Lista të pavarura në RMV me gjasa reale për këshilltarë, por të vogla për kryetarë të komunave

Shfaqja e listave të pavarura në zgjedhjet lokale mund t’ua prishë hesapet partive më të mëdha në listat e këshilltarëve, por është e vështirë për kryetar komune, sepse aty ekziston  modeli i shumicës, thotë analisti politik Petar Arsovski. Sipas Sefer Selimit, ata janë paralajmërim i një katarse të re politike, shkruan REL në gjuhën maqedonase, transmeton Portalb.mk.

Disa grupe qytetarësh tashmë kanë filluar të mbledhin nënshkrime për të marrë pjesë me listat e tyre në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor. Nisma “Shansi për Qendrën” e shpalli listën e pavarur me të cilën do të kandidojë në zgjedhje për komunën e Qendrës, “Qyteti i gjelbër human”, nismë që mbështetet nga 12 organizata i fton qytetarët të kandidojnë në listën e parë të pavarur të anëtarëve për Këshillin e Qytetit të Shkupit. Mbështetje, në rrjetet sociale, kërkohet edhe për nismën qytetare “Të pavarur për Karposhin – për mbrojtjen e Karposhit”.

Në Tetovë, një grup aktivistësh civilë do të konkurrojnë për këshilltarë të pavarur, të mbledhur në nismën “Më mirë për Tetovën”, kurse më parë në Ohër u formua një Bord Iniciativë për të paraqitur listë të kandidatëve të pavarur për anëtarë të Këshillit Komunal, nën moton “Ohri para të gjitha”.

Analistët politikë në vend thonë se është mirë që zyrtarët aktualë të zgjedhur të partisë të kenë konkurrencë, sepse kjo nënkupton cilësi më të mirë të kuadrove.

Por, cilat janë shanset që kandidatët nga këto lista të fitojnë votat e nevojshme për të hyrë në Këshillin e ndonjë komune ose ndoshta për kolltukun e kryetarit?

“Shfaqja e listave të pavarura mund t’ua prishë hesapet partive më të mëdha në listat e këshilltarëve, por është e vështirë për  kryetar komuna, sepse ekziston model i shumicës. Kjo do të thotë se në thelb unë ende pres që kryetarët e komunave të jenë nga dy partitë kryesore, por që do të kërkohet një konsensus më i gjerë brenda këshillave për punën aktuale të komunave ”, thotë analisti politik Petar Arsovski.

Megjithatë, ai nuk përjashton mundësinë që ndonjë kandidat nga ajo listë e pavarur të bëhet kryetar i ardhëm i komunës, por shans të tillë sheh vetëm në zonat më të mëdha urbane.

“Është e mundur në komunat më urbane ku ato lista mund të mbledhin një bërthamë më serioze qytetare. Në komunat më të vogla është praktikisht e pamundur, ndërsa në komunat më të mëdha urbane shumë pak është e mundur. Madje edhe në Qendër, Karposh, Kisela Vodë, Aerodrom, komunat më urbane, nëse shikoni shifrat mbi 80 përqind e votuesve janë të përcaktuar për njërën nga dy ose tre partitë kryesore. “Pra, shanset që listat e pavarura të marrin kryetar komune janë shumë të vogla, por kjo nuk do të thotë se ata nuk do të marrin këshilltarë në listat e këshilltarëve,” tha Arsovski.

Sefer Selimi nga Instituti i “Democracy Lab” thotë se listat e pavarura do të kenë njëfarë ndikimi në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve lokale, por shanset për sukses domethënës janë shumë të vogla, kryesisht për shkak të modelit elektoral dhe strukturës së krijuar për mbledhjen e votave të partive tradicionale.

“Megjithatë, ky është lajm i mirë që paralajmëron një katarsis të ri politik ku nuk do të ketë më vetëm mënyrë tradicionale të zgjedhjes së kandidatëve vetëm nga radhët e aktivistëve politikë, por kandidatët do të kërkohen edhe jashtë atyre qarqeve”, thotë Selimi.

Qëllimi i listave të pavarura është që t’i bëjnë qytetarët të mendojnë nëse do të votojnë për përfaqësuesit e partive politike apo për listat e pavarura që duhet të ofrojnë cilësi që do të tërheqë votuesit, vlerësojnë disa analistë.

Cilët janë votuesit e mundshëm për të pavarurit?

Të zhgënjyerit me njërën nga dy partitë kryesore, kritikët e pavendosur dhe vetëm një numër i vogël abstenuesish do të votonin për listat e pavarura, thonë analistët, duke shtuar se përbërja e votuesve do të jetë laramane dhe do të varet nga profili nga lista në listë.

“Dy grupe të synuara do t’i kenë të gjitha këto lista të pavarura, ata janë qytetarët e zhgënjyer që nuk e gjejnë veten në asnjë nga partitë politike dhe grupi i dytë është pjesë e të pavendosurve që do të arrijnë t’i bindin ata se duhet të votojnë për ta”, thotë Selimi.

Përndryshe, nënshkrimet për listat e pavarura mblidhen para zyrtarëve të KSHZ-së dhe para  noterit të autorizuar në formular të përcaktuar nga Komisioni, në periudhën nga ora 8 e mëngjesit deri në 20 pasdite, kurse më 30 gusht deri në mesnatë.

Kur parashtruesi i listës së kandidatit për kryetar komune është një grup zgjedhësish, në komunë deri në 10 000 banorë duhet të mblidhen të paktën 100 nënshkrime nga votuesit e regjistruar në ekstraktin e Listës së votuesve për atë komunën, në komuna me mbi 100 001 banorë duhet të mblidhen të paktën 450 nënshkrime nga votuesit e regjistruar në ekstraktin e Listës së votuesve për atë komunë. Për qytetin e Shkupit duhet të mblidhen të paktën 1000 nënshkrime nga votuesit e regjistruar në ekstraktin e Listës së votuesve në rajonin e Qytetit të Shkupit.

KKZ verifikon listat jo më vonë se 24 orë nga pranimi i listës dhe gjithashtu paraqet kërkesë për verifikimin e të dhënave nga lista tek institucionet menjëherë ose më voni deri në 24 orë pas dorëzimit, gjegjësisht më 12 shtator. Nëse KSHZ -ja përcakton që lista është përpiluar në përputhje me Kodin Zgjedhor, ajo e konfirmon atë brenda 24 orëve, ndërsa nëse identifikohen parregullsi ose lëshime, parashtruesve u jepen 48 orë kohë për t’i mënjanuar ato. KSHZ do të njoftojë listat e përcaktuara për kryetarë të komunave dhe këshilltarëve në ueb-faqen e saj më së voni më 23 shtator, ndërsa KKZ -të në të gjitha vendbanimet do t’i shpallë listat e vërtetuara  për kryetarë të këshilltarë të komunave.

Fushata për zgjedhjet lokale fillon në mesnatën e 27 shtatorit dhe zgjat deri në mesnatën e 15 tetorit. Zyrtarisht, shikimi publik i Listës Zgjedhore për zgjedhje do të fillojë më 21 gusht dhe do të zgjasë deri më 9 shtator.

 

Këto do të jenë zgjedhjet e shtata lokale radhazi që nga pavarësia e Maqedonisë. Deri më tani në zgjedhjet lokale ka pasur lista të pavarura kandidatësh që kanë arritur të fitojnë vende në këshilla. Kandidatët e pavarur për kryetarë komune, zakonisht figura të shquara në shoqëri, sportistë, artistë, profesorë, nuk kanë pasur shumë sukses.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button