fbpx

Tetovë, rritje e vazhdueshme e rasteve me Covid-19, Nuredini: Të gjithë të vaksinohen

Tetova periudhën e fundit është ndër qytetet me numrin më të madh të rasteve të reja ditore me koronavirus, në disa raste duke lënë prapa edhe kryeqytetin i cili që nga fillimi i pandemisë ka qenë në krye. Rastet e reja ditëve të fundit janë shtuar ndjeshëm. Dr. Gëzim Nuredini tha se të gjithë të pavaksinuarit e kanë obligim të vaksinohen, shkruan Portalb.mk.

Sipas statistikave të djeshme të Ministrisë së Shëndetësisë, në Tetovë ka pasur gjithsej 138 të infektuar. Nëse vazhdohet në këtë ritëm, numri i personave të infektuar dhe të shtruar në spital me Covid-19 mund të arrijë shpejt numrat nga nëntori deri në dhjetor të vitit të kaluar.

Kreu i Qendrës Covid në Spitalin Klinik në Tetovë, Dr. Gzim Nuredini  tha se numrat në Tetovë për çdo ditë po rriten.

“Ne çdo ditë kemi një rritje të numrit të pacientëve si të hospitalizuar edhe numrit të pacientëve të cilët vijnë  në ambulancë. Vetëm brenda 24 orëve kemi hospitalizuar 20 pacientë, ndërsa të hospitalizuar për momentin i kemi 90 pacientë dhe 120 pacientë janë që i kemi në shërbim të ambulancës Covid dhe ku trajtohen. Shuma e përgjithshme e pacientëve që trajtohen në covid ambulanten dhe spital janë diku 210 pacientë” , tha Gzim Nuredini duke shtuar se ka dy raste që kanë ndërruar jetë.

8 pacientë të cilët e kanë marrë dozën e parë të vaksinës janë infektuar me Coivd-19

“Sa i përket statusit vaksinal kemi tetë pacientë të cilët e kanë marrë vetëm dozën e parë të vaksinës dhe kjo tregon se të gjithë pacientët që i kemi të hospitalizuar nuk janë të vaksinuar, që është edhe një motiv që të gjithë të pavaksinuarit të vaksinohen”, tha Gzim Nuredini.

Momentalisht nuk ka nevojë për reduktim të klinikave tjera

Dr. Nuredini tha se së bashku me drejtorin edhe me krye-shefat e klinikave të spitalit të Tetovës morën vendim se nuk do të kemi reduktim të punës së klinikave të tjera për arsye se edhe atje kemi raste urgjente.

“Kështu që kjo do të vështirësonte punën për pacientë që janë më rrallë por edhe që duhet të funksionojnë si reparte. Tani për tani mbetet të funksionojë spitali modularë, klinika infektive dhe interne që i kemi dy kat. Ndërsa në të ardhmen nëse rritet eventualisht numri do të marrim neurologjinë dhe psikiatrinë si qendër covid”, tha Dr. Nuredini.

Disa pacientë janë duke u hospitalizuar edhe në spitalin e Leshkës. Sipas Nuredinit kanë pacientë të cilët i kanë dërguar atje në konsultim me mjekët.

Stafi mjekësor, i gjithi është nga Tetova

Kreu i Covid qendrës theksoi se kanë bërë një riorganizim, një listë të mjekëve të cilët do të punojnë, ku një grup i kishin marrë edhe pushimet vjetore të cilat i ndërprenë, disa edhe vetë  u paraqitën.

“Domethënë ne tani punojmë vetëm me kuadrin mjekësor, domethënë te gjithë janë të kuadrit tonë. Nuk kemi ndihmë prej qyteteve tjera”, tha Nuredini duke shtuar se nëse rritet numri i pacientëve so ti zgjerojnë hapësirat ku do t’ju shërbejnë pacientëve me Covid-19.

Shumica e pacientëve janë me oksigjen terapi

Nuredini theksoi se 90 pacientë janë me oksigjen terapi, që për momentin funksionon pa ndonjë problem.

“Nëse rritet numri atëherë do të shohim, besoj se do të kemi edhe për një numër më të madh të kapacitetit sa i përket shtypjes së oksigjenit. Problemi është se sëmundja me të vërtetë është e çuditshme pasi kemi raste ku disa pacientëve ju keqësohet gjendja për dy ditë, dhe bie saturimi në shkallë shumë të ulët”, shtoi Nuredini.

Sipas tij, ka ende disa vende të lira, për arsye se brenda ditës kanë raste ku i lëshojnë në shtëpi. Ka pacientë të cilëve gjendja ju përmirësohet dhe i lëshojnë në shtëpi. Por ato i kontrollojnë sërish në ambulancën e qendrës për Covid-19.

Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut informon se në 24 orët e fundit nga 3.480 testime kanë rezultuar 298 persona të infektuar me COVID-19, 109 pacientë janë shëruar, ndërkaq 8 të tjerë kanë ndërruar jetë. Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 162.772, të shëruarve 150.960, të vdekurve 5.560, ndërkaq për momentin ka 5.937 raste aktive.

Në mesin e dy viktimave të 24 orëve të fundit janë dy nga Tetova (44 dhe 51-vjeç). Momentalisht në Tetovë ka 1.172 raste aktive.

Për informata më të detajuara për situatën me virusin korona, klikoni në këtë link: http://gdi.mk/corona/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button