afganët të vijnë në Austri.

Greqia

As Greqia nuk do të pranojë refugjatë nga Afganistani. Ministri i Migracionit Notis Mitarachi deklaroi, se Greqia nuk do të bëhet sërish „porta e valës së parregullt të refugjatëve drejt Europës.” Ndërkohë, sipas tij në Greqi janë strehuar 40.000 afganë, gjysma janë me status të njohur dhe pjesa tjetër si azilkërkues. Greqia e konsideron Turqinë si një vend të sigurtë për refugjatët afganë.

Franca

Qeveria franceze përpiqet ndërkohë të zbusë një deklaratë të presidentit Emmanuel Macron të hënën në mbrëmje (16.08), me të cilën ai hasi në shumë kritika. Në një fjalim në televizion ai u shpreh kundër „valëve të parregullta” të refugjatëve nga Afganistani. Zëdhënësi qeveritar Gabriel Attal deklaroi të mërkurën (18.08), se çdo vit disa mijëra afganë janë pranuar në Francë, pasi ata janë larguar prej përndjekjes dhe luftës e kjo gatishmëri për pranim do të vazhdojë. Franca të martën gjatë natës evakuoi 180 afganë nga Kabuli për arsye humanitare.

Duhet një nismë ndërkombëtare për t’u ofruar strehim afganëve që kërkojnë azil. Zëdhënësi qeveritar nuk u prononcua se deri në sa refugjatë mund të pranojë Franca. Kjo temë është delikate për Macron në sfondin e zgjedhjeve presidenciale në pranverë. Partitë e djathta, veçanërisht partia e Marine Le Pen, prej vitesh nxisin frikërat prej migracionit.

Italia

Kryeministri i Italisë, Mario Draghi ende nuk është prononcuar lidhur me çështjen e refugjatëve nga Afganistani. Prioriteti i europianëve tani duhe të jetë, pranimi i atyre afganëve dhe familjeve të tyre, që kanë bashkëpunuar me Perëndimin ose janë angazhuar për të drejtat e grave, ka nënvizuar Draghi. Por kreu i qeverisë italiane nuk prononcohet qartazi, pasi koalicioni i tij mbështetet nga partitë populiste ose të djathtët ekstrem. Këtë verë Italia sërish ka pasur fluks të rritur të refugjatëve, që vijnë nga vendet afrikane përmes itinerarit të Mesdheut.

Spanja

Qeveria spanjolle ka shprehur gatishmëri të pranojë afganë, duke u ofruar si një vend për qëndrim të përkohshëm, për ata që kanë bashkëpunuar me Perëndimin dhe duhet të evakuohen për arsye humanitare. Përveç kësaj nuk ka asnjë ofertë tjetër nga Madridi.

Holanda

Në Holandë po diskutohet ndërkohë vetëm për pranimin e refugjatëve, që kanë punuar në kuadër të misionit të NATO-s dhe me organizatat e ndihmës. Këta janë fare pak persona. Fluturimi i parë i Holandës për evakuimin u desh të ndërpritej për shkak të kushteve kaotike në aeroportin e Kabulit.

Skandinavia

Danimarka muajt e fundit e ka ashpërsuar politikën e saj ndaj refugjatëve, aq sa tani planifikon të kthejë edhe refugjatët sirianë të pranuar me status qëndrimi. Pranimi i afganëve konsiderohet si i përjashtuar. Ngjashëm vepron Suedia, ku qeveria e koalicionit nuk ka bazë të sigurtë dhe si rrjedhojë politika liberale ndaj refugjatëve është sakrifikuar nën presionin e partive të djathta.

Gjermania

Në Gjermani qëndrimi është i paqartë. Në fundjavë sipas përllogaritjeve në Berlin lihet të kuptohet, se mund të kemi të bëjmë me një numër prej afro 10.000 afganësh, që kanë qenë bashkëpunëtorë të Bundeswehr-it, anëtarë të shoqërisë civile ose të organizatave joqeveritare dhe që duhet të pranohen për arsye humanitare. Por fillimisht afganët e larguar nga vendi duhet të transportohen në vendet fqinjë me ndihmën e UNHCR-së. Në një hap të dytë mund të mendohet, nëse ata që janë veçanërisht të prekur do të mund të sillen në mënyrë të rregullt në Europë. Ndërkohë landet e veçanta të federatës kanë shprehur gatishmërinë të pranojnë përkatësisht disa mijëra afganë. Ndërsa në qershor një kërkesë në parlament e partisë Të Gjelbrit për evakuimin e grupeve të rrezikuara të afganëve, u refuzua nga deputetët. Aktualisht shumë rrugë për largimin nga Afganistani janë bllokuar përmes checkpoint-eve të Talibanëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button