Vodno u bë zonë e mbrojtur, ekologët vazhdojnë të kërkojnë mbrojtje me ligj

Vodno u bë zonë e mbrojtur me Vendim të cilin e mori Qeveria dje. Kjo, sipas Ministrisë së Mjedisit Jetësor, do të mundësojë mbrojtjen, ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të vlerave natyrore të malit. Në të njëjtën kohë, Qyteti i Shkupit u emërua si entiteti që do të menaxhojë dhe kujdeset për zonën dhe i cili do të miratojë Planin e menaxhimit. Plani do të duhet të përmbajë të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme për mbrojtjen e natyrës, veçanërisht masat për menaxhimin e hapësirës dhe krijimin e një sistemi masash dhe aktivitetesh për mbrojtjen nga zjarret dhe fatkeqësitë e tjera natyrore, përfshirë masat për mbrojtjen nga erozioni, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Ministri i Mjedisit Jetësor, Naser Nuredini, tha se ishte i kënaqur që, pas punës së mundimshme, ata e përmbushën detyrimin për të bërë rivlerësimin dhe për ta shpallur zonë të mbrojtur për të siguruar mbrojtje maksimale, në përputhje me ligjin.

“Mali Vodno ka pritur për një kohë të gjatë marrjen e statusit zonë e mbrojtur në përputhje me legjislacionin ekzistues për mbrojtjen e mjedisit jetësor, i cili është mjeti i vetëm për të mundësuar mbrojtje të tillë ligjore të integruar në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Tani vijon procesi i përgatitjes së akteve dhe planit për menaxhim me masa konkrete, për të cilat gjithashtu do të ketë proces të konsultimit publik dhe unë ftoj ekspertët dhe të gjithë publikun të marrin pjesë në operacionalizimin e kësaj mbrojtjeje në mënyrën e duhur”, tha Nuredini.

Vodno mori statusin e zonës së mbrojtur me Vendim, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e natyrës, edhe pse gjatë dëgjimeve publike u shprehën pikëpamje të ndryshme midis Ministrisë së Mjedisit Jetësor nga njëra anë dhe ekologëve, ekspertëve dhe disa institucioneve nga ana tjetër, të cilët angazhohen që Vodno të mbrohet me një ligj të veçantë.

Nga organizata “E dua Vodnon”dje kanë shkruar se pavarësisht përpjekjeve të tyre për të vënë në dukje efektet negative të mbrojtjes me Vendim, ministria mbeti në pozicionin e saj.

“Shumë herë ua bëmë me dije institucioneve, por personalisht edhe vetë Kryeministrit, për katastrofën e marrjes së një Vendimi të tillë për mbrojtjen e Vodnos, me prezantime të ekspertëve dhe përfaqësuesve të institucioneve kompetente që e shihnin të njëjtën gjë, por efekti është shkatërrues Me Megjithatë, MMJPH vazhdoi me procedurën që do të çojë në urbanizim dhe shkatërrim të plotë të Vodnos, kurse pasojat e kësaj do të ndihen nga të gjithë qytetarët e Shkupit, si dhe i gjithë vendi”, shkruajnë “E dua Vodnon”.

Ata kujtojnë se në ministri janë dorëzuar opinionet me mospajtim nga institucionet, të cilat ishin lënë pas dore.

Në mars të këtij viti, ekologët, të mbështetur nga ekspertë të Fakultetit të Pylltarisë, Drejtoria për Çështje Hidrometeorologjike dhe Agjencia për Planifikim Hapësinor, apeluan që Vodno të mbrohet, por për arsyet e duhura, e kjo është mbrojtja e qytetit të Shkupit nga përmbytjet dhe erozioni, jo për shkak të burimeve të tij natyrore dhe natyrës unike. Ata ia drejtuan kërkesën drejtpërdrejt kryeministrit Zoran Zaev, sepse menduan se vërejtjet e tyre u injoruan nga Ministria.

Profesori në Fakultetin e Pylltarisë “Hans Em”, Ivan Blinkov me atë rast i theksoi Studimet për mbrojtjen e pyjeve, për përmbytje, erozion, të përgatitura nga UNDP dhe Qyteti i Shkupit dhe planin dhe elaboratin për pyllëzimin e Vodnos, të cilat janë harmonizuar mes veti me një qëllim, mbrojtja kundër përmbytjeve nga Vodno, ndërsa prodekania Makedonka Stojanovska, vuri në dukje se Vodno nuk është një trashëgimi natyrore, por pesë apo gjashtë dekada më parë ajo ishte e zhveshur, është pyllëzuar artificialisht për të mbrojtur Shkupin nga përmbytjet dhe erozioni. Vasko Stojov, kreu i Departamentit të Hidrologjisë në DÇHM, vuri në dukje se Vodno duhet të konsiderohet nga pikëpamja hidrologjike, në mënyrë që të mos përsëritet përmbytja e vitit 1951.

Ministria e Mjedisit Jetësor, nga ana tjetër, dje informuan se ata e konfirmojnë rëndësinë e jashtëzakonshme të Vodnos dhe funksionet e tij të shumëfishta për vendbanimet përreth dhe Qytetin e Shkupit, prandaj ata e kanë plotësuar Vendimin dhe kanë paraparë të përgatisin Plan Hapësinor të kësaj zonë. Gjithashtu do të përmbushet detyrimi i vetëqeverisjes vendore për përcaktimin e kufijve të zonave erozive, dhe do të ndalohet ndërtimi i objekteve të reja, zgjerimi dhe mbindërtim i atyre ekzistuese dhe zgjerimi i shtrirjes urbane të vendbanimeve në territorin e zonës së mbrojtur – Vodno.

“Është me rëndësi që Vodno e mori mbrojtjen në përputhje me legjislacionin ekzistues, ndërsa ndërkohë nëse zhvillohet ndonjë ide e re për mbrojtje dhe rregullim më të mirë, ajo gjithmonë mund të propozohet dhe votohet në mënyrë plotësuese nga Kuvendi”, theksoi Nuredini.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button