Talebanët e shpallin “të përfunduar pushtimin e përgjakshëm 20 vjeçar nga forcat e huaja”

Talebanët shpallën të përfunduar “20 vitet e luftës së përgjakshme” dhe “pushtimin nga forcat e huaja” ndërsa grupi po përgatitet për formimin e asaj që ajo e quan “qeveri islame” në Afganistan, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e tij të parë për media në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, zëdhënësi i grupit Zabihullah Mujahed tha se siguria e qytetarëve të Kabulit dhe misionet e huaja diplomatike në Zonën e Gjelbër janë thelbësisht të rëndësishme për talebanët. Ai në veçanti siguroi SHBA-në, OKB-në, pjesën tjetër të bashkësisë ndërkombëtare dhe agjencitë humanitare.

“Siguria e ambasadave në Kabul është e një rëndësie vendimtare për ne. Do të doja të siguroja të gjitha vendet e huaja se forcat tona janë atje për të ofruar sigurinë e të gjitha ambasadave, misioneve, organizatave ndërkombëtare dhe agjencive të ndihmës”, shtoi Mujahed.

Ai kërkoi mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar dhe bëri thirrje për konsultim dhe bisedime me komunitetin ndërkombëtar mbi shqetësimet dhe frikën e tyre ndaj qeverisë së ardhshme “islame” në Afganistan.

Mujahed, mijëra viktimat civile gjatë dy dekadave të fundit të luftës i quajti si “dëm kolateral” në vazhdën e një “pushtimi” i cili u përball me “luftën për pavarësi” të afganëve.

Ai premtoi se asnjë diskriminim dhe përdorim i forcës nuk do të ndodhte ndaj grave dhe se ato do të lejohen të studiojnë dhe punojnë në përputhje me parimet e Sheriatit.

Duke iu referuar lirisë së shtypit, ai tha se parimet islame dhe interesat kombëtare do të mbeten parimet kryesore dhe mediave nuk do t’u lejohet të përhapin ndarje etnike, sektare dhe të tjera.

Duke akuzuar administratën e presidentit, Ashraf Ghani për krijimin e një vakumi të pushtetit duke ikur në “panik”, zëdhënësi i talebanëve tha se “lufta” e administratës së mëparshme i detyroi ata të përshpejtonin përparimet në qytete dhe fshatra, duke çuar në marrjen e Kabulit pa bisedimet e duhura për transferimin e pushtetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button