Sistemi i sëmurë dhe epidemia e mosmirënjohjes

Një kohë të gjatë mjekët dhe personeli mjekësor punojnë nën stres e presion të vazhdueshëm për shkak të pandemisë. Dhe në vend se të respektohen, ata edhe fyhen padrejtësisht. Mjerisht, ekziston ndjenjë e theksuar armiqësore ndaj tyre.

Në gjendje anomie shahen njerëzit e dijes dhe lartësohen keqbërësit që mbulohen me flamuj kombëtarë. Shumëkush bëhet kompetent për gjërat që nuk i di. Shumëkush shkon në spital për ndihmë mjekësore dhe atje e “këshillon” mjekun se çfarë duhet të bëjë.

Nuk mund të mohohet se sistemi shëndetësor publik ka degraduar për fajin e qeveritarëve. Mjeku e shëron pacientin, kurse shteti e shëron sistemin shëndetësor.

Nuk mund të ketë sistem shëndetësor cilësor pa strategji dhe investime të vazhdueshme. Kur shteti nuk investon në sistemin shëndetësor publik, kur politika përfiton dhe e shkatërron këtë sistem, atëherë çmimin e kësaj papërgjegjësie e ndjen pacienti. Çfarë mund të bëjë mjeku kur spitalet nuk kanë kushte elementare?

Kam parë mjekë të përkushtuar, të cilëve nuk ua kam kursyer mirënjohjen për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar. Si në çdo profesion, edhe në shëndetësi, nuk janë të gjithë të përgjegjshëm, por nuk mund t’i përgjithësojmë gjërat. Kjo nuk është e drejtë ndaj atyre që punojnë me përkushtim për t’i shëruar pacientët.

Është koha kur shëndetësia publike duhet të vendoset në qendër të vëmendjes. Nëse pushtetarët e duan këtë popull, sikurse thonë, atëherë duhet që të angazhohen për më shumë investime në shëndetësi dhe arsim. Kështu shërohet trupi dhe shpirti i një populli. Këtë mund ta bëjnë edhe autoritetet komunale, sepse askush nuk i pengon ta ndihmojnë shëndetësinë dhe arsimin.

Nuk e bëjnë. Nuk i kthjell as pandemia.

Kjo pandemi nuk e kthjell njerëzimin që vazhdon të mahnitet pas spektakleve. Politikanët investojnë në spektakle, sepse sjellin vota.

Gjithashtu, në këtë kohë është bërë e vështirë që të shkruash për pandeminë, sepse menjëherë shpërthejnë kanalizimet e rrjeteve asociale dhe teoritë e komplotit. Por realiteti është ndryshe. Është tepër i trishtë edhe pse nuk duam ta shohim apo ta pranojmë.

 

Përballë kemi një armik të padukshëm. Atë nuk e mposht trimëria e shpifur dhe forca, por solidariteti ndërnjerëzor dhe dija.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button