Sot vendoset për masat e reja për hyrje-dalje nga RMV

Për të gjithë qytetarët nga vendi dhe jashtë, të cilët hyjnë dhe dalin nga Maqedonia e Veriut do të kërkohet test PCR, si provë nëse janë të infektuar ose vërtetim se janë të vaksinuar. Ky është propozimi i Komisionit për Sëmundje Infektive që udhët të shqyrtohet nga ana e Qeverisë. Në seancën e sotme qeveritare do të vendoset për këtë propozim, por edhe për atë se prej kur do të vlente kjo masë, njofton Portalb.mk.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, paralajmëroi se masat do të hyjnë në fuqi pas një jave apo 10 ditëve, duke e pasur parasysh se është periudhë pushimesh.

Komisioni gjithashtu mendon që ta kufizojë orarin e punës së lokaleve dhe t’i reduktojë vendet në transportin publik. Ministri deklaroi se Komiteti Nacional për Imunizim do të rekomandojë dozë të tretë të vaksinës për pacientët me sëmundje imunokomprometuese. Me dozën e tretë do të vaksinohen edhe pacientët të cilët janë në dializë kronike dhe kategoritë tjera me imunitet të dobët.

Duke e pasur parasysh numrin e madh të infektuarve, prej dje në funksion për pacientët kthehen Spitali Modular në afërsi të Klinikës Infektive dhe Reparti Infektiv në Spitalin e Qytetit “8 Shtatori”. Do të ketë edhe qendër në Institutin për Tuberkuloz, a planifikohen edhe dy qendra sipas të gjitha gjasave në poliklinikat “Jane Sandanski” dhe “Gjorçe Petrov”.

“Është evidente se po rritet numri i rasteve të reja, po rritet edhe numri i pacientëve që kanë nevojë për hospitalizim. Trysni më të madhe ka në spitalet e Tetovës dhe Gostivarit, por gjithashtu edhe në Strugë po përforcohet. Në Tetovë janë hospitalizuar 90 pacientë, në Gostivar 70, repartet e tyre interne janë me kapacitet të plotë dhe kanë hapësirë për edhe disa pjesë shtesë nga reparti. Spitali në Leshok është i mbushur me pacientë, nesër do të koordinohemi në lidhje me atë se ku do të dërgohen pacientët tjerë”, tha Filipçe.

Në lidhje me vaksinimin në vend, Filipçe tha se është vaksinuar 35% e popullatës dhe rreth 4.000 fëmijë në moshë deri në 18 vjet. Filipçe theksoi se në qytetet ku ka rritje të përqindjes së vaksinimit si Ohri, Manastiri dhe Shtipi nuk ka trysni në spitale.

Ndryshe, prej dje në Maqedoninë e Veriut kanë hyrë në fuqi masat e reja për parandalimin e shpërndarjes së COVID-19. Qytetarët të cilët, do të gjenden në një objekt hotelierik ose ngjarje pa certifikatë për vaksinim kundër kovid-19 do të paguajnë gjobë prej 250 euro, kurse gjoba për objektin hotelierik shkon nga 2.500 deri në 30 mijë euro, varësisht nga madhësia e objektit, plus 1.500 euro për personin përgjegjës.

  • Deri më 15 gusht, të gjitha objektet e hotelierisë të regjistruara për festimet lejohen të veprojnë brenda, vetëm në përputhje me masat kovid-19, duke lejuar të plotësohet deri në 40% të kapacitetit dhe maksimum 250 mysafirë, sipas protokolleve ekzistues në fuqi.
  • Për klubet e natës, diskotekat, kabaretë, baret, mbetet ndalimi i punës në pjesën e mbyllur të ndërtesës, përveç në pjesën e hapur (tarraca) me 50% të kapacitetit të hapësirës dhe një numër të kufizuar vizitorësh deri në maksimum 1.000 vizitorë, sipas protokolleve ekzistues.
  • Nga 16 gusht, ndalohet puna dhe organizimi i çdo lloji të ngjarjeje në të gjitha objektet e mbyllura hotelierike (dhe kafeteritë), duke përfshirë edhe festimet në objekte hotelierike të regjistruara për festime ose lloje të tjera të objekteve të mbyllura.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button