MPJ: Të gjithë shtetasit e RMV-së që janë paraqitur për evakuim e kanë lëshuar Kabulin

Të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut që janë paraqitur për evakuim e kanë lëshuar Kabulin, kryeqytetin e Afganistanit dhe për momentin ndodhen në disa lokacione, njofton Ministria e Punëve të Jashtme, njofton Portalb.mk.

Pjesa më e madhe, më shumë se 30 bashkëqytetarë ndodhen në Svinlend, Britani të Madhe; mbi 20 qytetarë ndodhen në Doha, Katar, prej ku në ditët në vijim do të transportohen drejt qendrave evropiane, a më pas drejt Shkupit. Qytetarët tanë të fundit të cilët u parashikuan për evakuim a ndodheshin në bazën e NATO-s në Kabul, gjithashtu e kanë lëshuar Afganistanin dhe tani ndodhen në Oslo të Norvegjisë.

“Në bazën e NATO-s në Kabul kanë mbetur vetëm ata të cilët i kryejnë obligimet e tyre dhe që evakuimi do të zhvillohet në pajtueshmëri me itinerarin për tërheqje nga baza. Me atë, të gjithë qytetarët që janë planifikuar për evakuim janë evakuuar dhe për momentin nuk kemi informata për shtetas tanë që është në situatë të rrezikuar ose të cilit i nevojitet asistencë për evakuim”, thonë nga MPJ.

Ndryshe, situata në kryeqytetin afgan, Kabul po ndryshon shpejt teksa talibanët kanë hyrë në qytet dhe kanë marrë pushtetin. E gjithë kjo ndodhi derisa presidenti afgan, Ashraf Ghani u largua nga shteti dhe forcat e sigurisë në qytet u larguan.

Talebanët morën jo vetëm pushtetin politik, por edhe kapacitetet luftarake të ofruara nga SHBA – armë, municion, helikopterë dhe më shumë. Të krijuara dhe stërvitura me një kosto prej 83 miliardë dollarësh gjatë dy-dekadave, forcat afgane të sigurisë u rrëzuan aq shpejt dhe plotësisht – në disa raste pa qëlluar asnjë të shtënë – saqë duket se ata që përfituan përfundimisht nga investimi amerikan ishin talibanët.

Nga afërsisht 145 miliardë dollarë që qeveria amerikane shpenzoi në përpjekjen për të rindërtuar Afganistanin, rreth 83 miliardë dollarë shkuan për zhvillimin dhe mbështetjen e ushtrisë së Afganistanit dhe forcave të tij policore, sipas Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm Special për Rindërtimin e Afganistanit, një post mbikëqyrës i krijuar me mandat të Kongresit që ka ndjekur ecurinë e luftës që nga viti 2008. Shuma prej 145 miliardë dollarë është veçmas nga 837 miliardë dollarë të tjera që Shtetet e Bashkuara shpenzuan për të zhvilluar luftimet, që në fillim të luftës në tetor 2001.

83 miliardë dollarë të investuar në forcat afgane gjatë 20 viteve janë gati dyfishi i buxhetit të vitit të kaluar për të gjithë Korpusin amerikan të Marinsave. 83 miliardë dollarë tejkalon edhe shumën që shpenzoi vjet qeveria amerikane për talonat ushqimorë për rreth 40 milionë amerikanë në nevojë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button